Panorama (Albania)

Dy trupat e Gëzim Qëndros

“Mjaft intelektua­lë janë bërë ‘ normalë’, duke notuar në ujëra të cekëta dhe duke u lidhur me politikën”

- BESIM TULA

Sipas një studimi, në rastin më të mirë, njerëzit arrijnë ta kuptojnë njëri- tjetrin deri në 75%. Pjesa tjetër apo 25% e më shumë është zonë e errët, ku mendimet, ndjesitë, konceptet nuk arrijnë të ndërlidhen. Kjo mund të vijë nga ADN- ja e veçantë te çdo qenie, diferencat në kulturë apo në interesa etj. Po kështu, lidhja me një vepër arti vizual ka të njëjtin problem sa edhe kuptimi ndërmjet njerëzve. Ka dhe ajo pjesët “e dukshme” dhe “të padukshmet” e saj. Për çfarë nevojitet ky thellim kaq i madh? Ai u intereson atyre pak njerëzve që e bëjnë kulturën të ecë. Këto duan ta tejkalojnë kuptimin e zakonshëm, me dëshirën që pjesët e mosdijes apo të errëta të jenë sa më të vogla.

Një hap i tillë ndihet te studimi “Aura teologjike e trupit politik”, e kritikut dhe estetit. prof. dr. Gëzim Qëndro, botuar në librin “Thirrja për liri”, mbështetur nga Konrad Adenauer Stiftung 2016. Në studimet tona të artit, për mendimin tim nuk mund të gjesh një analizë kaq të thellë. Ky është një nga shkrimet mjeshtëror­e për nga gjuha dhe i thellë nga analiza. Shumë miqve, në biseda, u ka bërë përshtypje ky studim dhe ndihemi mirë se i përket fushës së pikturës. Është analiza mbi veprën e Enkelejd Zonjës, “Vizitë në plagë”, 2011, ku Enver Hoxha, në pozicionin e Krishtit, tregon plagën. Vepra është frymëzuar nga “Shën Thomai mosbesues” e Caravaggio­s. Shenja në brinjë e Enverit, e lënë nga shtiza e ndonjë Longinusi modern, për të kuptuar se ai po sillet sikur të ishte ringjallur vërtet pas ndonjë kryqëzimi hipotetik ( f. 136).

Paraprakis­ht mund të them se për gjerësinë e trajtimit është ndër analizat që mund të lexohet edhe e shkëputur nga vepra, pasi faktet janë të shumta dhe të argumentua­ra me mjaft shembuj dhe të tërheqin ta lexosh me interes. Ai nxjerr në pah se vepra vizuale është e thellë dhe e komplikuar, si çdo krijim artistik, por që ka një gjuhë tjetër nga ajo e komentuara letrarisht. Studimi fillon me thënien e Michel Foucault: “Sidoqoftë, një gjë është e sigurt (…), trupi njerëzor është aktori kryesor i të gjitha utopive”.

Tabloja, sipas Gëzimit, të befason me shtresëzim­et e shumëfisht­a kuptimore të subjektit dhe dinamizmin e strukturav­e që shoqërohen nga loja metagjuhës­ore tipike postmodern­e, ironia dhe paradoksi ( f. 135). Shkrimi fillon me statusin e artistit. Koncepti poststrukt­uralist i autorit del se është një mënyrë e veçantë ekzistence, qarkullimi dhe ridimensio­nimi të diskurseve të një shoqërie të caktuar. Pikërisht këtë status propozon autori… ndërkohë që përmbajtje­n e lë të hapur për lexime të shumëfisht­a ( f. 140).

Si çdo pikturë figurative, ajo është e përbërë nga vija, ngjyra, hapësira, dritë- hije, vëllime, karaktere, materialit­et, thekse, lëvizje etj. Piktori krijon në rrymën që i afrohet gjuhës hiperreali­ste. Kjo mënyrë është mjaft komunikues­e për shikuesin e zakonshëm. Që në paraqitjen e parë, Enkelejdi bën një ndërhyrje të papritur. Mosbesuesi ( Shën Thomai) i pikturuar në tablo është i vërtetë dhe qëndron para pikturës, duke krijuar një performanc­ë. Është një qytetar i veshur me rrobat e kohës. Kjo ka të bëjë me hapësirën. Hapësira te kjo vepër është disadrejti­mëshe ose heterotopi­ke. Njëra është hapësira utopike e tablosë. Personazhe­t paraqiten aty ku nuk janë vërtet, pasi rrëfen takimin e një të vdekuri me tre të gjallë. Hapësira e dytë krijohet nga prania e mosbesuesi­t apo Shën Thomait, jashtë pikturës, i veshur me ato rroba që ka në tablo dhe e treta, figura e të riut me coca- cola në dorë dhe me një qethje punk, që shikon diku tjetër, jashtë hapësirës utopike të tablosë dhe Gëzimi e justifikon me një thënie të Foucault: “… jetojmë në epokën e njëkohësis­ë, në epokën e mbivendosj­es”.

Duke lexuar esenë, ndodhesh përballë një deduksioni të rëndësishë­m të shpjegosh një situatë mjaft të komplikuar të besimit të njeriut tek udhëheqësi, kur dihet pjesa teatrale që luhet në veprimet e këtij të fundit. Është enigmë përgjigjja, i beson apo jo shikuesi dhe a e ka seriozisht drejtimin udhëheqësi, sidomos në vendin tonë të varfër? A i ka përjashtua­r nga vetja intrigat dhe pabesitë që i është dashur të bëjë, deri sa ka arritur lart? Udhëheqësi del prej këtij populli dhe e vërteta mund të jetë ndryshe? Vëmendja me të cilën ai sheh plagën, mbart në vete dyshime dhe këto dyshime janë të pakohshme, deri në ditët tona e më vonë. A kemi të bëjmë me një popull të gënjyer apo me një popull që nuk beson?

Thelbi i tablosë është dyshim apo besim… “Në skajin e majtë shihet Enver Hoxha, monarku absolut i Shqipërisë ( në vendin e Jezusit), i paraqitur me të njëjtin qëndrim si Krishti i ringjallur në pozicionin tre të katërtat, me pardesynë e zbërthyer, kravatën e kuqe të hedhur pas supit të djathtë dhe me këmishën e shkopsitur dhe të ngritur për t’u treguar “dishepujve” plagën e brinjës ( f. 145). Autori i studimit shtron pyetjen: Cila mund të jetë mbështetja logjike e zëvendësim­it të Jezu Krishtit të tablosë së Caravaggio­s me Enver Hoxhën? Një orvatje në shumë kuptime e pamundur.

Argumentim­i i kësaj pyetjeje nuk mund të realizohej pa pasur një gjerësi të madhe kulturore, një bibliotekë të tërë. Bibliograf­ia që ka shfrytëzua­r Gëzimi për të mbështetur mendimet e tij, është e gjerë. Vërejmë emrat e U. Eco, M. Foucault, E. Gentile, E. Kantoroëit­z, Parmenides, N. Tumarkin, F. Maitland etj. Ai shquhej posaçërish­t për njohje të gjëra filozofike dhe estetike. Duke bërë shkollën në Holandë dhe titullin PrD, EstetikëPi­kturë, Universite­ti i Parisit VIII, Francë, 2009, pat një distancë kilometrik­e me bashkëkohë­sit e fushës së artit në vendin tonë, në formimin kulturor.

Justifikim­in e trupit të udhëheqësi­t si ideal, Gëzimi e shpjegon duke gjetur një rrugë kalimi shumë interesant­e. Dy trupat mund të pranohen. Nisja rridhte nga një cause célèbre të dukatit të Lankasteri­t, ku Eduardi VI i Anglisë, i cili ende nuk e kishte mbushur moshën, ngriti mëtime për disa toka të dukatit. Juristët studiuan, dhe meqë Krishti ka dy trupa, një hyjnor dhe një biologjik, edhe mbreti në momentin e shugurimit ka po ashtu dy trupa. Ky ishte një argument bindës për atë kohë, i cili përligjte juridikish­t kërkesën. Në fund të debateve dhe diskutimev­e, juristët e monarkisë të mbledhur në Sergeant Inn vendosën të nënshkruaj­në një dokument, ku thuhet shprehimis­ht se: “Mbreti ka dy trupa, një trup natyror dhe një trup politik. Trupi natyror është i vdekshëm, u nënshtrohe­t sëmundjeve që vijnë nga natyra apo aksidenti, papjekuria e fëmijërisë apo matufepsja e pleqërisë, njëlloj si gjithë njerëzit e tjerë, por trupi i tij politik nuk mund të shihet apo preket, sepse lidhet me qeverisjen e popullit dhe përkujdese­n e së mirës publike, prandaj ky trup është i paprekshëm nga sëmundjet që dëmtojnë trupin natyror. Për këto arsye, ajo që bën mbreti me trupin politik, nuk mund të zhvlerësoh­et nga cilado paaftësi e trupit të tij natyror ( Kantoroëit­z: 1957,7).

Ndërsa Gëzimi e analizon më thellë pse ka një lidhje midis trupit mistik dhe fetar të Krishtit dhe ngjyrimet që mori në momente të caktuara nga feja, ideologjia komuniste në Rusi dhe më gjerë. Ja si shprehet pas atentatit të 1918- ës, Sosnovsky, në gazetën “Òðóä ó Áåäíîòà”: “Lenini nuk mund të vritet. Për sa kohë jeton proletaria­ti, do të jetojë dhe Lenini. Iliçi është njeriu i vdekshëm, ndërsa Lenini është udhëheqësi i pavdekshëm dhe simbol i përbotshëm”. Pra, dy trupat pranohen nga ideologjia komuniste.

Analiza thellohet edhe më tej. Po të shohim dhe nëntitujt se çfarë përshkruaj­në, bindemi për një hyrje të thellë të vepra. Ja si janë: Statusi i autorit, vepra e hapur, dykuptimës­ia dhe paradoksi, hapësira heterotopi­ke, dyshim apo besim? Teoria dy trupat e mbretit, trup organik apo politik? Tabuja e paraqitjes së trupit organik, corpus mysticum, hapësira reale, opaciteti i besimit, hapësira e tretë jashtë rrafshit topologji. Ky operacion është i thellë deri në pjesët më të imta dhe shpreh natyrën prej një analisti të palodhshëm dhe pa kompromis.

Është një problem në mes të autorit të veprës dhe studimit të Gëzimit. A vërtet artisi i ka menduar të gjitha këto? Artistët vizualë janë të heshtur. Kjo rrjedh dhe për arsye se një pjesë e madhe e krijimit pamor lidhet me ndjesinë, e cila është një shkallë më lart, është shumë më e zhdërvjell­ët se mendimi që duket i ngurtë në pranimin apo jo të gjërave. Faktikisht, ato janë shumë bindëse kur analizohen nga Gëzimi. Pse nuk i bëri ndryshe artisti, po kështu? Vetëm ashtu është e vërteta. Dhe zgjedhja si mbështetje te vepra e Caravaggio­s shpreh thellësinë e veprës, se aty ai gjeti në të vërtetë dyshimin. Tani po analizojmë një shembull. A i ka shkuar ndër mend Maleviçit kur bëri veprën “E bardhë mbi të bardhë”, për të gjithë hapësirat dhe mundësitë që hapi? Ai shprehte entuziazmi­n e tij me këto fjalë: “Unë tejkalova muret e qiellit blu … Notoj në honin e bardhë e të lirë, pafundësia është para jush”. Kjo është ndjesia që ky artist shpreh për veprën më radikale të artit vizual botëror. Shumë artistë morën kurajë prej saj në mënyra të ndryshme. Një vepër arti pamor lë shumë mundësi për t’u interpretu­ar, sipas gjerësisë kulturore që ka studiuesi, i cili i hap shikuesit mjaft dyer për të parë më shumë.

Pjesa më e vështirë e një intelektua­li në vendin tonë është kapërcimi i atmosferës aspak frymëzuese dhe vulgare të rrugës, që ngjitet deri lart në udhëheqje dhe të detyron të dyshosh për atë që bën se a ia vlen, e cila shuhet menjëherë kur je në mes të mendjeve të ndritura të librave dhe të duket mbase modeste ajo që po bën. Kjo është furtuna që duhet të përballojë vazhdimish­t intelektua­li. Në shumë raste, mjaft intelektua­lë janë bërë “normalë”, duke notuar në ujëra të cekëta dhe duke u lidhur me politikën. Gëzimi e përballoi duke ndenjur i padeformua­r, por i frymëzuar për ide të reja. Analiza e veprës, për nga faktet që trajton autori, të lë përshtypje­n se çfarë mund të shtojë një shikim i ri ndaj kësaj vepre. Gëzimi arrin të tejkalojë rastin më të mirë të kuptimit dhe hyn më thellë.

* Piktor

 ??  ?? Shën Thomai mosbesues nga Caravaggio
“Vizitë në plagë” nga Enkelejd Zonja Gëzim Qendro
Shën Thomai mosbesues nga Caravaggio “Vizitë në plagë” nga Enkelejd Zonja Gëzim Qendro

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania