Panorama (Albania)

Gërmadhat pas tërmetit, nis vjelja për skrap

Adoleshent­i: Kam lënë shkollën para tri vitesh, kërkoj hekur

-

Gërmadhat e shtatë pallateve që u shembën nga tërmeti i 26 nëntorit në Lezhë janë kthyer në ambiente kërkimi për skrap. Një 15- vjeçar nga Miloti, i cili nuk do të identifiko­het nga frika e Policisë, është shprehur për "Panoramën" se udhëton çdo ditë drejt Laçit në kërkim të skrapit në gërmadhat e 7 pallateve, që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit dhe u shembën. Minoreni, i cili e ka braktisur shkollën rrezikon çdo ditë jetën mes grumbujve të betoneve dhe makinerive të rënda, që po punojnë për largimin e inerteve. "Jam nga Miloti dhe që prej shembjes së pallateve vij këtu çdo ditë, duke kërkuar për skrap. Futem nga ana fundore fshehurazi Policisë, sepse po të na shohin nuk na lejojnë. I kanë shoqëruar në Polici disa shokë të mi, të cilët i kapën duke kërkuar për skrap 1 ditë më parë", thotë ai. Ai shton më tej se është i detyruar të hyjë mes gërmadhave për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjen e tij. "Unë e kam lënë shkollën prej 3 vitesh dhe në vazhdimësi kërkoj për skrap në zona të ndryshme përreth Kurbinit. Jam i detyruar për të siguruar sadopak të ardhura për vete dhe familjen, pasi jetojmë në varfëri. Të njëjtën gjë bën edhe vëllai më i madh dhe babi. Me këtë punë sigurojmë sadopak të ardhura", shprehet 15- vjeçari. Gërmadhat e mbetura nga shembja e pallateve janë kthyer në një vend punësimi për mbledhësit e skrapit jo vetëm nga Laçi, por edhe zona të tjera. Janë të moshave të ndryshme, mes tyre edhe gra, por asnjëri prej tyre nuk do të identifiko­het dhe sapo shohin prani të mediave apo të Policisë, largohen. Ata janë të vetëdijshë­m për rrezikun që u kanoset mes këtyre gërmadhave, por e shohin këtë vend si një burim të mirë për të nxjerrë skrap dhe nxitojnë sa të jenë pa u larguar inertet. "Kam ardhur nga Shkodra këtu. Po rri gjatë 24 orëve për të grumbullua­r skrap. Rri me shumë frikë se po të na shikojë Policia, nuk na lejon. Gjej rastin sa të largohen dhe i përvishem punës, kryesisht gjatë natës, ku është errësirë dhe nuk biem shumë në sy", thotë një burrë nga Shkodra. Shembja e pallateve në qytetin e Laçit ka krijuar tonelata inertesh. Mjetet e rënda punojnë 24 orë për largimin e tyre, ndërsa të gjitha inertet po dërgohen në Porto Romano të Durrësit. Premtimi i autoritete­ve ishte se zonat do të pastrohen brenda javës që lamë pas, por kjo nuk ndodhi. Në këtë zonë të Laçit ka ende shumë punë për largimin e inerteve e për sa kohë aty do të ketë inerte, mbledhësit e skrapit nuk do të mungojnë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania