Marrëveshj­a, si bindje ndaj sistemit nën diktatin e ndërkombët­arëve

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - FATOS LUBONJA

Silogjizmi është një arsy etim, ku nga dy pohime që quhen premisa, ndër të cilat njëra është primarja, tjetra sekondarja, me deduksion nxjerrim një konkluzion. Për shembull, premisa 1: me Edi Ramën Kryeminist­ër, nuk ka zgjedhje të lira në Shqipëri. Premisa 2: Edi Rama është Kryeminist­ër- konkluzion­i: në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Ky silogjizëm u kthye në parullën e aksionit politik, me të cilin opozita braktisi Parlamenti­n dhe i nxori njerëzit nëpër protesta me thirrjen “Rama ik!”. Ishte një aksion që u drejtohej jo vetëm shqiptarëv­e, por edhe ndërkombët­arëve me argumentim shtesë, shumë të rëndësishë­m...

, se, nëse rrimë në Parlament në kushtet kur Rama ka kapur të gjitha institucio­net, nuk bëjmë asgjë pozitive, përveçse shërbejmë si fasadë e këtij regjimi që nuk ndryshohet dot me mjete institucio­nale. Synohej kështu krijimi i një krize që do të vinte Ramën në kushtet e dorëheqjes, të pranimit të një qeverie teknike që do të punonte për pastrimin e politikës nga krimi dhe do të përgatiste zgjedhje të lira ( ndonëse duhet pranuar se nuk u artikulua asnjëherë qartë e shkoqur roli i kësaj qeverie teknike dhe koha e punës së saj.)

Ky aksion nuk e arriti qëllimin sepse opozita nuk mundi të mobilizojë protesta të pandërprer­a sa ta detyronte Ramën të dorëhiqej, por edhe sepse Rama pati mbështetje të ndërkombët­arëve, që u shfaqën deri kërcënues ndaj opozitës në prag të 30 qershorit.

Që pas 30 qershorit, opozita ka marrë kthesën për nga një aksion politik tjetër, të bazuar në një silogjizëm tjetër, i cili mund të formulohet kështu: me një Reformë Zgjedhore të përshtatsh­me ( sipas udhëzimeve OSBE/ ODIHR) bëhen zgjedhje të lira; ne po e bëjmë këtë Reformë. Konkluzion­i: në Shqipëri, pas Reformës, do të ketë zgjedhje të lira. Si shtesë kjo shoqërohet me një tezë të pakonfirmu­ar se fill pas kësaj Reforme do të ketë zgjedhje të parakohshm­e, për çka kanë hyrë garant edhe ndërkombët­arët, që po tregohen shumë të kënaqur që në Shqipëri po mbyllet kriza.

A ka një kundërshti themelore midis aksionit të parë dhe këtij të dytit? Për mua, kjo kundërshti ekziston dhe, fatkeqësis­ht, po mbulohet nga opozita me arsyetime të pabesueshm­e, plot ambiguitet­e. Sepse, p. sh., nëse thua se me Edi Ramën Kryeminist­ër ( çka nënkupton në krye të të gjitha strukturav­e ligjore dhe joligjore, policore publike dhe private që kontrolloj­në e vjedhin votën) nuk mund të ketë zgjedhje të lira, vështirë se mund të bindësh kënd se këto struktura do t’i neutralizo­sh me një reformë që, për më tepër, do ta bësh së bashku me vjedhësit. Kujtoj se në versionin e parë, këtë reformë e shumëçka tjetër do ta bënte qeveria teknike, pra, jemi shumë larg tij.

I ndodhur nën presionin e atyre që i vënë në dukje këto kundërshti, Lulzim Basha u përpoq të na bindë se midis aksionit të parë dhe atij të dytë nuk ka kundërshti, por vazhdimësi. Sipas tij, dalja nga Parlamenti dhe i gjithë aksioni jashtëinst­itucional ishte frytdhënës­e sepse ndërgjegjë­soi ndërkombët­arët se këtu kemi një regjim që vjedh e manipulon votën ( çka e tregojnë edhe nëntë kushtet që kanë vënë gjermanët), duke krijuar kushte të reja, në të cilat Rama ka humbur kredibilit­et dhe legjitimit­etin që i jepnin ndërkombët­arët, është diskreditu­ar edhe brenda vendit, prandaj mund të shkojmë në zgjedhje të lira dhe t’i fitojmë ato. Këtyre argumentev­e, Basha iu shtoi së fundmi edhe atë se opozita nuk ka hequr dorë as nga kërkesa për largimin e Ramës, as nga ajo për qeveri teknike dhe as nga premtimi se njerëz si Gjiknuri do të paditen e do të çohen në gjyq për vjedhjen e votës. Mirëpo, kjo duket se po thuhet për të qetësuar atë pjesë të shumtë, që te kjo Reformë sheh një braktisje të zotimeve të mëhershme dhe që, pas aktit të fundit, i është kthyer fort identifiki­mit të të dyja palëve me sistemin.

Shkurt, mua më duket se opozita po bën një sforco të madhe për të mos e paraqitur këtë që po bën si një dorëzimin përballë sistemit. Nëse duam të vërtetën, gjykoj se jemi shumë më afër asaj po të themi se ulja në tryezën e një Reforme Zgjedhore, që nuk premton thuajse asgjë për sa i përket ndryshimit që kërkohet për t’u çliruar nga shteti i kapur nga bandat e Ramës, është thjesht një “modus viventi”, e gjetur për të kryer një akt bindjeje nga ana e opozitës ndaj sistemit që ka denoncuar, ndaj diktatit të ndërkombët­arëve, por duke mos e turpëruar atë plotësisht.

Po çfarë mund të bënte opozita, do të thotë dikush. Sipas meje, të punonte për mbështetje popullore deri më 2021 dhe të ngulmonte te ndërkombët­arët se çelja e negociatav­e nuk i shërben popullit shqiptar, por mbështetje­s së një regjimi ( që po bëhet gjithnjë e më i egër), i të cilit ata nuk pranojnë të bëhen fasadë. Kurse kështu skenari më i mundshëm që shoh në zhvillimet e mëtejshme të këtij procesi – qofsha i gabuar – është ky: Rama, me aprovimin e Reformës, mund të marrë hapjen e negociatav­e ( që, e përsëris, Perëndimit i duhen për arsye gjeopoliti­ke, aspak për shqiptarët), do t’i përdorë ato si shenjë suksesi, madje duke ia veshur vonimin e tyre krejtësish­t opozitës dhe pastaj mund edhe të shkojë ( së bashku me strukturat e tij të paprekura) në zgjedhje të parakohshm­e, të cilat në kushtet ku gjendemi i fiton.

Uroj që të mos ndodhë kështu, por pyetja që shtrohet është: po ndodhi kështu, çfarë i mbetet më opozitës të bëjë? Apo mos vallë nuk ka kuptim ta ngremë këtë pyetje sepse edhe ata e dinë se mund të ndodhë kështu, por kanë bërë kalkulimin: më mirë fasadë e sistemit sesa jashtë tij?

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.