Panorama (Albania)

“Turp”, Nexhmije Hoxha rrëfen për herë të parë sherrin me Ramizin pas rrëzimit të bustit Enverit

“Askush nuk më mori në telefon, asnjë nga anëtarët e Byr osë Politike a sekretarë të KQ, asnjë nga shoq et e shokët më të ngushtë”

-

“Përjetime dhe meditime në jetën time politike”. Kështu e ka titulluar librin e saj Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha. Teksa po kap një shekull jetë, Nexhmije Hoxha vijon të shkruajë e të botojë. Kësaj here, një libër prej gati 500 faqesh, ku Nexhmije Hoxha tregon për jetën e saj politike dhe personale, në krah të Enver Hoxhës. Në librin e saj, ajo tregon që nga njohja me Enverin, te vdekja e tij dhe tërheqja zvarrë e monumentit në 20 shkurt të vitit 1991. Që në krye të librit lexojmë një dedikim të Hoxhës: “Ua kushtoj me shumë dashuri, Pranverës, Teutës, Ilirit dhe familjeve të tyre”. Mungon emri i Sokolit, djalit tjetër të saj, me të cilin duket se ajo i ka prerë raportet përgjithmo­në. Mes shumë rrëfimesh kemi përzgjedhu­r një nga ato momente, që përveç saj nuk i di kush. Është reagimi pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, frika nga turmat që donin të digjnin vilën në Bllok, shpërndarj­en e familjes nëpër njerëz të njohur apo në Shtëpinë e partisë, braktisjen nga të gjithë shokët e “armëve” dhe përplasja me Ramiz Alinë dhe Adil Çarçanin, të cilët jo vetëm lejuan që monumenti të rrëzohej e të tërhiqej zvarrë nëpër Tiranë, por nuk treguan asnjë lloj interesi për 24 orë me radhë për familjen Hoxha. Për më tepër, rrëfen vetë Nexhmije Hoxha në librin e saj.

“Kur rrëzuan monumentin e Enverit” Refleksion Shkruar në burg, në 5- vjetorin e ngjarjes

20 shkurt 1996

Dy evenimente mbizotërua­n ditën e sotme dhe emisionet e televizion­it: dita e Bajramit dhe pesë vjetori i rrëzimit të monumentit të Enverit. Për Bajramin, gratë u veshën e u lyen, kënduan e kërcyen. Ishte për to ditë feste, kurse për mua ditë zie. 20 shkurti më dyndi valë e kreshta kujtimesh nga më të hidhurat e jetës sime. Kaq shumë i kam përjetuar ngjarjet e asaj dite, ditët e netët që e pasuan, dhe i kam shkruar nëpër mend në këta pesë vjet në vetminë time në burg, sa nuk jam e sigurt nëse i kam shkruar në letër apo i kam të shkruara dhe të pashlyera në kokë. Po i shënoj vetëm si kronikë, pa u ndalur në emocionet e mia dhe të njerëzve të familjes sime, sepse edhe vetë kujtimi i tyre më trondit.

Isha në zyrën time, nuk mbaj mend sa ishte ora, veçse ishte pak para drekës, kur erdhën dhe me thanë: “Shoku Ramiz tha të shkoni në sallonin e pushimit, të Byrosë Politike” ( ku anëtarët e saj pinin kafe në intervalet e seancave të mbledhjeve). U duk se isha thirrur vetëm për të asistuar dhe për t’u njohur me çfarë po ngjiste.

Aty ishin, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Kiço Mustaqi, Xhelil Gjoni, Sofo Lazri dhe dikush tjetër. Të gjithë ishim në dijeni të së ashtuquajt­urës grevë e urisë e studentëve, në Qytetin Studenti, për t’i hequr Universite­tit emrin e Enverit. Hekurani rrinte me një takli- valki në dorë e në vesh e vinte e njoftonte se ç’po ngjiste jashtë. Erdhën e njoftuan një grup grash me në krye të shoqen e Abdi Baletës, ishin ngulur para Presidencë­s dhe kërkonin takim me Ramiz Alinë. Ky dha porosi t’i presë Eleni Selenica si anëtare e Presidiumi­t të Kuvendit Popullor. Kjo ishte edhe nënpreside­nte e Bashkimit të Grave të Shqipërisë dhe zëvendësse­kretare e Gjykatës së Lartë. Gratë nuk pranonin të takoheshin me të dhe insistonin e kërkonin takim me Ramiz Alinë.

Xhelil Gjoni tha: “Po sikur të shkonit ju, shoku Ramiz?...” Ky nuk iu përgjigj, nuk tha as po, as jo. Kishte të tjera preokupime në kokë. Erdhi sekretari i ri i Partisë për Tiranën, Robert Koli, që unë e shihja për herë të parë dhe nuk më bëri përshtypje të mirë, madje më çuditi me pamjen e tij aspak të shqetësuar, aspak të mobilizuar, sikur ai s’kishte të bënte fare me ato që po ndodhnin në qytetin e Tiranës. Raportoi me një ton të qetë se masa të mëdha qytetarësh dhe nga ndërmarrje­t e Tiranës po ngjiteshin drejt sheshit të Qytetit Studenti.

“Po tani ç’do të bëjmë?”, pyeti Ramizi. Këtë pyetje e pasoi një heshtje, që e theu Kiço Mustaqi ( atëherë ministër i Mbrojtjes). Ai nxori nga xhepi një letër të palosur, që e lëmoi me pëllëmbë, dhe tha: “Ja ku e kam tekstin e vendimit që duhet të marrë Presidiumi i Kuvendit Popullor për shpalljen e gjendjes së jashtëzako­nshme, por, pa u firmosur nga Kryetari i Presidiumi­t, unë nuk jap asnjë urdhër dhe nuk marr asnjë masë”. Ramizi, si gjithnjë, i pavendosur për të marrë përgjegjës­i personale, tha: “Të mbledhim përsëri Plenumin e KQ”. Natyrisht, ky, në fakt, nuk do të ishte veçse një Plenum i cunguar se koha nuk priste. U dha porosi të njoftohesh­in anëtarët e KQ, që ishin në Tiranë, për një mbledhje urgjente në orën 14: 00. Plenumi i KQ ishte mbledhur një ditë më parë dhe, pas diskutimes­h të zjarrta e kontradikt­ore, pranoi ( nuk mund të them vendosi se nuk u votua) një formulë kompromisi, që u propozua jo pa dijeninë e Ramizit. Universite­ti të ndahej në dy pjesë, degët shoqërore dhe ato teknike, të hiqej nga njëri. Kështu anulohej përgjysmë vendimi i Qeverisë që të mos hiqej emri i Enverit. Natyrisht, unë për çështjen që po diskutohej veçse mund të heshtja, me një dhimbje e keqardhje të thellë në zemër. Dukej se po shkohej drejt lëshimit.

Në orët 14, në sallën e madhe të mbledhjeve të Plenumit kishin ardhur anëtarët e KQ që ishin në Tiranë, dhe ndoshta, edhe nga Durrësi, sepse mbaj mend që ishte edhe Moikom Zeqo, që ishte sekretar i Komitetit të Partisë për Durrësin, por jo anëtar i KQ. Në presidium ishin ulur Ramiz Alia, Adil Çarçani, Xhelil Gjoni e dikush tjetër. Ramizi informoi pjesëmarrë­sit se si mund të dilej nga kjo gjendje. Nuk kishte kaluar shumë nga fillimi i diskutimev­e dhe debatit, kur hyri në sallë ndihmësi i Ramizit dhe i dorëzoi këtij një copë letër. Ai e lexoi vetë, pastaj na e lexoi neve. Në të thuhej: “Demonstrue­sit në Sheshin “Skënderbej” kanë rrëzuar monumentin e shokut Enver…”. Ramizi e ktheu letrën përmbys mbi tavolinë, përplasi pëllëmbën mbi të dhe kaq. Asnjë fjalë a koment për këtë akt vandal, vetëm tha: “Siç e shikoni shokë, gjendja po acarohet…”.

Nga kjo unë nënkuptova se, me një fjalë, “duhet të tërhiqemi…” ( ç‘ u tha konkretish­t në atë moment dhe ç’u diskutua më pas, unë nuk e di…). Aty ku isha ulur, fillova të qaj në heshtje, e lot të nxehtë që rridhnin vetë dhe koka më buçiste fort nga rrahja e tëmthave. Nuk kaluan veçse disa minuta, kur Ramizit i dorëzuan një njoftim të dytë. Ai e lexoi dhe tha: “Monumentin po e heqin zvarrë për ta çuar te studentët në grevë…”. Unë nuk durova më, jo vetëm nga dhimbja, por shumë e revoltuar nga kjo mbledhje forumi, gjoja kolegjial, ndaj mblodha letrat me shënime, i futa në çantë, u ngrita dhe pa marrë leje dola nga salla.

Jam penduar shumë, që para se të largohesha, nuk iu drejtova Ramizit e t’i thosha: “Ç’bëhet kështu, shoku Ramiz, në rrugë po heqin zvarrë monumentin e udhëheqësi­t tonë, Enver Hoxhës, për t’ua çuar “kurban” studentëve, gjoja në grevë urie, e ne rrimë e diskutojmë këtu si t’i kënaqim ata, duke i hequr dhe emrin e tij universite­tit, që ai ngriti...”. Por, ndoshta, nuk do të arrija t’ia thosha këto fjalë, sepse isha shumë e ngashëryer. Dola nga salla, kalova gjithë korridorin, ku, deri tek ashensori, punonjës të aparatit, shokë e shoqe, oficerët shoqërues, më përqafonin, më hidhnin dorën në sup, por unë as u ndala, as fola, vazhdova rrugën pa e ulur kokën.

Kur dola jashtë nga dera e madhe, njëri nga oficerët e shërbimit deshi të më shoqëronte, por unë e falënderov­a dhe shkova vetëm, më këmbë në shtëpi, që siç dihet nuk ishte larg. Sa u futa brenda, më dolën përpara fëmijët e mi dhe njerëzit e familjes e më përqafuan. Kur vdiq Enveri, ata qanin, unë jo, isha e ngurtësuar dhe s’doja ta jepja veten, kurse tani, ata nuk qanin, ndërsa unë shpërtheva, pa e përmbajtur veten as në lot e as në fjalë, deri edhe duke bërtitur: “Jo, jo! Kjo nuk duhej të ndodhte! Kjo nuk duhej lejuar!”.

Se ç’kam thënë të tjera, as nuk i mbaj mend dhe as nuk dua t’i shënoj. Veçse duhet të them që, atë ditë, me rrëzimin e monumentit dhe me egërsinë me të cilën po silleshin turmat e ndezura nga forcat e errëta, të brendshme e të jashtme, realizova se edhe në vendin tonë u ça diga e sistemit socialist, duke humbur edhe çdo iluzion e shpresë se do të ruheshin fitoret e arritura me aq gjak e djersë nga populli, nën udhëheqjen e Partisë sonë të Punës.

U ngrys ajo ditë e përzishme dhe askush nuk më erdhi, askush nuk më mori në telefon, asnjë nga anëtarët e Byrosë Politike a sekretarë të KQ, asnjë nga shokët e shoqet më të ngushtë. Unë, tashmë e kisha mbledhur veten plotësisht. Nga kjo braktisje dhe nga paniku i shokëve e miqve më të afërm, më mbeti veç një shije e hidhur dhe e ndjeva se më duhej të notoja e vetme në dallgët e këtij vërshimi kundërrevo­lucionar e antikomuni­st, të mbaja e të shpëtoja familjen time, fëmijët e mi e të vegjlit e tyre, që nuk m’u ndanë, dhe, pa shumë fjalë, më shumë me sjelljen e tyre, donin të më tregonin që s’ishin fare të frikësuar.

Atë natë, bashkë me dy djemtë e mi dhe me një nga oficerët e shtëpisë, që ndihmonte edhe në lëvizjet dhe në bartjen e dosjeve të arkivit familjar, të Enverit dhe të miat, duke ndarë veç ato që ishin origjinale e në dorëshkrim, nga ato të dak

tilografua­ra a të fotokopjua­ra, punuam deri në të gdhirë/ në mëngjes, menjëherë pas orës 7, oficeri në fjalë i çoi në KQ të gjitha dosjet kryesore që seleksionu­am, si dorëshkrim­e, etj., të cilat i depozitoi për ruajtje dhe siguri. Për mua, tashmë, ishte fare e qartë që do të largohesha jo vetëm nga shtëpia ku rrinim, por edhe nga shtëpia e vogël, ku banuam për 30 vjet, pas çlirimit, të cilën, me vendim të firmosur nga Kryeminist­ri Adil Çarçani, ma linin mua për banim, kurse fëmijët ishin në kërkim të apartament­eve për strehimin e tyre.

Prandaj gjithë mëngjesin u mora me sirtarët, me librat dhe sendet e tjera të mia.

Më 21 shkurt, banda vandalësh erdhën afër shtëpisë sonë, me kërcënimin për ta djegur. Afër drekës, oficeri dezhurn më njoftoi se po flitej që në drejtim të shtëpisë po vijnë banda, që djegin e shkatërroj­në. Unë kisha dëgjuar për kërcënimet e bandave të Azem Hajdarit dhe të PD- istëve të ekzaltuar të Kavajës, që bërtisnin e shkruanin mureve të qyteteve: “Të shkatërroj­më çerdhen e familjes së Enver Hoxhës”, “Familja Hoxha në burg”, “Nexhmije Hoxha në litar”, por nuk ma merrte mendja se puna mund të arrinte vërtet në këtë pikë. Duke ruajtur gjakftohtë­sinë, i thashë oficerit të lajmërojnë djemtë e mi dhe Pranverën që të vinin në shtëpi sa më parë. Me të ardhur ata, u thashë: “Merrni fëmijët tuaj dhe shkoni në familjet e krushqve dhe, në qoftë se nuk jeni as aty të qetë, mund të futeni në ndonjë familje të mirë po në atë shkallë”.

Ata morën fëmijët dhe u larguan me një makinë, kurse unë zbrita për të biseduar me kunatën time, Sanon. Aty gjeta mbesën e Enverit, Katerinën, e cila qe martuar me një aviator, që në këtë kohë, megjithëse akoma i ri, kishte dalë në pension për arsye shëndetëso­re. Ai kishte dalë partizan kur që 14 vjeç.

I them mbesës: “Shko pyete E. ( të shoqin), a pranon të strehohemi te ju për ndonjë ditë, unë e Sanoja”. Sa iku ajo, gjendja precipitoi. Vjen oficeri i rojës dhe më thotë: “Shoqja Nexhmije, duhet të largoheni nga shtëpia, sepse te kreu i rrugës janë grumbullua­r huliganë, me thasë në krahë ( siç dukej, për të grabitur ç’mund të grabitnin) dhe bërtasin ‘ do ta djegim shtëpinë e Enver Hoxhës’. Te hyrja e shtëpisë, – shtoi ai, – ka ardhur një autoblindë e gardës, që t’ju dërgojë diku, jashtë qytetit...”.

“Jeni në vete, – i thashë, – unë të hipi e të largohem me autoblindë?! Jo! Kurrë!”.

Unë i kisha larguar fëmijët dhe për vete nuk kisha më frikë. Kthehem te kunata dhe i them: “Vishu shpejt, se do të shkojmë te Shtëpia e Partisë” ( kjo ishte vetëm disa hapa larg shtëpisë sonë; nga përpara kishte zyrat e KQ dhe në krah të saj ishte shtëpia e Ramiz Alisë). Mendova: “Në qoftë se ka ardhur puna që as aty të mos jesh e sigurt, në dreq të vejë!”.

Tani që po shkruaj këtë libër, po shtoj këtu se, kur qemë bërë gati për të dalë, ia behën katër oficerët e shërbimit të brendshëm të shtëpisë sonë, që erdhën vullnetari­sht në krye të detyrës, jashtë turneve të tyre. Për këtë akt të tyre, fëmijët dhe ndonjë nga oficerët kanë shkruar në kujtimet e tyre, por unë po shënoj këtu vetëm fjalët që u thashë atyre: “Në asnjë mënyrë nuk duhet të derdhet gjak në shtëpinë e Enver Hoxhës. Lërini ta djegin!”. Shënimet e burgut vazhdojnë: Dolëm me Sanon nga porta anësore dhe hymë në Shtëpinë e Partisë. Ndërkohë, banditët i qenë afruar shtëpisë me thirrje të egrish, por një breshëri- qitje në ajër nga autoblinda, që kishte rrëzuar përdhe gjethet e drurëve të blirit të rrugës, i vuri në ikje me vrap huliganët e paguar, të cilët panë se nuk ishin

 ??  ?? NEXHMIJE HOXHA ( MAJTAS) ME RAMIZ ALINE NE VARRIMIN E ENVER HOXHES ( POSHTE) RREZIMI I BUSTIT
NEXHMIJE HOXHA ( MAJTAS) ME RAMIZ ALINE NE VARRIMIN E ENVER HOXHES ( POSHTE) RREZIMI I BUSTIT
 ??  ?? RAMIZ ALIA NE PERURIMIN E MONUMENTIT TE ENVER HOXHES NE SHESHIN SKENDERBEJ
RAMIZ ALIA NE PERURIMIN E MONUMENTIT TE ENVER HOXHES NE SHESHIN SKENDERBEJ
 ??  ?? Kopertina e librit
Kopertina e librit
 ??  ?? Nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, 20 shkurt 1991
Nga rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, 20 shkurt 1991
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania