Panorama (Albania)

“Dyshimet e Vito Kapos për helmimin e Hysniut”

“Enveri u përpoq ta bindte Viton se Hysniu vdiq nga kanceri”

- Nexhmije Hoxha

Hysni Kapo vdiq në 23 shtator 1979, në Paris. As doktorët francezë nuk arritën t’ia zgjasnin jetën udhëheqësi­t komunist. Ishte Ramiz Alia ai që i dha lajmin e kobshëm Enver Hoxhës, përmes një radiogrami. Ky i fundit e kishte nisur vetë Ramiz Alinë në Paris, që të mund të ndiqte nga afër gjithë ecurinë e operacioni­t dhe kurimit të Hysni Kapos, ta mbante atë të informuar dhe t’i qëndronte pranë bashkëshor­tes së tij, Vitos. Këto tregon Nexhmije Hoxha në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, ku një kapitull më vete ia kushton raportit të të shoqit me Hysni Kapon. “Mbas përcaktimi­t të diagnozës së rëndë, Enveri ishte i preokupuar se si do ta priste Vitoja atë lajm të kobshëm. Duke njohur dhe temperamen­tin alarmant të Vitos, ai ishte i mendimit që ajo nuk duhej të vihej menjëherë në dijeni, pasi gjendja e saj emocionale mund të krijonte dyshime te Hysniu, i cili duhej të mbahej në gjendje sa më të qetë për ta përballuar situatën e rëndë”, shkruan Nexhmije

Hoxha në librin e saj. Me këtë mendim të Enverit ishin edhe mjekët tanë, të cilët i jepnin një rëndësi të madhe qetësisë shpirtëror­e të pacientit. Në letrën që i dërgon M. Shehut, Ll. Ziçishti shkruan: “Bëmë çmos për të bindur profesor Aleksandri­n që të mos i tregojë shoqes Vito diagnozën e vërtetë, siç veprohet në këto raste në Francë. Shoqes Vito iu shpjegua se u hoq fshikëza e tëmthit dhe u ndërhy në pankreas për heqjen e kistit, biopsia e të cilit paraprakis­ht tregoi për një proces me natyrë beninje. Për patologjin­ë e vërtetë janë në dijeni vetëm profesor Hoxha, doktor Gaçe, doktor Dinia dhe unë, kurse në Tiranë e di vetëm shoku Kadri, me të cilin jemi marrë vesh me anën e fjalëve konvencion­ale, që kishin përcaktuar më parë... Sot, gjendja e pacientit është e kënaqshme, ajo është më e qartë... por do të vazhdojë akoma të mbahet në repartin e reanimacio­nit... Kemi përshtypje­n se pacienti nuk dyshon në gjë të keqe”. Në fakt, pas kësaj letre, gjendja e Hysniut u komplikua dhe radiograme­t që vinin për të ishin të shumta, derisa mbërriti radiogrami i fundit, më darë 23 shtator, nga Ramiz Alia, ku thuhej: “Me pikëllim ju njoftoj se sonte, në orën 21: 30, vdiq shoku ynë i dashur, Hysni Kapo”. Enveri e përjetoi me dhimbje të thellë vdekjen e Hysniut. “Nuk e shpëtuam dot, nuk ia zgjatëm dot jetën”, thoshte ai me hidhërim.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania