I vjedhin shtëpinë e më pas e djegin, pronari: Duhet ikur natën

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Banesa e dy vëllezërve në fshatin Rusani të Delvinës është shkrumbuar mesditën e djeshme nga flakët. Ata janë shprehur në deklaratat e tyre se banesa është djegur nga grabitësit, të cilët pasi kanë marrë ç'gjetën, i kanë vënë flakën për të zhdukur gjurmët. Sipas informacio­neve nga uniformat blu, ngjarja mësohet se ka ndodhur mesditën e së hënës në fshatin Rusan të Delvinës. E njëjta banesë në pronësi të dy vëllezërve Jorgo Stavro dhe Alqi Gjini është grabitur edhe dy vite më parë. Në shtëpinë ku kishte orendi dhe prodhime artizanale nuk shpëtoi asgjë. Të dy vëllezërit janë shprehur mjaft të shqetësuar rreth asaj çfarë kishte ndodhur. Njëri nga vëllezërit, Jorgo Stavro, është shprehur se: "Ça t'u themi fëmijëve, të keqen babai, shiko bëmë një pasuri këtu, por këtu nuk është për t'u qëndruar. Këtu është për të ikur natën. Ça të marrim në dorë? Nuk u kthyem të krijonim konflikte këtu. Të shikonim punën tonë. Punuam në Greqi, nuk na ra njeri në qafë. Nuk na dogji apo vodhi njeri". Mes lotësh dhe zërit që i dridhej, Jorgo Stavro, të cilit iu dogj banesa në Rusan, ecën më tej duke lëshuar akuza të forta për drejtësinë dhe duke shtuar se nuk beson që Shqipëria do bëhet. Teksa ka rrëfyer një tjetër ngjarje që ka ndodhur në 2018, ku disa persona i kanë vjedhur vajin e ullirit dhe se Gjykata e Sarandës liroi hajdutët, edhe kur këta të fundit pohuan se ishin ata autorët. Ata kanë bërë denoncimin e ngjarjes së djeshme në Policinë e Sarandës, duke dhënë edhe dëshmitë e tyre. Kjo e fundit ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen, e cila ka prekur të njëjtën familje brenda dy viteve. sh. d.

Jorgo Stavro, pronari i shtëpisë së djegur

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.