Pajtuesi i gjaqeve: Djali im s’ka lidhje, ndihmoi për lirimin e pengut

“Takimi me familjet Doçi, Gështenja dhe Bleta për lirimin e Jan Prengës dhe droga e marrë nga anglezi për llogari të Astritit”

Panorama (Albania) - - AKTUALITET - SENAD NIKSHIQI Nikollë Shullani

Në ngjarjen e rëndë ku u mor peng dhe më pas u vra shtetasi Jan Prenga, është përfshirë emri i Nikollë Shullanit, kryetar i shoqatës “Misionarët e paqes dhe pajtimit të gjaqeve” dhe djalit të tij, Gëzim Shullanit.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama”, Nikollë Shullani sqaron lidhjen që ka djali i tij në pengmarrje­n e Jan Prengës dhe ndihma që ai ka dhënë për gjetjen e trupit të 48vjeçarit. Po ashtu, pajtuesi i gjaqeve tregon edhe momentet kur ka shkuar në familjen Doçi, Gështenja dhe Bleta, pasi i kanë dalë emrat e djemve që kanë lidhje me këtë ngjarje. 48- vjeçari Prenga u mor peng në Kamzë më 17 janar, u torturua deri në vdekje, ndërsa ende nuk dihet asgjë për trupin e tij.

Emri juaj ka dalë si pjesë e përgjimeve për sa i përket çështjes së rrëmbimit të Jan Prengës. Si qëndron e vërteta?

Faleminder­it shumë dhe jam shumë i kënaqur që keni ardhur të sqaroj problemin e ngjarjes. Unë jam kryetari i “Misionarët e paqes dhe pajtimit të gjaqeve” të Shqipërisë, me vendim të Gjykatës së Tiranës. Kam të drejtë të shkoj në çdo familje shqiptare për pajtim, për çdo shqetësim e për çdo ngjarje që ndodh me familjet shqiptare, në bazë të zakonit të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Për sa i përket rastit të familjes Prenga, ata kanë pasur një fatkeqësi shumë të rëndë. Para disa ditësh më kanë ardhur në shtëpi Anton Prenga, Pjetër Prenga dhe Zef Prenga, e më kanë treguar se çfarë u ka ndodhur. Unë i thashë se e di se çfarë u ka ndodhur, që u kanë rrëmbyer të vëllanë. Unë me familjen Prenga kam pasur miqësi të vjetër dhe nuk e mohoj për fatkeqësin­ë që ka ndodhur, edhe pse tani s’i kam më miq. Ata më kanë thënë se kanë emra nga Shkodra që janë përmendur për rrëmbimin e vëllait tonë. M’i kanë treguar këta personat dhe u kam thënë: Matuni mirë se është shumë e rëndë t’i bësh atij tjetrit një akuzë kaq të rëndë pa qenë prezent. Ata më kanë thënë se është e vërtetë se na i ka treguar vlonjati se vëllanë ua ka rrëmbyer Doçi, Gështenja dhe Bleta. Unë u kam thënë se familjen Doçi e njoh, jam rritur me ta, i njoh shumë mirë. Familjen Gështenja dhe Bleta nuk i njoh, ata janë lindur dhe rritur në Dukagjin dhe erdhën në Shkodër në vitin 1947. Unë kam shkuar te familja Doçi dhe kam takuar babanë e Gentjan Doçit. Jam rritur me të dhe i kam thënë se familjes Prenga i ka humbur një vëlla dhe është përmendur emri i Gentit. I kam thënë t’i bëjë thirrje në emër të Zotit, njerëzisë dhe bukës që kemi ngrënë bashkë. Fol me Gentin, i kam thënë, në qoftë se ka dijeni për këtë punë, të na ndihmojë për gjetjen e tij, o gjallë, o vdekur. Edhe për çdo gjë që t’u ketë borxh familja Prenga, u kam thënë, jam unë dorëzanës. “Nikollë,- më ka thënë,- më vjen shumë keq për fatkeqësin­ë që ka ndodhur, por unë kam 8 muaj që nuk kam folur me djalin, atë djalë e kam në rrugë, në kërkim ndërkombët­ar nga Italia. Unë do përpiqem të flas me të dhe do t’i them që më ka ardhur Nikollë Shumani dhe nëse ka dijeni për këto, të më kallëzojë mua. Por, nëse flas apo jo, këtë nuk e di”. “Gjithsesi,- tha,- nëse djali më merr, do t’i them që të flasë vetë për këtë”. Kemi dalë nga aty dhe shkuam te Nikë Bleta, në Grudë. Kam thirrur te porta e shtëpisë dhe nuk ka dalë askush. Më vonë doli një grua dhe më pyeti se kush isha. I thashë se jam pajtimi i gjaqeve dhe më tha që Niku nuk është këtu, ka ikur jashtë. I kam thënë shprehimis­ht: I thuaj Nikut, që është përmendur emri i djalit tënd nga Rexhepi nga Vlora në burgun e Ekuadorit dhe kam pasur nevojë të takohem me ty e të them dy fjalë. “Nuk di gjë për këtë punë”, më tha. Nga aty kemi shkuar te familja Gështenja. Aty kam gjetur një respekt shumë të madh prej gjyshit dhe gjyshes së Korado Gështenjës. Ai është nipi i tyre. Hymë brenda në shtëpi, pimë kafe dhe u thashë se çfarë kishte ndodhur. U kërkova të flisnin me djalin dhe nëse kishte dijeni të ndihmojnë për kufomën, sido që të jetë, gjallë apo vdekur. Çfarëdo që të ketë me familjen Prenga, dorëzanë do të jetë Nikollë Shumani. Nuk është kollaj të hysh dorëzanë, ju e dini shumë mirë. Por unë kam hyrë të bëj mirë dhe të nxjerr Jan prengën ose gjallë, ose vdekur, të shkojë te familja e vet. Unë i njoh ata, e di çfarë halli kanë. Kemi dalë nga aty dhe më ka thënë Gjoni që do të bisedojë me djemtë e tij dhe për tri- katër ditë do të kthente përgjigje. Kemi ikur, unë për në shtëpinë time dhe ata për në Tiranë.

Pas katër ose pesë ditësh, më ka marrë në telefon Gjon Gështenja dhe më ka thënë që të shkoja te shtëpia e tij. Kam shkuar aty dhe i kam gjetur të gjithë meshkujt ulur. “Djali,- tha,- nuk ka ardhur se është në kërkim nga Policia”. Gjoni tha se kishte biseduar me Koradon dhe i ka thënë: “Gjysh, nuk kam faj, s’jam i përzierë në këto punë”. Pasi të kryejë llogaritë me shtetin shqiptar duke qenë së është në kërkim, është i gatshëm për të bërë be në kishë në praninë e 24 burrave, siç e kërkon kanuni e zakoni. Nuk është kollaj të bësh “be”. Kemi ikur, unë shkova te shtëpia ime. Pastaj kanë filluar problemet tek unë. Mediave unë nuk u kam asgjë borxh, pasi më njohin të gjithë dhe më respektojn­ë kudo. Më kanë përmendur edhe djalin. Cili është roli i djalit tuaj? Djali im, që prej 22 vitesh, është në Britaninë e Madhe dhe ka një brigadë ndërtimi, jeton e punon aty. Jo se është djali im, por flasin të gjithë mirë për atë. Me Prengajt ka ndenjur, ka punuar, i ka pasur punëtorë dhe kemi miqësi se vajzën e vëllait tim e ka pasur Anton Prenga. Unë i kam thënë djalit në telefon që kur kanë ardhur Prengajt në shtëpinë time, “Gëzim, bisedo me ta, bab. Nëse kanë marrë mall ta dorëzojnë dhe ta lirojnë mashkullin se kam ndërhyrë edhe unë këtu për lirimin e Jan Prengës”. Djali ka biseduar me ta, familja Prenga e ka dorëzuar mallin dhe djali im nuk ka asnjë rol tjetër në këtë punë. Se kanë thënë që ka shkuar djali im në port dhe ka tërhequr një maune, e gjithë kjo, ta dinë mirë, që është një gënjeshtër. Se maunia ka qenë me banane dhe nuk e tërheq ai që s’e ka kodin, atë e ka pasur anglezi. Djali im s’ka pasur asgjë. Gëzim Shullanin e kanë ngatërruar kot me këtë histori. Këta, të kishin qenë të sinqertë, pse nuk e kanë marrë një herë djalin e tim e ta pyesnin se cili është roli i tij në këtë punë që e kanë përmendur. Për kë e keni fjalën? Për këta të Shqipërisë, gazetarët. Djali po, u ka thënë atyre që më ka thënë babai që të dorëzoni mallin, në mënyrë që të lirohet pengu atje. Kaq ka qenë edhe roli i tij në këtë punë.

Përveç Prengajve, djali njeh edhe palën tjetër?

Jo, jo, djali im nuk njeh askënd tjetër. Ka ikur që 16 vjeç në Britaninë e Madhe dhe nuk njeh as personin nga Vlora, as Gështenjat e as Bletën. Prengajt i njeh se ka punuar me ta.

Pse mendoni se ka dalë emri i djalit tuaj në përgjime?

Kjo është dashakeqës­i. Djalit tim sikur t’i japësh miliardat, në atë port nuk hyn kurrë. Në port, për të hyrë e të marrë makinën të ngarkuar me banane, ka hyrë anglezi. Astriti ka pasur llogari me anglezin.

Mund ta kenë ndarë sasinë e drogës, pasi e kanë marrë nga porti?

Unë nuk di gjë. Djali më ka thënë që ka folur me ta dhe të dorëzojnë mallin nëse e kanë marrë.

Deri më sot, djali është kontaktuar nga autoritete­t shqiptare apo britanike për të sqaruar pozicionin e tij?

Nuk bëhet fjalë për asgjë, përveç lajmeve që ka lexuar nëpërmjet “Facebook” apo televizori­t.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.