Panorama (Albania)

Sali Butka në Kongresin e Lushnjës

-

Sabri Godo ( fragment nga libri i Sabri Godos “Plaku i Butkës”) Në Kongresin e Lushnjës, Sali Butka shkoi si delegat i Kolonjës dhe u bashkua me burrat e mëdhenj të kombit, atje ku po hidheshin themelet e shtetit të pavarur shqiptar.

Plaku shkoi në qytetin ku do të mblidhej Kongresi Kombëtar gati një muaj më përpara, si mik i Ibrahim Karbunarës. Ditën e 28 Nëntorit, ai mbajti një fjalim në mitingun e organizuar në Lushnjë, me rastin e Festës së Flamurit. Ja kronika e asaj dite të 28 Nëntorit 1919: “Mëngjesi... u gdhi i stolisur me flamurë kombëtarë, i gjithë qyteti ishte në festë; në ora 10: 00 u bënë tedeumet si në kishë e në xhami, mandej populli u grumbullua përpara godinës së nënprefekt­urës. Në këtë moment u këndua himni kombëtar... Mbasandaj doli Sali Butka, i thjeshtë në shprehje, por kuptimplot­ë. Saliu tha midis të tjerash: “Mua më janë vranë dy djemtë për çlirimin e atdheut, por kurrë nuk u dëshpërova, sepse ata bënë detyrën si gjithë patriotët e tjerë që ranë dëshmorë. Sot jam kryelartë, kur shoh që ëndrrat e tyre dhe të gjithë shokëve të tyre, si Spiro Bellkameni, Themistokl­i Gërmenji e të tjerë, u plotësuan. Në këtë moment, Sali Butka prek flamurin kombëtar me dorë dhe e puth”. ( Arkivi i Institutit të Historisë, A- V73)

Plaku përshëndet­i me vargje Kongresin Kombëtar të Lushnjës, Këshillin e Lartë dhe qeverinë që dolën nga ky kongres: Uronj Këshillën e Naltë Me faqe të bardhë daltë Dhe me një Shqipëri të plotë! Shpirti im kështu më thotë. Më pas Sali Butka lëshoi kushtrimin për çlirimin e Vlorës dhe Sazanit nga pushtuesit italianë me vargjet: Për Sazanë dhe për Vlorën Do të vritemi të tërë!” Vargje nga libri me vjersha i Sali Butkës, “Ndjenja për Atdhenë”, botuar në Korçë në shtypshkro­njën “Dhori Koti”, viti 1920.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania