Panorama (Albania)

Nexhmije Hoxha: Sherri i Mehmetit me mjekët për gjendjen e Enverit

"Ramizi mbante lidhje me mjekët, këtë gjë s'e përtypte dot M. Shehu, i cili si i hatërmbetu­r, e shprehte pakënaqësi­në e tij"

-

Kuptohet, zgjodhi rrugën që vetë strukturat drejtuese të Partisë të vendosnin për këtë.

Dhe, kur natyra do të bënte ligjin e vet, siç thoshte Enveri, më 11 prill 1985, Byroja Politike e KQ botoi komunikatë­n, ku i njoftonte popullit shqiptar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Enver Hoxhës dhe, pa vonesë, të nesërmen, mblodhi Plenumin e KQ, ku, në emër të Byrosë Politike, Adil Çarçani propozoi zgjedhjen e Ramiz Alisë si Sekretar i Parë të Partisë së Punës.

Propozimi u miratua unanimisht. Ndodhi ashtu, siç e dëshironte Enveri, në mënyrë dinjitoze, pa ndonjë ekses apo problem.

Nën drejtimin e Ramiz Alisë, u organizuan homazhet, në sallën e Presidiumi­t të Kuvendit Popullor, që vazhduan deri më 15 prill. Për këtë ditë u zhvilluan në mënyrë dinjitoze ceremonia në Sheshin "Skënderbej", ku pasuesi mbajti fjalimin e lamtumirës dhe tha shprehjen e paharruar: "Për Enverin nuk ka vdekje, ka vetëm ditëlindje". Më pas u bë përcjellja e udhëheqësi­t në banesën e fundit, në varrezat e Dëshmorëve, në gjirin e Nënës Shqipëri.

Në vitet e tranzicion­it është ngritur shpesh pyetja: "Pse Enveri zgjodhi Ramiz Alinë si pasues të tij?". Madje, thonë se unë paskam ndikuar tek Enveri për zgjedhjen e Ramizit, pas vetëvrasje­s së Mehmet Shehut.

Unë iu përgjigja më sipër kësaj pyetjeje dhe dua të shtoj se për sa i përket asaj që flitet për ndikimin tim në këtë vendim të Enverit, nuk ia vlen fare të ndalem. Sepse ajo është një thashethem­najë e sajuar nga njerëz, të cilët nuk e kanë idenë se në Partinë e Punës ishte e pakonceptu­eshme që vendimet zyrtare të saj të bëheshin paraprakis­ht objekt diskutimi në familje apo në bisedat bashkëshor­tore.

Është qesharake të mendohet se unë, gruaja e Enverit, t'i thosha shokut tim të jetës "të lërë pasues këtë apo atë, pas vdekjes së tij!". Unë me Enverin dhe ai me mua nuk bisedonim kurrë se "ç'do të bëhet me mua dhe me fëmijët tanë, pas...". Neve as na shkonte mendja dhe as nuk na e zinte goja të përmendnim vdekjen e tij e jo më të flisnim për emrin e atij që do ta zëvendëson­te etj., etj....

Prandaj unë e hedh me neveri në shportën e marrëzive edhe këtë budallallë­k të trashë.

Ishin Byroja Politike dhe Komiteti Qendror, pra, vetë strukturat drejtuese, ato që vendosën në funksionin e lartë të Udhëheqësi­t të PPSH- së, Ramiz Alinë, madje, pa filluar ende homazhet dhe ceremonitë për nderimin e Enver Hoxhës.

Ramizi kishte ardhur t'i merrte mendim Enverit lidhur me një provokacio­n të rëndë që kishte ndodhur nga ana e grekëve, në kufi. Ndërsa ata të dy bisedonin, unë vazhdoja të pyesja me vete: Përse, vallë, e bëri këtë përjashtim Enveri? Kuptohet, nuk i rashë në sy, por një sinjal e mora prej tij, kur, pasi u largua Ramizi, Enveri tha: "I shkreti Ramiz, ç'barrë e madhe i ra në kurriz". Me sa kuptova, nuk e kishte fjalën thjesht për atë provokacio­n në kufi, por për një përgjegjës­i shumë më të madhe që e priste Ramizin…

 ??  ?? Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia
Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania