Panorama (Albania)

Nuk i dha lekë për të blerë drogë, i djeg makinën nënës

Policia e Vlorës arreston 23- vjeçarin. U zbulua nga kamerat

- XHENTILA GJOSHI

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dy ditë më parë në qytetin bregdetar të Vlorës, ku djali është vënë nën akuzë për djegien e makinës së nënës së tij.

Ngjarja është shënuar orët e para të së hënës, ndërsa dje është vënë në pranga autori i ngjarjes. Sipas burimeve të Policisë së Vlorës, në pranga është vënë shtetasi K. K., 23 vjeç. Ai akuzohet se ka djegur në mënyrë të qëllimtë makinën e nënës së tij, A. K. Shkaqet për këtë ngjarje, Policia thotë se janë banale. Nga burimet mësohet se gjithçka kishte ndodhur pas një konflikti mes nënë e bir.

NGJARJA

23- vjeçari K. K. mësohet se ishte një përdorues i lëndëve narkotike dhe ky është shkaku për ngjarjen e mëngjesit të 23 dhjetorit. Fillimisht, Policia tha se djegia e makinës tip "Renault" i shtetases me inicialet A. K. ka ndodhur aksidental­isht. Ajo ndodhej e parkuar poshtë pallatit ku banonte shtetasja e mësipërme, ndërsa autori u zbulua dy ditë më vonë. Burimet theksuan se pas ngjarjes u morën dëshmitë e gjithë familjarëv­e të kësaj familjeje, ndërsa u dyshua në fjalët e 23- vjeçarit. Pas disa orësh marrje në pyetje, K. K. nuk ka mundur ta mbajë dot "sekretin". Sipas burimeve, ai ka treguar që ia ka vënë vetë flakën makinës së nënës së tij, pas një konflikti që kishin kaluar bashkë për çështje parash. Ndërkohë, nëna e tij mësohet të jetë shprehur se djali i ka kërkuar para për të blerë lëndë narkotike, pasi ishte një përdorues i saj.

DJALI

23- vjeçari nuk e ka përjetuar aspak mirë këtë ngjarje, i cili ka kërkuar ndjesë ndaj nënës së tij. "E bëra sepse nuk më dha paratë që i kërkova", mësohet të jetë shprehur i riu gjatë dëshmisë së tij në Polici. Ai pritet të dalë ditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, ku do të njihet me masën e sigurisë personale.

 ??  ?? Makina e djegur
Makina e djegur

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania