Sulmi i parë në muajin korrik, Policia arrestoi autorin

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Ngjarja e parë kur u sulmua makina e Fatos Lubonjës, ndodhi më 1 korrik, në rrugën "Emin Duraku", në Tiranë. Rreth orës 13: 30, në rrugën "Medar Shtylla", disa banorë të zonës kishin denoncuar në Polici se një person me thikë në dorë po i kërcënonte. Policia është vendosur në lëvizje për arrestimin e tij, ndërsa në momentin që tentonte të largohej, në rrugën "Emin Duraku", Arben Hackaj ka thyer me gurë xhamin e makinës së Lubonjës. Ai nuk është mjaftuar me kaq, pasi kur ka shkuar në shtëpi ka dhunuar dhe kërcënuar me thikë edhe gruan, J. Hackaj, e cila e ka denoncuar. Policia e ka arrestuar, ndërsa mbi të rëndojnë disa vepra penale, dhunë në familje, shkatërrim të pronës, kanosje dhe prishje e qetësisë publike. Makina që dëmtoi Hackaj rezultonte në emër të Fatos Lubonjës, por përdorej nga vëllai i tij, Agim Lubonja. Ndërkohë, Policia dha edhe një njoftim në lidhje me këtë ngjarje, duke sqaruar se: "Në përgjigje të zhurmës mediatike që po bëhet për dëmtimin e xhamit të automjetit të zotit F. Lubonja, Policia e Shtetit sqaron se më datën 1 korrik 2019, shërbimet e Komisariat­it Nr. 2, pas marrjes së një njoftimi, u vunë në ndjekje të një personi që po kërcënonte me mjete prerëse disa kalimtarë. Në tentativë për t'u larguar, shtetasi A. H. theu me sende të forta xhamin e një mjeti të parkuar në hyrje të pallatit ku banonte. Agjentët arrestuan 50vjeçarin, nga Tirana. Ndaj tij bëri kallëzim për dhunë në familje edhe bashkëshor­tja, e cila deklaroi se ai vuante prej disa vitesh nga shëndeti mendor. Për dëmtimin e mjetit bëri kallëzim shtetasi A. L, vëllai i zotit F. Lubonja, i cili deklaroi se ishte përdoruesi faktik i automjetit, se agresorin e kishte fqinj dhe se ky i fundit kishte shfaqur probleme mendore. Materialet i kanë kaluar Prokuroris­ë për ' Dhunë në familje', ' Kanosje', ' Shkatërrim prone', ' Prishja e qetësisë publike' dhe ' Mbajtje pa leje të mjeteve prerëse, të dyshuara si armë të ftohta'", deklaronte Policia 6 muaj më parë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.