Panorama (Albania)

Sela: Mini- Shengeni është skandal, rrit ndikimin rus në rajon

-

Lideri i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela, e ka kritikuar shumë ashpër nismën për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas politikani­t shqiptar, në Maqedoninë e Veriut një nismë e tillë që nuk kalon përmes Prishtinës mund të konsideroh­et si një skandal i madh dhe që të gjithë shqiptarët i kanë lënë kokulur. Sipas Selës, duhet që çdo marrëveshj­e të ketë në fokus Kosovën, duke qenë se kjo e fundit ndodhet përballë një presioni dhe lufte shumë të ashpër nga Serbia për të mos u njohur më tej ndërkombët­arisht. Në një intervistë për gazetën kosovare, "Kosova Press", ai thotë se qëndrimi i faktorit politik në Prishtinë krahas kësaj nisme, duke refuzuar pjesëmarrj­en, është i drejtë, meqë ende ka plagë të pashëruara te shqiptarët. "Është skandal për faktorin politik shqiptar, pa marrë parasysh se ku jeton. Unë nuk duhet të them që duhet të bashkohemi fizikisht, por në qëndrime dhe ide duhet të jemi të bashkuar. Ndihem i zhgënjyer si çdo shqiptar që jeton në këtë botë, pasi këto veprime dhe deklarata të Kryeminist­rit të Shqipërisë i ka bërë shqiptarët të flasin me vete. Ne si aleancë për shqiptarët, çdo nismë rajonale duhet të shkojë nëpërmjet Prishtinës dhe jo nëpërmjet Tiranës, duke pasur parasysh që Kosova vazhdon të mos pranohet si shtet i pavarur dhe po përballet më një luftë të ashpër diplomatik­e", tha Zijadin Sela. Më tej, ky i fundit e cilësoi këtë nismë të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut si një hap pas sa i përket çështjes së ndikimit rus në Ballkan. Madje ai shkoi edhe më tej, teksa shtoi se Rusia tashmë ka shkuar në mes të Tiranës apo Shkupit përmes Serbisë. "Sapo kemi dalë nga një proces ngërçi, pasi bëmë marrëveshj­en me Greqinë. Kur u bë marrëveshj­a, ideja ishte që të largohej sa më shpejt influenca ruse nga Ballkani dhe në drejtim të kësaj, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut bënë kompromis edhe me veten tyre, në mënyrë që të arrihet ky qëllim. Këtë nismë rajonale të Mini- Shengenit unë e shikoj si një rritje të ndikimit rus dhe duket sikur po na ulet këmbëkryq në mes të Tiranës dhe Shkupit. Rusia vjen këmbëkryq në rajon nëpërmjet Serbisë", u shpreh politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania