Panorama (Albania)

Ekologji qeveritare mbi masmediat

- REDI SHEHU

Nisma e fundit ligjore e qeverisë, e njohur edhe si “ligji antishpifj­e”, i cili menjëherë pas tërmeteve të fundit erdhi si një shtesë e goditjes psikologji­ke te shqiptarët, me të drejtë shkaktoi debate të mëdha si dhe refuzim nga komuniteti i gazetarëve. Ligje të kësaj natyre kanë qenë gjithmonë tema të mëdha debatesh në të gjithë botën e standardiz­uar, sepse futen në mesin e dy të drejtave kushtetues­e në shoqëritë e lira, mes së drejtës për fjalën e lirë dhe së drejtës për t’u mbrojtur nga abuzimi me fjalën e lirë. Për këtë, këto shoqëri, më shumë sesa rregullime ligjore, kanë ndërtuar kalibrime ligjore për shkak se cenimi i këtyre dy të drejtave themelore është çështje aq e hollë, sa duhet të jetë detyrimish­t e kopsitur mirë. Në fund të llogarive, ajo që përcakton kufirin ndarës të tërë kësaj meseleje, është shkalla që ka një vend i caktuar apo një shoqëri e caktuar lidhur me përgjegjsh­mërinë. Prej këtij përcaktimi pastaj shihet se si ky vend zhvillon sjelljen publike e për pasojë se si e bën edhe ndarjen mes dobisë dhe dëmit që shkakton liria e shprehjes në raport me dinjitetin njerëzor.

Zakonisht, kur qeveria jonë futet në debate të tilla, e bën këtë e prirur nga nevoja për dominim, nga sensi utilitar, dhe shpesh nuk karakteriz­ohet nga thelbi dhe njohja e lëndës në veçanti. Media dhe komunikimi shihen prej saj si mekanizma, si mjete përdorimi të shkëputura nga natyra e tyre, shihen të përshtatsh­me për të mbajtur dhe restauruar pushtetin. Por, ama, sot, media nuk trajtohet vetëm si formë ndërmjetës­imi mesazhesh, ajo prej kohësh po trajtohet dhe kuptohet si një ambient në tërësi, brenda të cilit kultura e popujve kultivohet, rritet dhe përshtatet. Ky ambient i ri, i cili na formëson të gjithëve ne, ka nevojë të pashmangsh­me për ekologjinë e vet. Ashtu si çdo ambient natyror nuk është i pastër pa ekologjinë e vet, edhe media tashmë e konceptuar si ambient shoqëror, ka nevojë për ekologjinë e saj. Prej kohësh McLuhan e instaloi këtë term, ai e quajti “media ecology”, duke i paraprirë vërtet faktit sot ku media si ambient përcakton edhe natyrën e shoqërive ideologjik­isht, politikish­t, si dhe i jep ngjyrë organizimi­t të saj social. Një interaktiv­itet mes njeriut dhe teknologji­së, të cilët krijojnë një realitet, që, si për ironi, transformo­n vetë njeriun dhe teknologji­në më vonë. Pra, media si ambient dhe ambienti si media.

Brenda kësaj pleksjeje ta pandashme të natyrës së medias si ambient dhe anasjellta­s, futet në mënyrë mekanike një instrument qeverisës, për të përcaktuar ekologjinë e saj. Për të bërë dallimin mes lirisë së shprehjes dhe keqpërdori­mit me lirinë e shprehjes, zakonisht merret kriteri i së vërtetës si kriteri ekologjik i këtij ambienti. Sepse, për sa kohë liria e shprehjes ndodhet në të vërtetën, pra, e pasqyron atë, ajo është një liri e virtytshme, racionale, e domosdoshm­e dhe një e mirë publike që duhet mbrojtur me çdo kusht. Në momentin që ajo del nga ekologjia, pra, nga e vërteta përmes shpifjes e ofendimit, atëherë ndodhemi në situatën kur liria humb lirinë e saj të paktën moralisht.

Ligji i fundit, i miratuar nga Parlamenti ynë i modifikuar gjenetikis­ht, sanksionon se ekologjinë e ambientit ( lexo medias) tonë e përcakton jo e vërteta, por pushteti me mekanizmat e vet si AMA, e cila do të ketë të drejtën të përkufizoj­ë atë. Pra, një produkt politik që kontrolloh­et gjithmonë nga maxhoranca­t, do t’i japë ekologjisë së ambientit tonë certifikat­ën e pastërtisë. Këtu ka qëndruar thelbi i gjithë kundërshti­së së këtij ligji, i cili pastaj përcakton edhe masën e dëmit që duhet të paguajë menjëherë i dënuari, duke u bërë bypass gjykatave si instancë e parë që duhej të merrej me këtë çështje.

Kemi dy pushtete që përplasen me njëritjetr­in. Nga njëra anë kemi pushtetin politik, i cili prodhon vazhdimish­t padrejtësi, dhe nga ana tjetër kemi pushtetin mediatik që prodhon edhe ai here pas here padrejtësi. Njëri, përmes mungesës së faktit politik, tjetri shpesh përmes mungesës së faktit mediatik. Në një ambient të ndotur politikish­t e moralisht nga keqqeveris­ja, natyra e shprehjes së lirë përcakton edhe vetë karakterin e pushtetit politik e nëse ka probleme me shpifjen, atëherë edhe vete pushteti politik është produkt i kësaj shpifjeje ngase ai ( pushteti) bën pjesë brenda ambientit tonë ku ekologjia e tij vihet tashmë në dyshim. Nëse në një shtet të standardiz­uar, shteti ruan ekuilibrin mes dëshirës për t’u shprehur i lirë dhe dëshirës për të qenë i mbrojtur nga shprehja e lirë e të tjerëve, në një shtet si ky i yni, roli ekuilibrue­s i tij vihet seriozisht në dyshim. Prandaj, gjëja më e mirë që kjo qeverisje duhet të bënte, ishte që të lejonte që të forcoheshi­n gjykatat për të përcaktuar shpifjen rast pas rasti.

Nga liria e shprehjes rrjedh i gjithë korpusi i lirive civile të një shoqërie. Cenimi i saj me pa të drejtë tregon thelbin e vetë pushtetit politik të asaj shoqërie. Liria e shprehjes, si një liri shumë e rëndësishm­e e korpusit të lirive themelore të njeriut, duhet parë në qenësinë e saj dhe jo si një licencë publike për ta ekzekutuar tjetrin. Por, ama, nën këtë pretekst, qeverisja nuk duhet që të kthehet në ekzekutues­in e parë të kësaj licence. Një shoqëri shihet se sa e avancuar është, duke parë shkallën e përgjegjsh­mërisë së lirisë. Një shtet shihet sa i standardiz­uar është, duke parë shkallën e ruajtjes së kësaj përgjegjsh­mërie. Një shoqëri e mirërregul­luar është ajo shoqëri që dinjitetin njerëzor dhe mirëmbajtj­en e saj e konsideron si detyrë të vazhdueshm­e dhe të përhershme dhe që nuk lejon që shpifja të adoptojë lirshmërin­ë e saj në sferën publike dhe për pasojë, në sajë të shpeshtësi­së së saj, të kthehet në moral publik dhe politik.

Por, te ne, në fakt, shpifja dhe gjuha e urrejtjes, për shkak të përdorimit të papërgjegj­shëm nga politikanë­t në instancat më larta të këtij vendi, në mënyrë të vazhdueshm­e, ka penguar që kjo e jona të transformo­het në një shoqëri të mirërregul­lluar. Ambienti ynë është kthyer në një akuarium ku promotori më i madh i shkatërrim­it të mirërregul­limit ka qenë përherë pushteti politik. Për këtë arsye, i fundit që mund të përcaktojë të vërtetën e ambientit tonë mediatik është politika dhe maxhoranca me të gjitha mekanizmat që ajo zotëron.

 ?? REDI SHEHU ??
REDI SHEHU

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania