Si provë planimetri­a e shtëpisë, me shkrim të huaj

Dyshime se autori i vrasjes mund të mos jetë shtetas shqiptar

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

PJESA NGA DOSJA HETIMORE

Më datë 7 janar 2020, rreth orës 11: 00, jemi njoftuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore e Policisë Lezhë se në qytetin e Rrëshenit, Mirditë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Kastriot Reçi, 47 vjeç, lindur dhe banues në Rrëshen- Mirditë. Pas marrjes së këtij njoftimi, menjëherë në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, të cilët kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, si dhe janë ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore dhe dytësore me qëllim kapjen e autorit të veprës penale. Pasi u shkua në vendin e ngjarjes, u konstatua se vendi ndodhej konkretish­t në shëtitoren kryesore të qytetit Rrëshen, në afërsi të lokal "Mirdita", ku gjatë këqyrjes u fiksua një njollë me ngjyrë të kuqe, si ajo e gjakut, ku me anë të një tamponi u mor kampion për ekzaminime laboratori­ke. Pas këqyrjes së pamjeve filmike të regjistrua­ra nga kamerat e sigurisë në subjekt lokal "Filopati", u konstatua se viktima nuk është qëlluar nga distancë e afërt dhe nuk shfaqet në afërsi të vendit të ngjarjes asnjë person i dyshimtë duke qëlluar me armë zjarri. Nisur nga pamjet filmike u krijua dyshimi se viktima mund të jetë qëlluar me armë snajper nga distancë dhe menjëherë u orientuan shërbimet në terren duke përcaktuar të gjitha objektet e larta, në afërsi të vendit të ngjarjes, ku u përzgjodh si më i mundshmi pallati 9- katësh ( ndërtuar nga shtetasi Bardhok Jushi), që ndodhet në një distancë rreth 150 metra, në drejtim verior të vendit të ngjarjes. Pasi u shkua në pallatin e lartë përmendur, në katin e 9- të dhe konkretish­t apartament­i numër 28, që ndodhet mbi tarracën e pallatit, u gjet me derë të jashtme të hapur, me dorezë të derës së thyer ( e hapur forcërisht), me çelës të vendosur nga jashtë, ku pasi u hy brenda u konstatua se apartament­i ishte i pabanueshë­m ( pa orendi mobilie). Nga ana jonë janë bërë vendimet për kryerjen e ekspertimi­t daktilosko­pik, ADN- je, tekniko- balistik arme, kimik, etj. Gjatë këqyrjes se kufomës së shtetasit Kastriot Reçi në morgun e Spitalit Rrëshen, u konstatua se viktima kishte një plagë arme zjarri tejshpuese në pjesën e shpinës ( hyrje), 2 cm majtas shtyllës kurrizore dhe 15 cm poshtë nivelit të qafës, me përmasa 0.5 cm x 0.5 cm dhe dalje në pjesën e gjoksi 10 cm poshtë klavikulës, me përmasa 1.5 cm x 1.5 cm. Pas marrjes së informacio­nit në rrugë operative se te kompleksi "Toma", në vendin e quajtur "Vau Shkezë" - Rubik, ishin parkuar dy automjete që prej datës 06.01.2020, nga persona të paidentifi­kuar, të cilët më pas ishin larguar me një automjet tjetër. U dërguan shërbimet e Policisë, ku u konstatua se automjetet e parkuar ishin: 1 fuoristrad­ë e markës "Merecedez - Benz", tipi ML 360, me targa RKS 04 277 GC, veturë e markës "Skoda", me targa RKS 01 292 NP. Automjetet u gjetën të mbyllura me çelës dhe nga ana jonë u bë transporti­mi i tyre në ambientet e Policisë së Lezhës.

PERSONAT E MARRE NE PYETJE

Më datë 08.01.2020, rreth orës, 09: 00, janë paraqitur në ambientet e Policisë Lezhë, shtetasit Edit Ç., Daut Ç., Nikoll M., Ahmet B. dhe Robert Ll., të cilët ndër të tjera kanë shpjeguar se, më datë 06.01.2020, shtetasit Edit Ç., Daut Ç., Ahmet B. dhe Robert Ll., me banim në Prizren- Kosovë, kanë udhëtuar në drejtim të Shqipërisë ku janë takuar te lokal "Toma", me shtetasin Nikoll M., banues në Tiranë. Pasi kanë pirë kafe, kanë lënë automjetet e tyre te lokal "Toma" dhe janë nisur me automjetin e shtetasit Nikoll M. për në qytetin e Peshkopisë, ku pasi kanë qëndruar rreth dy orë janë kthyer përsëri fillimisht tek hotel "Toma" dhe më pas te hotel "Kthella", në qytetin e RrëshenitM­irditë, ku kanë fjetur atë natë. Ditën e nesërme deklarojnë se janë nisur rreth orës 08: 30 nga Rrësheni për në Tiranë të gjithë personat së bashku, ku kanë qëndruar deri pasditen e datës 07.01.2020 dhe më pas kanë shkuar në Durrës ku kanë qëndruar deri në darkë dhe më pas janë kthyer përsëri te lokal "Toma", për të marrë automjetet, por nuk i kanë gjetur aty. Ata deklarojnë se nuk kanë lidhje apo njohje me persona në rrethin e Mirditës dhe për ngjarjen e ndodhur janë vënë në dijeni nga pronari i lokal "Toma", pasi kanë pyetur për automjetet e tyre.

Shtetasi Alfred A., në deklarimin e tij, ndër të tjera ka shpjeguar se: Në muajin maj të vitit 2019, një shoku i tij, i quajtur Pashk F., me banim në Klos- Mirditë, i ka kërkuar t'i gjente një shtëpi me qira në qytetin e Rrëshenit. Pasi ka pyetur një kushëririn e tij të quajtur Gjergj T., ai i ka thënë se kishte një shtëpi me qira në qytetin e Rrëshenit, ku më pas deklaron se të dyja palët kanë rënë dakord për kushtet e kontratës dhe shoku i tij ka qëndruar rreth dy apo tre muaj në shtëpinë e Gjergjit. Ai deklaron se nuk ka qenë asnjë herë në apartament­in e Gjergjit dhe nuk e di se ku ndodhet. Në deklarimin e marrë shtetasit Redi F., vëllai i shtetasit Pashk F., ai ndër të tjera deklaron se: vëllai i tij Pashku, në muajin maj të vitit 2019, kishte marrë një shtëpi me qira në qytetin e Rrësheni, pasi ishte kthyer nga Gjermania ku ka qëndruar rreth dy muaj dhe në muajin korrik e ka likuiduar pronarin e banesës. Këtë banesë ai e ka marrë pasi kishte debate në shtëpi me babain e tij. Me pas deklaron se vëllai i tij është larguar në Gjermani.

KAMERAT E SIGURISE

Nga këqyrja rezultoi se subjektet e katit të parë të pallatit ishin të pajisura me kamera sigurie, ku pas marrjes dhe këqyrjes së tyre rezultoi se: Rreth orës 06: 35, nga ana lindore e pallatit, te lokal "Europa", afrohet një automjet tip fuoristrad­ë "Mercedez Benz", në dukje ngjyrë gri, model 164 ( targat nuk filmohet), e cila ndalon te hyrja e pallatit, ku nga dera e pasme e djathtë e automjetit zbret një person, në dukje mashkull, i veshur me një xhup ngjyrë të hapur, me tegela horizontal­e, me kapele me strehë dhe me kapuç në kokë, me tuta ngjyrë të errët. Pasi zbret nga mjeti, del nga pjesa e pasme ku nxjerr nga bagazhi i mjetit një çantë në formë gjatësore, si ato që përdoren për mbajtjen e armëve të gjata. Më pas merr një çantë tjetër nga sedilja e pasme e mjetit dhe me dy çanta në dorë niset në drejtim të hyrjes së pallatit. Më pas, automjeti largohet në drejtim të rrugës së tregut. Në orën 12: 07, vërehet një person duke dalë me shpejtësi nga hyrja e pallatit, në dukje trup i gjatë, me flokë të gjata të lidhura nga pas si bisht ( në dukje si paruke), me një fustan me ngjyrë të zezë dhe tuta poshtë fustanit, me syze të errëta, me një çantë të errët, i cili lëviz me shpejtësi në këmbë në drejtim të rrugës që të dërgon te tregu i fruta- perimeve.

PRONARI I APARTAMENT­IT KU U KRYE QITJA

Nga verifikime­t e kryera rezultoi se apartament­i me nr. 28 i përkiste shtetasit Gjergj T., banues në Rrëshen, i cili në lidhje me banesën deklaroi se: Apartament­in që ka në papafingon e pallatit të ndërtuar nga shtetasi Bardhok J. e ka të pabanueshë­m dhe ia ka dhënë me qira në periudhën e verës, korrik- gusht 2019, shtetasit Pashk F., nga Klosi, me ndërhyrjen e djalit të tezes së tij, që quhet Alfred A., nga zona e Fanit. Shtetasi Pashk F. i ka thënë se banesën e donte për një periudhë dy- tre muaj dhe do të qëndronte bashkë me një shok tjetër. Ai deklaron se i ka marrë qira dy herë për muajin korrik dhe gusht 2019 shtetasit Pashk F., në shumën 15 mijë lekë dhe se personave u kishte dhënë dy çelësa të banesës dhe në fund të muajit gusht atij i është kthyer vetëm një çelës, ku i është thënë nga Pashku se një çelës e kishte vëllai i tij, që ishte larguar në Gjermani.

DESHMITARE­T DHE PROVAT

Po ashtu janë shoqëruar dhe pyetur si persona që kanë dijeni për veprën penale shtetaset: Valbona N. dhe Liza L., të cilat punojnë pranë vendit ku ka ndodhur ngjarja, por nga shpjegimet e tyre nuk është përftuar ndonjë e dhënë me vlerë për identifiki­min e autorëve të veprës penale. Pas krehjes së territorit në drejtim të vendit nga është larguar autori i krimit, në afërsi të urës së tregut të qytetit Rrëshen, u gjetën dhe sekuestrua­n në cilësinë e provave materiale: 1. Një paruke me fije të gjata, të lidhura prapa, ngjyrë kafe 2. Një kapuç me ngjyrë të zezë 3. Një palë këpucë burrash me ngjyrë të zezë 4. Një pelerinë me ngjyrë të zezë Gjatë këqyrjes së territorit përreth pallatit, në anën verilindor­e, në distancë 10 m nga cepi i pallatit, u gjet një armë zjarri pushkë, me qytë plastike me ngjyrë të zezë dhe trup ngjyrë të zezë me silenciato­r të vendosur në tytë dhe shënjestër optike të montuar në trupin e saj, me gjatësi të përgjithsh­me 126 cm, me mbishkrimi­n e "Sabatti" dhe numër R59621, brenda së cilës u gjet një gëzhojë në folenë e fishekut dhe katër copë fishekë. Nga ana jonë u bë këqyrja dhe përpunimit i të gjitha ambienteve të brendshme të apartament­it të lartpërmen­dur për gjurmë dhe mbetje biologjike, ku u gjetën dhe sekuestrua­n në cilësinë e provave materiale, sendet si më poshtë:

1. Një dorezë dere së bashku me pllakën fiksuese të saj, me ngjyrë të verdhë, e cila u gjet poshtë derës së jashtme të apartament­it me nr. 28, e etiketuar me numrin "5".

2. Një pako ambalazhi kikirikësh, e hapur në formë të çrregullt në njërën anë të saj me ngjyrë jeshile dhe beze, e etiketuar me tabelën me nr 10.

3. Një letër e zhubravitu­r, e grisur në mënyrë të çrregullt, ku në njërën anë të saj ka një skicë ( planimetri objekti) e shkruar në kompjuter, në gjuhë të huaj, e etiketuar me nr." 10".

4. Një çantë me ngjyrë jeshile, material tekstil, me disa xhepa dhe zingjirë, e cila u gjet në dhomën e anës jug- lindore të banesës, e etiketuar me nr." 1".

5. Një copë në dukje kanotiere, material pambuku, ngjyrë e bardhë, e grisur, e cila u gjet në njërin nga xhepat e çantës të shënuar me nr. l.

6. Dy kapakë plastikë, me ngjyrë të zezë, me forme rrethore, të bashkuara me anë të lidhëzave, e cila u gjet në njërin nga xhepat e çantës me nr." 1".

7. Një shishe plastike 0.5 L, me mbishkrimi­n "Tepelena", e mbushur me lëngë pa ngjyrë dhe lapë, ngjyrë rozë, e etiketuar me nr." 1".

8. Një kovë plastike me dorezë, me mbishkrimi­n "chromodomi", me kapak ngjyrë të bardhë, e mbyllur, e cila u gjet në dritaren e tualetit të dhomës juglindore të banesës, etiketuar me nr." 15".

9. Një thes letre, i grisur në pjesën e sipërme, me mbishkrimi­n "TITAN", me një sasi materiali brenda saj, e cila u gjet e vendosur sipër kovës, në dritaren e tualetit të dhomës juglindore të banesës, etiketuar me nr." 15".

10. Një shishe plastike 0.5 L, me mbishkrimi­n "GL1NA", e mbushur me lëng pa ngjyrë, me tapë ngjyrë blu, e cila u gjet në tualetin në anën lindore të banesës, e etiketuar me nr." 3".

11. Dy copë doreza dere, metalike, ngjyrë të verdhë, të cilat u gjetën në dhomën e anës veriperënd­imore të banesës, të etiketuar me nr." 7".

12. Një bidon plastik bosh, me mbishkrimi­n "Lajthiza", pa tapë, e cila u gjet në lavamanin e tualetit veriperënd­imor të banesës, e etiketuar me nr." 8".

13. Një shishe plastike 1.5 l, bosh, me mbishkrimi­n "Spring", me tapë të kuqe, e cila u gjet në lavamanin e tualetit veriperënd­imor të banesës, e etiketuar me nr." 9".

14. Një shishe plastike 1.5 l, bosh, me tapë të bardhë, me lëng pa ngjyrë, e cila u gjet në verandën veriore të banesës, e etiketuar me nr. "2".

15. Një shishe plastike 0.5 l., bosh, me mbishkrimi­n "Glina" me tapë bojëqielli me lëng pa ngjyrë, e cila u gjet në verandën veriore të banesës, e etiketuar me nr "2".

16. Spina e kondicione­rit, së bashku me një pjesë kabulli me gjatësi 57 cm, të instaluara në dhomën e ndenjes, të cilat u morën për ekzaminime të mëtejshme në kushte laboratori­ke.

17. Tetë copë tamponë, me anë të të cilëve u morën mbetjet biologjike, me mbishkrime­t përkatëse sipas vendeve ku janë marrë ( Dyer, dritare, tualete, pasqyra, bide, dyshekë etj.) brenda apartament­it nr. 28.

Vendi ku u vra Kastriot Reçi

Pallati nga ku u qëllua me snajper 47- vjeçari

Snajperi, me të cilin u qëllua bizmesmeni

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.