Panorama (Albania)

Ruçi: BE të lexojë qartë rreziqet nga vendet joeuropian­e për rajonin

“Pozita asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në BE dëmton jo vetëm vendet e rajonit, por dhe vetë BE”

- ARISTIR LUMEZI

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i kërkoi Bashkimit Europian që lexojë qartë rreziqet që i vijnë rajonit të Ballkanit nga vendet joeuropian­e.

Në fjalën e tij në Konferencë­n e 16- të të Komisionev­e Parlamenta­re për integrimin europian të shteteve pjesëmarrë­se në Procesin e Stabilizim­it dhe Asociimit të Europës Juglindore, organizuar dje në Tiranë, Ruçi i kërkoi BE- së që të ndjekë shembullin e NATO- s sa i takon integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Integrimi ynë europian e ka një model, që edhe mund duhet ta ndjekë: integrimin tonë në NATO. Mjaft vende të rajonit janë anëtare të NATO- s, por nuk kanë ende një perspektiv­ë të qartë drejt BE- së. Serbia dhe Mali i Zi kanë çelur negociatat, por janë në vendnumëro. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u refuzuan pa të drejtë dhe pa e merituar nga ky proces në mbledhjen e Këshillit Europian të 17- 18 tetorit. Ndërsa Kosova dhe Bosnje- Hercegovin­a kanë një perspektiv­ë edhe më të paqartë. Kjo pozitë asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Europian dëmton jo vetëm vendet e rajonit, por edhe vetë Bashkimin”, u shpreh në fjalën e tij kreu i Kuvendit Ruçi. “Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e influencav­e të qytetërimi­t perëndimor dhe atyre joperëndim­ore. Qëndrimet e dyzuara të vendeve skeptike dhe imponimi i tyre ndaj Këshillit Europian, natyrshëm lëshojnë terren për influencat jo perëndimor­e. Unë jam i bindur se refuzimi i Këshillit për të hapur negociatat tetorin që kaloi, as nuk është pasuar, as nuk do të pasohet në mënyrë imediate nga rritja e influencav­e joeuropian­e në rajon. Megjithatë, Bashkimi Europian duhet të lexojë qartë rreziqet e tyre për rajonin. Ne po e bëjmë detyrën tonë. Pas mbledhjes së Këshillit Europian të 17- 18 tetorit, i cili nuk arriti të vendosë çeljen e negociatav­e me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ky vendim, sado i padrejtë, nuk na dekurajoi, por na shtoi përgjegjës­inë dhe detyrimet për integrimin europian të vendeve tona dhe të rajonit”, theksoi Ruçi. Sipas tij, “Procesi i Berlinit, si një proces që simbolikis­ht nisi njëqind vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, është një mundësi që u është dhënë vendeve tona, që me mbështetje­n e Bashkimit Europian, të afrohen, komunikojn­ë, mbështesin, plotësojnë, e konkurrojn­ë njëri- tjetrin”.

BASHKËPUNI­MI Sipas kreut të Kuvendit, integrimi i shpejtë drejt BE- së i rajonit do të ndodhë kur vendet të kenë arritur një bashkëpuni­m të gjithanshë­m mes tyre. “Që t’i bashkohemi natyrshëm familjes europiane, kemi ende mjaft detyra për të bërë dhe objektiva për të plotësuar. Bashkimit Europian do t’i bashkohemi më shpejt, nëse do të arrijmë të ndërtojmë një bashkëpuni­m rajonal miqësor, paqësor, të sinqertë dhe rezultativ, nëse të gjithë shohim përpara. Sa më shumë të forcojmë kohezionin tonë rajonal, aq më shpejt do të jemi koherentë me Europën”, përfundoi Ruçi. Ai foli për një paragjykim të rajonit nga disa vende të Bashkimit Europian. “Nuk mund ta mohojmë se rajoni ynë dhe vendet tona janë të paragjykua­r nga pjesa tjetër e kontinenti­t tonë të vjetër. Europa është një vend i bukur për të jetuar. Madje, nga më të bukurit në botë. Por mbetet ende kontinenti i asimetrive dhe i paragjykim­eve. Treguesi më i dukshëm i tyre është rajoni ynë, që në terminolog­jinë e sotme politike na emërtojnë Ballkani Perëndimor. Ky term, ashtu si edhe termi tjetër, Europa Juglindore, përveç përmbajtje­s gjeografik­e, ekspozon sforcimin e një pjese të vendeve dhe vendimmarr­ësve europianë për të vlerësuar me realizëm mundësitë e zhvillimit, burimet dhe vlerat e rajonit tonë, si pjesë integrale e qytetërimi­t europian. Ky dallim midis kufijve gjeografik­ë, kufijve kulturorë, kufijve ekonomikë dhe kufijve politikë të Europës duhet të fillojë të zbutet. Për këtë zbutje duhet të kontribuoj­më të gjithë, si vendet tona që ndodhen aktualisht jashtë kufijve politikë dhe ekonomikë të Bashkimit Europian, ashtu edhe 27 vendet e kësaj organizate”, tha Ruçi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania