Oferta për LDK- në, 14 ministri dhe konsensus për Presidentin
Një ministri më shumë shkon për LDK, Vetëvendosje s’përfiton
Lëvizja Vetëvendosje ka dalë nga një premtim elektoral për të reduktuar numrin e ministrive në 12 të tilla, për të përmbushur kërkesat e LDK- së për balancim të pushtetit.
Nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka publikuar propozimin e Vetëvendosjes për arritjen e koalicionit me LDK- në e Isa Mustafës, duke shkruar se, “Propozimi ynë ( i nxjerrë si kompromisi i katërt brenda të njëjtit takim), i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi, Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive ( nga të cilat VV nuk përfiton), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe paszgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 të tilla)”, ka thënë ai duke i quajtur spekulime skenarët që kanë qarkulluar gjatë ditës së djeshme nëpër media. Ai ka publikuar edhe ofertën që Albin Kurti i ka dorëzuar Isa Mustafës ku konfirmohen 14 ministri: “Në kuadër të bisedimeve tona për formimin e koalicionit qeverisës, në takimin tonë të fundit të mbajtur të enjten, më 9 janar 2020, kam bërë propozimin përfundimtar për marrëveshje ndërmjet dy subjekteve tona... E shtojmë numrin e ministrive në qeveri, nga 12 në 14; Lëvizja VETËVENDOSJE! ka 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës ka 6 ministri. Ministria shtesë për LDK vjen si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që ka LVV. Tre ministri i kanë pakicat, siç edhe parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vlen dakordimi i mëhershëm që zëvendëskryeministri i parë i takon LDK- së, ndërkaq zëvendëskryeministri i dytë LVV- së. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet, Kultura dhe Rinia i bashkëngjiten Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa Sporti i bashkëngjitet Ministrisë së Shëndetësisë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal janë dy nga tri ministritë që u jepen pakicave. Ministria e tretë është ajo për Komunitete”. Ndërkohë, parashikohet një formulim i përbashkët edhe për çështjen e Presidentit. “Bëhet një formulim i përbashkët për çështjen e Presidentit të Republikës së Kosovës bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi Presidentit aktual, përpjekjen për konsensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ishPAN. Shpresoj ta pranoni propozimin tonë dhe pa humbur kohë ta formojmë qeverinë e ta zbatojmë programin e harmonizuar qeverisës”, shkruhet në postimin nga LDK.