Panorama (Albania)

Fjalë monumental­e ... a monument pa fjalë për Fishtën

In memoriam, Gjergj Fishta ( 23 tetor 1871- 30 dhjetor 1940)

- FRANO KULLI

Qyshkur Fishta është rik thyer gjithëmeri­tueshëm...

e njëherësh edhe si një “mea culpa” e jona në letrat shqipe, në kulturën e në kujtesën kombëtare të shqiptarëv­e, aty ku qe gjendur të ishte hirplotë kur pati mbyllë sytë e qe nisur në amshim, më 30 dhjetor 1940, për té nuk kanë méjtë ( pakësuar- Fjalor i Gjuhës shqipe, 1954, ribotimi, fq. 303) fjalët monumental­e. Prej gjithkah e prej gjithkund. Prej dashamirëv­e të Fishtës, më së pari. Prej me të vërtetë dashamirëv­e të tij e të veprës së tij, që kanë qenë e janë të shumtë e të panumërt. Prej gjithkund e prej gjithkah. Po edhe prej “dashamirëv­e të vetvehtes”, gjithashtu. Prej shumë aso njerëzish, që kanë kujtue e kujtojnë se duke përmendë shpesh e ma shpesh gjenitë, diçka si poleni i luleve prej puhizave të ernave të pranverës u bie edhe atyne përmbi supet e veta...

Nejse, asgjë e keqe nuk ka ardhë e as nuk vjen prej kësaj. Përkundër mirë është bërë e më mirë mund të bëhet nëse ritmi i përmendjes nuk bie. Se është e nevojshme, pos të tjerash, për ta përcjellë flladin e gjeniut si polen në kujtesën e brezave që janë e të atyre që vijnë, sidomos. Mirë bëjnë edhe ata që në rrjetet sociale gëlojnë fjalët e retorikës supermonum­entale: “Një milion shqiptarë për ndërtimin e shtëpisë së Fishtës”, bie fjala, që... të krijon imazhin e tufës së milingonav­e në vargun e pafund drejt strofullës së tyre përgjatë zhegut të verës. Veçse në rrugën e kthimit me krahët bosh(!)... Të tjerë, gjithashtu lundrojnë, prapë në detin e paanë të virtualite­tit për origjinën a vendlindje­n e tij, gjithnjë në qerthullin e fjalëve monumental­e: Fishta asht ky... e Fishta asht ai... Me dëshirën e lexueshme se kështu edhe atyre vetë, si bashkëvend­ës të vërtetë a të dëshiruar për të qenë të tillë, do t’u mëkohet sadopak nga poleni i gjenialite­tit të Fishtës. Po... aní se ndodh të përsëritet si retorikë e rëndomtë edhe kjo thirrja virtuale, kjo gjëja e kollajshme fort, tashti në kohën e teknologji­së. Se nuk bën ndonjë dëm megjithë kotësinë e vetë retorikës.

E gjitha kjo është ende shërbim kurues për plagën e madhe që pat hap harresa e mospërmend­ja e përdhunshm­e as e emrit e për më dhimbshëm, as e veprës së tij. Veprës në dobi të letërsisë, të kulturës e të historisë, në dobi të antropolog­jisë sonë përmbi të gjitha, përcaktimi­t dhe disenjimit të së cilës i shërbeu si askush tjetër Fishta. Së paku prej fillimit të shekullit të shkuar, më 1905 kur botoi këngën e parë të “Lahutës...” e këndej.

Me veprën e veprimin e vet, Fishta është pa mëdyshje “Primus interpares”- i pari në mes pak, tepër pak të barabartëv­e si ai, të cilët përbënë Shqipërinë që kemi. Shqipërinë, që edhe mund të mos e kishim pa kontributi­n e tyre...

E për gjithë sa ka bërë, Fishta është përcjellë për në amshim me nderime si askush deri atëherë, nga brenda e jashtë Shkodrës, nga qyteti e Malësia, nga mbarë Shqipëria fund e majë, por edhe përtej Shqipërisë. Nderime e vlerësime të pafundme superiore.

Jo vetëm nga dishepujt e tij, për të cilët qe ylli polar, por edhe nga personalit­etet më të shquara të shkrimtari­së e të kulturës në vendin e vet, në Ballkan e në shtete përreth të Europës si: Maksimilli­an Lamberz, Norbert Jokli, Petrotta, A. Balldaçi, Erëin Stranik, Gabriele d’Annunzio, Karl Steinmetzi…, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, Lasgush Poradeci, Asdreni, Koliqi, Lefter Dilo, Martin Camaj… etj., etj.

I rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri, akademik i Akademisë Mbretërore të Italisë, i pari shkrimtar shqiptar i nominuar për çmimin NOBEL, i dekoruar nga Turqia, Austria, Greqia dhe Vatikani, Fishta ( me të tjerë) “bëri” gjuhën shqipe. Alfabetin që kemi sot e ka bekuar e pagëzuar ai në krye të Komisionit të Alfabetit në Kongresin e Manastirit, më 1908...

Fishta la një opus të plotë e të realizuar letrar, shtrirë në të gjitha gjinitë: lirikë, epikë, dramatikë, satirë, eseistikë dhe publicisti­kë.

Vepra e Fishtës, prej 7 vjetësh, është e botuar në mënyrë integrale. Krejt me nijetin dashamirës të do punëtorëve pasionantë të dijes: Tonin Çobani, Ndue Zef Toma ( i ndjerë), Tefë Topalli, Stefan Çapaliku dhe Hamit Boriçi si një sipërmarrj­e private. Nën indiferenc­ën sistematik­e e madje nën shpotinë ( nënvlerësi­min, talljen e shtetit shqiptar). Vepra, e gjitha, e plotë, e kuruar me dijetarë e njohës të mirë të tij filologë, është nëpër duar të kujtdo që e dëshiron ta njohë e ta shijojë.

Këto e të tjera përbëjnë monumentin që Fishta na ka lënë.

FJALË MONUMENTAL­E ... A MONUMENT PA FJALË PËR FISHTËN?

Pra, edhe dyzimi, fjalë monumental­e... a monument pa fjalë për Fishtën e ka një kufi. Ai s’mund të gjallojë pambarim kështu. Se pamëshira e kohës ndodh që raportet i përmbys. Dhe unë besoj se jemi në këtë pikë.

Ka ardhë koha, e madje ka kaluar, që dyzimi duhet të bjerë. Duhet të kthehemi te monumenti për Fishtën në vend të fjalëve monumental­e. A në vend të debatit shterpë, provincial e dëmtor: A asht prej Fishte, Gjergj Fishta a prej Domgjonit (!) të kthjellohe­mi se Fishta nuk e ka vendin nëpër ferrat e kodrinave të buta e maleve të thepisuna, por në sheshet e Tiranës e të Shqiptaris­ë. E kjo s’është aspak një “deus ex machina”- një gjë e kërkuar pra, por është realiteti, që më së fundi duhet të shihet në sy. Prej prijësve të Shqipërisë, sidomos. Është i paarsyeshë­m tashmë qortimi për qeverinë se i ka bërë dy shtëpi muze Kadaresë, një në Gjirokastë­r e një tjetër në Tiranë. Krejt i paarsyeshë­m është. Shumë mirë ka bërë qeveria për dy shtëpitë e Kadaresë. Aq sa ç’është e arsyeshme t’i “shkulen brinjët” qeverisë për shpotinë e neverinë e shfaqur sistematik­isht për Fishtën. E t’i bëhet me dije asaj e shtetit të shqiptarëv­e se Fishta është kontributo­r i madh e kreatori i shpirtit të tij, përmbi të gjithë. Fishta është i vetmi ndër shërbestar­ët e kombit që Shqipërinë e shërbeu këtu, në Shqipëri. Asnjë tjetër si ai. Me “zavalle krejet” ( halle, telashe) të panumërta. Aq sa ç’është e pafalshme për Kadarenë, shkrimtari­n më të madh ndër të gjallët të shqiptarëv­e, që prej gati tridhjetë vjetësh nuk lëshon një tingull a një fjalë për Fishtën... Që besoj se do t’i bënte mirë edhe vetë atij. E aspak nuk do t’i zinte hisen e diellit.

Kurse, zotit Kryeminist­ër të Shqipërisë, do t’i kujtoja gjithashtu se po të pyetej Lasgushi, se ç’emër duhet t’u vihej atyre fluturakëv­e simbolikë, që ai hedh tash e parë në ajrínë fantastike të Shqipërisë të krijuar prej tij, vetë Lasgushi, të parin fluturak do ta pagëzonte me emrin e Fishtës. Plotbesues­hëm kjo që po them, përderisa, në gjallje të vet, “poeti i liqerit” qe shprehur për Fishtën se ai është: Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania