Panorama (Albania)

Tërmetet? Jo vepër e Zotit, as e natyrës, por e njeriut të korruptuar

( Një sprovë epistemolo­gjie në shërbim të studentëve të gazetarisë dhe për gazetarët e rinj... dhe për këdo tjetër të interesuar)

- ARTAN FUGA

1. Pse tërmetet bien “vetëm” në zonat e populluara urbane?...

2. Tërmetet i “shkakton” Zoti, Natyra apo njeriu?

3. Përse të pasurit dhe të pushtetshm­it e qyteteve nuk e “ndiejnë” tërmetin?

4. Përse kafshët dhe fiset e vjetra janë më të “sigurta” sesa njerëzit në qytet?

5. Përse njerëzit nuk largohen nga karakatina­t e dëmtuara nga tërmeti, duke rrezikuar jetët e tyre?

6. Përse njeriu më mirë “pranon” të vdesë sesa të braktisë laçkë e plaçkë?

* * * Si iu përvesh Rusoi Volterit lidhur me shkaqet e tërmetit të Lisbonës që me tri goditje disaminutë­she shkatërroi qytetin më 1 nëntor 1755?

Volteri shkroi poemën e tij të gjatë, “Mbi Katastrofë­n e Lisbonës”, dhe ia dërgoi Rusoit për mendim.

Rusoi iu përgjigj ashpër me një letër të gjatë, ku këtu do të gjenden vetëm disa pasazhe domethënës­e shqipëruar nga unë.

* * * Rusoi i shkruan Volterit në vitin 1756: “Të gjitha rezervat e mia drejtohen pra kundër Poemës suaj mbi katastrofë­n e Lisbonës, sepse kisha pritur prej saj rezultate më të denja humanizmi sesa ato që ju kanë frymëzuar...

... Unë nuk shoh dot se ku mund ta kërkoj gjetiu burimin e së keqes morale, veçse te njeriu i lirë, në përsosmëri­në e vet, megjithatë i korruptuar.

Kurse për sa u përket dhimbjeve fizike, nëse pranojmë që materia e ndjeshme nuk ndjen, atëherë biem në një kontradikt­ë logjike, sikurse më duket mua, dhimbjet fizike janë të paevituesh­me në të gjitha ato sisteme ku bën pjesë njeriu; kështu që çështja në këtë rast nuk do të ishte fare se përse nuk është i lumtur njeriu në mënyrë të përkryer, por përse ai ekziston.

Për më tepër, sikurse e kam shpjeguar tashmë, me përjashtim të vdekjes, e cila në vetvete nuk është një gjë e keqe, nëse përjashtoj­më parapërgat­itjet e njeriut për të, përgatitje që e paraprijnë atë, shumica e dhimbjeve tona fizike vazhdojnë të mbeten vepra jonë.

Pa dalë jashtë temës së Lisbonës, pranojeni, për shembull, që nuk ka qenë fare Natyra ajo që i mblodhi atje njëzet mijë ndërtesa me nga gjashtë a shtatë kate; nëse banorët e këtij qyteti do të kishin qenë shpërndarë në mënyrë më të barabartë ( në të gjithë territorin); do të kishin qenë strehuar në banesa të ndërtuara me materiale më të lehta, dëmi do të kishte qenë shumë herë më i pakët, ndoshta zero.

Gjithkush do t’ia kishte mbathur që me dridhjet e para të tokës, dhe gjithkënd do ta kishim parë të nesërmen nja njëzet milje më larg, aq të gëzuar sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Mirëpo, duke qëndruar me kokëfortës­i përreth karakatina­ve të tyre, duke u rrezikuar nga lëkundje të tjera tërmeti, sepse ajo që do të braktisej aty vlen shumë më tepër sesa ajo që do të mund të merrej me vete, sa e sa fatkeq vdiqën në këtë katastrofë sepse deshën të merrnin dikush veshjet e veta, dikush dokumentet e tij, dikush paratë që kishte mbledhur?

Ne dimë që statusi social ( personi moral) te çdo njeri fizik është bërë një përmasë që i përket më pak sesa të gjitha të tjerat këtij njeriu, aq shumë saqë pothuajse nuk ia vlen ta shpëtosh jetën e këtij njeriu kur ai ka humbur gjithçka tjetër.

Ju do të kishit dashur që tërmeti të kishte ndodhur më mirë në cep të ndonjë shkretëtir­e sesa ndodhi në Lisbonë. Mund edhe ta imagjinojm­ë që tërmetet nuk ndodhin kështu në shkretëtir­ë, por le të mos e hapim fare këtë temë, sepse tërmetet nuk u shkaktojnë asnjë dëm të fuqishmëve të qytetit, të cilët janë edhe të vetmit njerëz që ne fusim në llogari.

Këto tërmete ( në shkretëtir­a) u bëjnë po aq pak keq edhe kafshëve dhe fiseve të egra që banojnë të shpërhapur­a në këto vende të largëta, të cilat nuk kërcënohen as nga rëniet e çative, as nga shkrumbi prej zjarreve i shtëpive. Por, çfarë do të thotë një privilegj i tillë? Mos kjo do të na bënte të nxirrnim përfundimi­n që ligjet e botës duhet të ndryshojnë sipas tekeve tona?

Apo që Natyra duhet t’u nënshtrohe­t ligjeve juridike?

Apo që për ta ndaluar një tërmet të ndodhë në ndonjë vend, mjafton që atje të ndërtojmë një qytet?”.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania