“S’kam ku shkoj, do mbytem në det bashkë me fëmijët”

Kërcënojnë me vetëflijim, pasi u njoftuan të ikin nga hotelet

Panorama (Albania) - - SOCIALE -

Të strehuarit pas tërmetit të 26 nëntorit në Shëngjin, nuk i janë bindur urdhrit të autoritete­ve lokale, që u kishin vendos 31 janarin si afat të fundit për të lënë hotelet ku qëndrojnë. Të paktë kanë qenë banorët që janë larguar nga hotelet e Shëngjinit këtë të premte. Ata që lanë hotelet thonë se janë të detyruar të rikthehen në banesat e dëmtuara apo në çadra, pasi nuk kanë zgjidhje tjetër. Një banor nga Mamurrasi që doli nga hoteli, thotë se ka mbetur në qiell të hapur, pasi shtëpia e tij është shkatërrua­r. Ai flet për akte vetëflijim­i, në kushtet kur ndihet i braktisur nga shteti. “Unë do shkoj të mbytem në det me gjithë fëmijët e mi, se nuk kam ku të shkoj. Banesa ime është shembur në Mamurras, na ka rënë në tokë. Na sollën këtu dhe tani po na hedhim në rrugë. E lashë hotelin dhe bonusi i qirasë ende nuk ka dalë. Që në ditët e para kam kërkuar për shtëpi me qira, por nuk kam mundur të gjej. Jam i detyruar të shkoj të jetoj me vëllezërit e mi në çadra, ku po bërtasin fëmijët e vegjël nga i ftohti”, tha banori i Mamurrasit. Ndërkohë, një banor nga Torovica e Lezhës, të cilit i është thënë të lërë hotelin në Shëngjin, thotë se nuk ka mundësi financiare për të shkuar në shtëpi tjetër, pasi banesa e tij është shkatërrua­r nga tërmeti. Ai kërkon ndihmë nga shteti, teksa ende nuk ka marrë bonus qiraje. “Unë jam banor i Bashkisë së Lezhës dhe dola nga hoteli sot. Kanë tri ditë që na kanë paralajmër­uar për të dalë. Ndihmë ekonomike kam 6 mijë lekë. Kam 4 fëmijë, një e kam të ndarë, tre fëmijë e gruan me vete. Jemi bashkë me gruan të papunë. Nuk kemi përfituar bonus qiraje, as ma ka premtuar njeri. Shtëpinë e kam të shkatërrua­r, ballkoni i katit të pestë më ka rënë sipër. Nuk di ku të shkojmë. Fëmijët i kam sëmurë, njërin e kam në spital. Me 60 mijë lekë, të hamë bukë a çfarë të bëjmë më parë?”, shprehet ai. Ndërsa banorët që vijojnë të qëndrojnë në hotele paralajmër­ojnë rezistencë nëse do tentohet largimi i tyre forcërisht, siç i kanë paralajmër­uar. Shumë prej tyre thonë se nuk kanë përfituar ende bonusin e qirasë dhe në këto kushte, nuk kanë ku të shkojnë. “Nuk kam marrë bonusin se më thonë nuk të takon, se s’ke letra për shtëpi. Unë jam invalide dhe jam në një situatë shumë të vështirë. Na kanë thënë të dalim, por unë nuk do dal se nuk kam ku të shkoj. Shtëpia më është shkatërrua­r plotësisht. Kanë ardhur tëbashkisë, më thanë nëse nuk dilni vetë, do t’ju nxjerrim forcërisht me Polici. I thashë mos ma përmend Policinë, por i tregova se po me prekën me dorë, do t’i godas dhe unë”, thotë banorja e Kurbinit. Një tjetër banor tregon se ka aplikuar për bonusin e qirasë, por paratë nuk i kanë kaluar ende. “Kam aplikuar për bonusin e qirasë, por ende s’më kanë kaluar paratë në bankë. Na kanë thënë të dalim nga këtu, por se ku do shkojmë nuk e di. Ma mirë të mbytemi në det, se s’kemi zgjidhje tjetër. Shteti duhet të ndërhyjë për të na gjetur strehim, pasi ne e kemi të pamundur, sepse banesa me qira nuk ka në zonën e Kurbinit”, tha ai. Në hotelet e Shëngjinit aktualisht janë të strehuar rreth 700 persona nga Kurbini, Lezha dhe Thumana. Zyrtarët e bashkive u kanë kërkuar banorëve që të lirojnë hotelet ku qëndrojnë të strehuar, pasi në të kundërt do të ndërhyhet forcërisht për t’i larguar nga vendi ku qëndrojnë të akomoduar. e. h.

Banorët e prekur nga tërmeti, dje në Shëngjin

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.