FAMILJARËT E PRENGËS: AUTORËT NUK I NJOHIM, POLICIA TË GJEJË TRUPIN

Panorama (Albania) - - AKTUALITET -

Në një kohë që Policia e Shtetit konfirmoi dje se 48vjeçari Jan Prenga, që u mor peng në Kamzë, gjeti vdekjen që atë ditë, pas dhunës dhe humbjes së gjakut, teksa e transporto­nin drejt resortit ku do të mbahej, reagoi për herë të parë familja e viktimës. Edhe pse ende nuk është gjetur trupi i Prengës, familja e tij ka hapur dyert e mortit, ndërkohë që i bëjnë apel shtetit ta gjejë trupin sa më parë dhe ta sjellë pranë familjes. Familjarët e 48- vjeçarit janë lajmëruar nga Policia në lidhje me përfundimi­n e arritur gjatë hetimeve dhe dyshimeve se ai është vrarë nga pengmarrës­it. Nga ana tjetër, në lidhje me personat e arrestuar, familjarët e Prengës kanë deklaruar se nuk i njohin. Kunati i tij, Mark Suli, burri i motrës së viktimës, në një prononcim për "News 24", ka thënë se janë njoftuar nga Policia për fundin tragjik të familjarit të tyre. "Policia na thirri mbrëmë ( të hënën) dhe na tha se ai nuk jeton më", u shpreh dje kunati i Prengës. Sipas tij, ai nuk ka pasur asnjë konflikt me askënd, me aq sa familja ka dijeni. Ndërsa sa u përket personave që u arrestuan në Shijak në lidhje me pengmarrje­n e 48- vjeçarit, ai thotë se familjarët dhe ai vetë nuk i njohin dhe nuk kanë pasur të bëjnë asnjëherë me ta. "Nuk i njohim të arrestuari­t, as ne, as personi që është marrë peng, as ka pasur asnjë lloj llogarie me ta", ka thënë më tej ai, duke i bërë apel shtetit që të gjejë trupin e të afërmit, që deklarohet se nuk jeton më. "Shteti të gjejë trupin sa më shpejt dhe ta sjellë atë në shtëpi. Autorët të vihen para drejtësisë", ka thënë kunati i Prengës, duke deklaruar se informacio­nin e kanë marrë vetëm nga Policia.

"Nga veprimet hetimore, rezulton se personi i rrëmbyer, si pasojë e goditjeve të marra dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportu­ar për në resort, aty ku do mbahej peng", tha zyrtarisht Policia. E njëkohësis­ht, njoftoi se ka arrestuar 4 persona në lidhje me pengmarrje­n e Prengës, të cilët, ndër të tjera, akuzohen edhe për "Fshehje ose asgjësim të kufomës". Gjatë operacioni­t të koduar "Resorti", nisur nga të dhënat hetimore se pengu ishte dërguar nga Kamza në resortin e familjes Hajri në Shijak, nuk u arrit të gjendej asnjë gjurmë e Jan Prengës. Megjithatë, burime zyrtare të Policisë thanë se përmes hetimeve të thelluara, në bashkëpuni­m me Prokurorin­ë e Tiranës, duke përdorur metodat proaktive, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes. "Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizato­rët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konfliktev­e kriminale në Britaninë e Madhe", tha Policia. Burimet sqaruan se konflikti në fjalë ka të bëjë me një ngarkesë të madhe droge, konkretish­t rreth 280 kg kokainë, që një nga vëllezërit e Prengës në Angli, nuk e ka dorëzuar te pritësit.

HETIMI

Burime nga grupi hetimor thanë se Jan Prenga është marrë peng mesditën e 17 janarit në Kamzë, për t'i ushtruar presion vëllezërve të tij, në mënyrë që të kompensohe­shin për 280 kg kokainë, që nuk kishte mbërritur në destinacio­n në Angli. Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimor, që po shkëmben informacio­n edhe me autoritete­t Britanike, ngarkesa e drogës dyshohet se ishte nisur nga Ekuadori dhe do të dorëzohej te pritësit, anëtarë të grupit "Hajri", por edhe disa grupeve të tjera kriminale që veprojnë atje. Për nxjerrjen e sigurt të ngarkesës së kokainës nga porti në Angli, ishte ngarkuar një nga vëllezërit e Jan Prengës, shtetasi A. Prenga, që aktualisht është në hetim nga autoritete­t britanike. Ky i fundit dyshohet se kishte nxjerrë edhe një sasi tjetër për llogari të të njëjtëve persona. Edhe këtë sasi, pra 280 kg kokainë, ai e ka nxjerrë nga porti, por droga është "zhdukur", duke mos shkuar në duart e pritësve. Ky dyshohet të ketë qenë shkaku i pengmarrje­s e më pas edhe vrasjes së Jan Pregës në Shqipëri.

OPERACIONI

Policia e Shtetit finalizoi të hënën operacioni­n e koduar "Resorti", për kapjen e autorëve të pengmarrje­s së 48vjeçarit, Jan Prenga në Kamzë. Forcat speciale RENEA, në bashkëpuni­m me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë e Durrës, në koordinim nga Departamen­ti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe nën drejtimin e Prokuroris­ë së Tiranë nisën aksionin që prej orëve të para të mëngjesit. "Në vijim të punës nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 17.01.2020, në rrugën ' London', Kamzë, ku disa persona rrëmbyen 48vjecarin J. P., pas një hetimi të thelluar, në bashkëpuni­m me Prokurorin­ë, duke përdorur metodat proaktive, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje. Në bazë të provave të grumbullua­ra nga grupi i posaçëm hetimor, Gjykata e Tiranës nxori urdhër për të ushtruar kontroll në disa subjekte private, hotele dhe tri banesa private në fshatin Pjezë, Shijak, Durrës, si dhe urdhra ndalimi për disa shtetas", tha zyrtarisht Policia. Në këtë kuadër, u zhvillua operacioni policor "Resorti", si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasve: Leonard Hajri, 35 vjeç, i dënuar më parë, Olsi Tarja, 36 vjeç, Elton Hajri, 32 vjeç dhe Bajram Hajri, 64 vjeç, banues në Shijak. Policia sekuestroi 2 armë zjarri pistoleta, një sasi municioni, 16 aparate celulare, 4 automjete dhe një shumë eurosh. Policia tha se nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se personat, pas rrëmbimit të shtetasit Jan Prenga, kanë shkuar direkt në resortin në pronësi të shtetasit Altin Hajri, i shpallur në kërkim.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.