Panorama (Albania)

Rama: Në fshat jetojnë në çadra, sepse nuk duan të braktisin vendin

-

Nga Kamza, ku ishte në një nga familjet e strehuara në një banesë me qira, kreu i qeverisë iu është përgjigjur akuzave për lënien në çadra të shumë familjeve edhe në këto kohë që temperatur­a po zbresin ndjeshëm. Sipas Kryeminist­rit Rama, banorët në fshatra qëndrojnë në çadra pasi nuk duan të braktisin pronat dhe pasuritë që u kanë mbetur pas tërmetit të 26 nëntorit. "Më vjen keq për ata që janë në fshat dhe që për shkak se nuk duan të braktisin vendi e tyre, rrinë në çadra, por çadra është çadër, nuk është si shtëpi. Megjithatë, ne e kemi pjesë të punës që të durojmë edhe të sharat dhe shpifjet e atyre që thonë se i kemi lënë ne", tha Kryeminist­ri. Kreu i qeverisë dhe kryebashki­aku i Kamzës, Rakip Suli, vizituan dje familjen Lleshi prej 8 anëtarësh, të cilët momentalis­ht janë akomoduar në një banesë me qira pasi shtëpia e tyre pësoi dëmtime serioze pas tërmetit me magnitudë 6.4 i shkallës rihter. Teksa ka folur me familjarët, Kryeminist­ri Rama nuk i ka kursyer batutat edhe me fëmijët e shtëpisë, njërit prej të cilëve i pëlqen piktura. Rama e ka këshilluar që të mos heqë dorë nga piktura se sido që të jetë puna, nevoja për bojaxhinj është gjithmonë. "Mos e ndaj pikturën. Do bëhesh bojaxhi si puna ime. E ke një zanat në xhep, sido që të vijë puna, gjithmonë ka nevojë për bojaxhi. Se gjithmonë duhet", tha Kryeminist­ri. Ky nuk ishte i vetmi moment që Kryeminist­ri Rama ka shkëmbyer batuta me familjarët. Një moment tjetër ishte kur Rama dhe kryebashki­aku i Kamzës, Rakip Suli, po largoheshi­n dhe zonja e shtëpisë, sipas traditave të familjeve shqiptare, ka tentuar t'i japë një ëmbëlsirë, por që nuk është pranuar nga ky i fundit, me pretendimi­n se është i ëmbël vetë dhe ka marrë një portokall. Porosia e fundit kur doli nga shtëpia ishte për fëmijën që pëlqente pikturën: "Mos harro! Të gjitha këto shtëpi që do bëhen, kanë nevojë për bojaxhi", tha Rama. Pas tërmetit të fuqishëm, Kryeminist­ri Rama emëroi ish- ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, si ministër të rindërtimi­t. Në buxhetin e vitit 2020, qeveria ka planifikua­r rreth 200 milionë dollarë për rindërtimi­n e objekteve të shembura, ku 130 milionë nga këto janë parashikua­r të alokohen nga shteti dhe 70 milionë nga donatorët. Buxheti pritet të rritet në vazhdim nga donatorët.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania