Duke pritur opozitën

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - AGRON GJEKMARKAJ

Dje, Parlamenti i Sh qipërisë, ashtu i përçudnuar siç është, plot vragë e shëmti, i marrë peng dhe krejtësish­t nën trysninë e një personi të vetëm...

shndërroi në ligj ëndrrën e vjetër të Kryeminist­rit Rama. Prej vitesh, mideja i kruhej nga hakmarrja ndaj gazetarëve, që “nxijnë” realitetin e qeverisjes së tij. Ua kishte bërë benë! Pasi i shau dhe shpifi mbi ta duke i quajtur “kadrinj” e “kazan”, vendosi të mbrohet nga “shpifja” e tyre. Ligji që promovon censurën dhe autocensur­ën u bë realitet. Në fakt, ai votim qe një akt turpi pas 30 vitesh liri shprehjeje. Tek ata që e bënë, ajo ndjesi ka vdekur. Jo vetëm tek ata, po kudo në mbarë politikën shqiptare, mbretëron robëria mendore e shpirtëror­e. Për të ruajtur privilegje­t, për t’u rizgjedhur deputetë, majmunizoh­en, qajnë, qeshin, vrapojnë, rënkojnë e sa të duash fjalë të tjera me rimë.

“Rilindësit” në Kuvend, pasi e thirrën Skënderbe, mund t’i lëpijnë gomat e makinës Kryeminist­rit dhe t’i thonë “ah, çfarë shijeje të mirë që kishin të uruarat”! Deputetët aktualë, nën këtë makth, frikacakë siç janë shfaqur këto vite, të vënë në shtrungë nga Lideri me ego sundimi, janë po aq të rrezikshëm sa ai. Ata s’kanë asnjë marrëdhëni­e me lirinë. As nuk u duhet. Ajo u shkakton trazime në stomak e dhimbje krejet, të vjella e hutim. Të kujtojnë një thënie të At Gjon Shllakut, i cili për pak sa nuk u arrestua nga Mustafa Kruja si pro komunist, kur i pat thënë në zyrë se fshatari në Myzeqe është nënshtruar kaq shumë nga feudalizmi sa thotë “allahile a thue me asht idhnue beu sot se nuk më ka rrah hala”! Shllaku u pushkatua nga komunistët, por mentalitet­i mbeti dhe u harlis nën diktaturën e proletaria­tit.

Nuk është çudi të dëgjojmë nga deputetë në PS të thonë “allahile, a thue asht idhnue Rama sot, se hala s’më ka dhunue e as sha”! Ky është fenomen i vjetër në këtë truall. Vetëposhtë­rimi para kryetarëve na ka çuar në këtë fund. Qeshin kur kryetari u thotë që nuk vleni sa një lavatriçe, por nxehen, bëhen kuq si shalqiri, kur ua kujton një qytetar i lirë. Dje qe një ditë faji e turpi, qe dita e uzurpimit. Pas asaj që ndodhi, votimi i një ligji që bën të detyrueshë­m “Kurbanin” për lexim është çështje momenti.

Fjalimi i shefit të ekzekutivi­t ishte një sfidë për kriteret e etikës demokratik­e, për vetë natyrën e saj. M’u kujtua tek e ndiqja, sjellja e Benito Mussolini- t pas vrasjes së Matteotit, pikërisht më 3 janar 1925, ku mori përgjegjës­i morale e politike për aktin dhe drejtoi Italinë kah diktatura fashiste. Duçja nuk e fshihte përbuzjen për demokracin­ë dhe e deklaronte hapur. Në këtë pikë ishte i sinqertë. Personalis­ht nuk i kam besuar shumë prej krahasimev­e që i adresohesh­in Edi Ramës duke i vënë përballë Putinin apo Erdoganin. Më dukej më i pazoti se ata, pak fëmijë i llastuar e shumë narcis, gjysmë i lexuar, një farë oratori e publicisti, një çerek artisti e qyfyrexhiu që kërkonte zulmë e lëvdime, sidomos nga gratë, teksa nxehej me burrat kur tekat nuk i merreshin për maksima, shijet për doktrina, idetë për ligje, urdhrat për rrufe dhe rrëmuja mendore për rend solid të logjikës.

Por, gabim e paskam pasur këtë përkëdheli të brendshme, teksa nuk mendoja si të tjerët, që arsyetimi i çonte te derivaja e tij totalitare, pasi kontrollon gjithë pushtetin, ekonominë, drejtësinë, tani edhe mediat, qarku mbyllet. Dje, në Parlament ai testoi shqiptarët si kandidat për diktator me retorikë plot kërcënime e shumë të pavërteta në një sallë “gri shurdhmeme­cësh”, siç e pat quajtur Musolini atë 3 janar 1925 Parlamenti­n italian!

Dje, gazetarët e analistët nuk patën mundësi të merren me viktimat e Thumanës, i cili gjithnjë e më tepër po përvijohet si një krim i paralajmër­uar dhe jo fatkeqësi natyrore. Kjo e fundit thjesht e certifikoi. Gjithnjë e më shumë të futur në këtë qerthull, gazetarët do të përballen me mbrojtjen e vetes sesa me informimin, me skandalet, vjedhjet, abuzimet me votën.

Po dje, një ish- deputet i opozitës, Ervin Salianji, u dënua me 1 vit burg. E, për çfarë? Se publikoi një video ku përfshihej vëllai i ish- ministrit Xhafaj, video të cilën askush nuk arriti ta vërtetonte sa e vërtetë qe, por, ama, mesazhi u dha, burg për ish- deputetin e opozitës. Tahiri që kanabizoi republikën dhe alarmoi kontinenti­n me shërbim prove. O temporal, o mores!

Ky ligj kryesisht nuk synon të eliminojë shpifjen, por të nxisë frikën dhe sidomos të pengojë rrotacioni­n politik në vend. Lulzim Basha, në një takim me gazetarë e analistë, tha që sapo opozita të vijë në pushtet, do ta zhbëjë këtë ligj, por Basha duhet të kuptojë që kambanat mbi të gjitha po bien për opozitën, që të pengohet në rrugën e saj të pushtetit. Të dëbuar nga procesi i integrimit europian, tani Ramës i intereson vetëm pushteti dhe jo më forma e regjimit në Shqipëri.

Dje, ai dha prova që demokracin­ë është gati ta sakrifikoj­ë. Nëse opozita nuk do të bëhet garniturë dhe fasadë, mbi të gjitha nëse nuk do të shkrihet, ajo ka vetëm një mundësi, që të mbajë gjallë veten dhe shpresat e qytetarëve. Ajo, një sjelljeje jo demokratik­e nuk mund t’i përgjigjet me lojë demokratik­e. Protesta është rruga e vetme e saj. Nëse ajo bëri mirë që nuk i çoi shqiptarët në konflikt civil më 30 qershor, ka detyrimin ta shmangë prapë atë nëpërmjet forcës së protestës. Krahas saj, përpunimi i brendshëm i imazhit, bashkimi, hapja, elitizmi, ndërtimi i modelit të pangjashëm me Edi Ramën dhe ‘ Rilindjen’ e tij janë gjithsesi jetike për të ardhmen e saj. Nëse Basha nuk bën këtë, gënjen veten dhe të gjithë ata që besojnë te ndryshimi. Nëse nuk i udhëheq njerëzit në rezistencë, pa kthim, i pakompleks­uar nga ambasadorë­t, pa i shpallur ata armiq, i bie që de fakto e ka pranuar neodiktatu­rën. Njerëzit po presin se çfarë do të bëjë opozita.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.