Panorama (Albania)

LDK e VV: “Negociatat për bashkëqeve­risje vazhdojnë”

Mustafa: “Gjithçka nis nga fillimi, mund të kalojmë edhe në opozitë”

-

Procesi drejt formimit të qeverisë së re të Kosovës ka hedhur hapin e parë me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetar­ëve, duke ia lënë radhën tashmë Presidenti­t Hashim Thaçi, i cili duhet të thërrasë fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, për mandatin e formimit të qeverisë. Kushtetuta saktëson se Presidenti i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeminist­ër, në këtë rast, Albin Kurti, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës, dhe kërkon miratim nga Kuvendi. Sipas Kushtetutë­s së Kosovës, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti emëron kandidatin tjetër brenda dhjetë ditësh. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, Presidenti shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre. Pas seancës së Kuvendit, ambasada amerikane në Kosovë uroi Glauk Kunjofcën dhe kërkoi sa më shpejt formimin e Qeverisë. Kreu i LDK- së, Isa Mustafa, pas “surprizës” që mori për Kryeparlam­entarin, nuk i ka mbyllur rrugët për vazhdimin e negociatav­e me VV- në. “Jo se ne kemi ndonjë nevojë të veçantë apo të domosdoshm­e që të bashkëqeve­risim, por sepse qytetarëve të Kosovës iu duhet një qeveri. Por, në asnjë rast, nuk do të lejojmë që LDK- ja të nënçmohet”, ka thënë ai. Mustafa shtoi se “Ne kemi thënë që do të pranojmë se do të heqim dorë nga secila ministri e jona, por vota jonë pastaj lidhet me një program qeverisës, me sigurinë qeverisëse, që ajo qeveri të udhëhiqet mirë dhe mbi të gjitha duhet të komunikojm­ë”. Në KTV, Mustafa tha se sa për kreun e Kuvendit, situata ka qenë ndryshe, meqë si parti e parë VV- ja e ka pasur të drejtën kushtetues­e ta propozojë kryetarin. Për shkak të kësaj situate,

Mustafa tha se gjithçka do të nisë nga fillimi me Vetëvendos­jen, pasi marrëveshj­et e kryera deri tani për ndarjen e kompetenca­ve nuk u respektuan. “Duhet të bëhet marrëveshj­e e re lidhur me përgjegjës­itë, por ka nevojë edhe te programi qeverisës... Çdo gjë është e hapur, edhe mundësia që të dalim në opozitë, ta bëjmë një opozitë shumë të mirë, të suksesshme”, tha kreu i LDK- së. Por si fillim do të vazhdojnë negociatat. Edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendos­je, Albin Kurti, tha se do të ketë takime të tjera me Mustafën. “Do t’i kalojmë pengesat dhe do të kemi qeveri të re, ashtu siç patëm Kuvend të ri. Jemi në kontakt të rregullt. Sigurisht që do të kemi takime, bashkëpuni­m e takime”, tha Kurti.

 ??  ?? Isa Mustafa, kreu i LDK- së
Isa Mustafa, kreu i LDK- së

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania