Vrau gruan në Itali, burri e pranon: E bëra nga xhelozia

Dy fëmijët e çiftit shqiptar mohojnë grindjet e ndarjen

Panorama (Albania) - - AKTUALITET - ITALI

Eduart Zyberi, burri 53- vjeçar që u gjet i plagosur pranë kufomës së gruas së tij, Laureta Zyberi, 43 vjeç, ka pranuar dje vrasjen brenda një apartament­i në një vilë historike në Xhenova të Italisë.

Ngjarja ndodhi në vilën "Durazzo Grimaldi Chiarella", ku viktima ishte punësuar nga pronari i saj, një burrë rreth të 30- ave, për të bërë punët e shtëpisë. Burri i viktimës, me të cilin ishte martuar para 25 vitesh, me profesion murator, pasi e kaloi rrezikun për jetën, shqiptoi dje para oficerëve të Policisë motivet e krimit, që sipas tij kishin të bënin me xhelozinë. Gruaja u plagos rëndë me dhjetë goditje thike, në pjesën e përparme dhe të pasme të trupit dhe nuk arriti të mbijetojë. Ndërsa i shoqi tentoi të vetëvritej, duke goditur veten një herë me thikë në bark. Mediat italiane shkruanin dje se për momentin motivi më i besueshëm nga hetuesit është ai i xhelozisë. Policët mblodhën disa dëshmi, përfshirë ato të dy fëmijëve të çiftit. Askush nuk foli për grindje apo ndarje. Marrja në pyetje e 53- vjeçarit Eduart Zyberi, për detajet e ngjarjes së rëndë, do të kryhet në fillim të javës tjetër. Burri aktualisht ndodhet në spital, ku i është nënshtruar një operacioni në bark dhe është jashtë rrezikut.

VRASJA

"Një grua u vra nga një burrë që, nga raportet e para, do të ishte burri i saj. Burri më pas u përpoq të vriste veten", kështu shkruanin dy ditë më parë mediat italiane për një krim në familje që ndodhi në Xhenova, ku viktima dhe autori ishin shqiptarë. Sipas mediave të vendit fqinjë, gruaja ishte në një apartament ku punonte si shtëpiake dhe ishte punëdhënës­i i saj që e gjeti të vdekur në një pellg me gjak dhe pranë saj ishte edhe i shoqi i plagosur. Ai telefonoi menjëherë ambulancën dhe ekipi i mjekëve e transporto­i burrin e plagosur në Spitalin "San Martino". Gjithashtu, ai kishte lajmëruar edhe Policinë. Në mbrëmje, kur kishin kaluar disa orë nga ngjarja, u zbuluan edhe identitete­t e viktimës e autorit. Gruaja që ndërroi jetë quhej Laureta Zyberi, 43 vjeç, ndërsa autori i krimit ishte bashkëshor­ti i saj, 10 vjet më i madh, Eduart Zyberi, 53 vjeç. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se burri e merrte gruan e tij nga puna në një motor. Kështu kishte vepruar edhe atë ditë para se të kryente vrasjen. Kishte shkuar me motor pranë shtëpisë ku ajo punonte, por ndryshe nga herët e tjera, nuk e mori për ta çuar në shtëpi. "Skuteri" u gjet nga Policia i parkuar poshtë shtëpisë ku punonte viktima. Pronari i saj, i cili u përball i pari me skenën e krimit, kishte dalë në mëngjes për të shkuar në punë, duke e ditur se pasdite shtëpia do të ishte e pastër, pasi aty punonte Laureta. Por, pasi u kthye në apartament, ai e gjeti gruan në tokë në mes të një pellgu gjaku. "Ai thirri ekipin e ndihmës së shpejtë dhe Policinë, por mjekët nuk ishin në gjendje të bënin asgjë për të shpëtuar viktimën, pasi plagët e shkaktuara nga burri i saj ishin shumë të thella. Burri, nga ana tjetër, i plagosur, kishte humbur shumë gjak nga një plagë që i kishte shkaktuar vetes në bark, por është dërguar me urgjencë në Spitalin ' San Martino' dhe është shpëtuar nga mjekët. Policia e raporton atë nën arrest për vrasje", shkruajnë mediat italiane.

ÇIFTI

Të dy me origjinë shqiptare, Laureta dhe Eduart Zyberi jetonin prej kohësh në Itali. Ata ishin martuar 25 vite më parë dhe në vitin 1996 kishin mbërritur në Itali, ku kishin filluar punë. Ende nuk është e qartë nëse ata ishin në proces ndarjeje apo kishte ndonjë ftohje të marrëdhëni­eve të tyre. Hetuesit zbuluan se gruaja ishte në punë kur i shoqi shkoi në shtëpinë ku ajo punonte dhe mesa duket, mund të ketë pasur një debat të ashpër. Nuk dihet nëse thika e krimit e gjetur në vendngjarj­e, ishte marrë në kuzhinën e shtëpisë apo Eduarti e kishte me vete, që do të shpjegonte nëse krimi ishte me paramendim ose jo.

Viktima Laureta Zyberi, me bashkëshor­tin Eduart Zyberi

Policia në vendin e ngjarjes

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.