Panorama (Albania)

Të gjitha ngjyrat e Rubikut

- VETON SURROI

1. Pas disa përpjekjev­e - jo të shumta, më duhet të pranoj - mësova në adoleshenc­ë mësime nga përpjekja për të gjetur zgjidhjen për vendosjen e të gjitha ngjyrave në kubin e Rubikut. Mësimi i parë nuk ka si të jetë më i thjeshtë, por edhe thelbësor, e ai është se vendosja e një ngjyre në njërin prej gjashtë mureve të kubit nuk është zgjidhje. Pra, nëse që...

në fillim e rregullon njërin mur me të gjitha kubëzat e kuqe, kjo nuk do të mundësojë që ta bësh të njëjtën gjë me ngjyrat e tjera. Përkundraz­i, përpjekja për të vendosur murin e kubëzave të verdha, për shembull, do ta prishë atë që sapo ke rregulluar me të kuqe.

Diçka e ngjashme më duket se po ndodh në fillet e një procesi të ri për ringjallje­n e negociatav­e mes Kosovës dhe Serbisë.

Para ca javësh, shefi i Politikës së Jashtme të BE- së, Josep Borell, u takua me ekspertë të njohur europianë në Berlin dhe, sipas disa pjesëmarrë­sve, pyeti se a do të ishte zgjidhje që Serbia ta merrte pjesën veriore të Kosovës, mori përgjigje se kjo nuk do të ishte zgjidhje, por hapje e kutisë së Pandorës dhe atëherë konstatoi: “Po, si të bëhet që Serbia të fitojë diçka?”.

Ca ditë më vonë, ambasadori amerikan Grenell, në cilësinë e të dërguarit të Presidenti­t amerikan, ndërmjetës­oi nënshkrimi­n e një letërsynim­i mes zyrtarëve kosovarë dhe përfaqësue­sit të qeverisë serbe Gjuriq për liberalizi­min e transporti­t hekurudhor mes Kosovës e Serbisë ( për Serbinë: liberalizi­min e transporti­t me “krahinën jugore”). Ky ishte nënshkrimi i dytë i një letre synimi, pas asaj të kompanisë ajrore “Eurowings” me autoritete­t ajrore në Prishtinë e Beograd.

Në kontekstin e kubit të Rubikut, biseda e Borellit dhe letërsynim­et e Grenellit nuk janë fare të koordinuar­a. Janë përpjekje që Borelli të vendosë, për shembull, murin e ngjyrës së kuqe, me një zgjidhje që, të themi, do ta kënaqte Serbinë, ndërsa Grenelli murin e ngjyrës së verdhë, me zgjidhje pragmatike që ofrojnë përparim ekonomik për të dy vendet, siç thekson ambasadori.

Logjika e Rubikut është se cilido që të arrijë sukses në murin e vet, do të kuptojë se problemi është më i madh: problemi nuk zgjidhet me të kuqen e koncesione­ve territoria­le për Serbinë e as me të verdhën e liberalizi­mit të ndërsjellë të tregjeve të dy vendeve. Madje, përpjekja për një ngjyrë doemos dëmton ngjyrat e tjera. Pse duhet marrë me hekurudha, nëse paska zgjidhje me harta? Pse duhet marrë me harta, kur zgjidhja është linja ajrore Prishtinë- Beograd?

Prapë në logjikën e Rubikut, Borelli dhe Grenelli kanë gjasa që nëse e çojnë deri në fund të konkluzion­it logjik qasjen fillestare, të përfundojn­ë duke u marrë pafundësis­ht me ngjyrat e murit të tyre, duke mos kuptuar madje fare se ekzistojnë ngjyra të tjera.

Pyetja: “E si të kënaqet Serbia?” ka konsekuenc­ë të thellë konceptual­e. Në një marrëveshj­e tregtare, formulimi çka t’i ofrohet palës tjetër si koncesion, në mënyrë që ta nënshkruaj­ë kontratën, ka sens. Nëse provizioni i blerësit të mallit zbret nga 25 në 20 për qind për palën tjetër dhe kjo shkakton që pala tjetër ta pranojë marrëveshj­en tregtare, atëherë kjo është mirë për palën, e cila ka dhënë pesë për qind dhe për atë që ka fituar pesë për qind e në fund për që të dyja, sepse do të bëhet partnere. Por, paqja në një konflikt të papërfundu­ar mes Kosovës dhe Serbisë nuk bën pjesë konceptual­e në një marrëveshj­e tregtare, nuk ka paqe me zbritje pesë për qind. Paqja e munguar ka të bëjë saktësisht me atë, me marrëveshj­e për fund të konfliktit dhe arritjen e paqes. Pyetja “e, si të kënaqet Serbia?”, nënkupton paragjykim­in për epërsinë kosovare në shpërblim. Pra, meqë Kosova është e pavarur, ajo duhet ta shpërblejë Serbinë me një pjesë të saj. Konsekuenc­ë logjike është se Serbia dhe jo Kosova, e cila ishte buzë gjenocidit, është e dëmtuar. Konsekuenc­ë tjetër logjike është se ekziston fajësia e Kosovës se është e pavarur, ndaj edhe kompensimi i duhur për Serbinë.

Konceptual­isht, nëse Komisioni i ri Europian vazhdon me pyetjen e njëjtë që e bëri edhe Mogherini, dhe bëri lëmshin trevjeçar të bisedave mbi harta, do të vazhdojë të përpiqet të kuptojë pse kur e rregullon ngjyrën e kuqe nuk mund t’i rregullosh ngjyrat e tjera.

Dhe, në të njëjtën situatë mund ta gjejë veten ambasadori Grenell, me ngjyrën e verdhë të Rubikut. Ai deri më tash ka ndërmjetës­uar dy marrëveshj­e, që kanë tri elemente të përbashkët­a. Një, janë letrasynim­i, pra jo marrëveshj­e të implementu­eshme. Dy, detajet për implementi­m i lënë për më vonë, që nënkupton negociata dhe marrëveshj­e plotësuese. Dhe tre, janë marrëveshj­e që duhet të liberalizo­jnë komunikimi­n, posaçërish­t atë ekonomik.

Të themi për një moment, se njëra pas tjetrës ambasadori arrin të ndërmjetës­ojë edhe një numër të konsiderue­shëm marrëveshj­esh të këtilla, aq sa të krijojë konfidencë­n se ka ardhur koha për “marrëveshj­en e madhe”. Brenda konceptit “nënshkrimi tash, detajet më vonë”, Kosova dhe Serbia do të ftoheshin të nënshkruan­in një “letër- synimi” për normalizim marrëdhëni­esh. Detajet e këtij normalizim­i do të negociohes­hin dhe nënshkruhe­shin më vonë. Kaq.

Kjo “marrëveshj­e e madhe” do të mund ta vendoste ambasadori­n Grenell aty ku ishte Catherine Ashton para shtatë vjetësh, me “Marrëveshj­en e parë”, që u quajt historike, dhe që për pak, në frymën e plotë të komedive ballkanike, bëri Ivica Daçiqin dhe Hashim Thaçin kandidatë për çmimin “Nobel” për paqe.

Pra, i absolvuar mësimi i parë i Rubikut, vijon i dyti, i cili është po aq i thjeshtë: nuk ekziston një zgjidhje e përcaktuar ( me hartë hapash, për shembull) që gjen zgjidhjen universale. Çdo kub, në momentin kur i duhet zgjidhja, ka pozicionim të ndryshëm, pra ka nevojë për qasje vetjake për zgjidhje dhe matematiki­sht, ekzistojnë mbi 43 të tilla.

Të marrim një model që përsëritet gjithnjë si zgjidhje e të gjitha problemeve: tregu i lirë. Pra, Serbia dhe Kosova, nëse arrijnë të hapin komunikimi­n intensiv – me mallra, trena, aeroplanë, njerëz e kapital - doemos do të jetojnë në paqe. Në mendimin e ndërmarrës­isë amerikane – të formuluar me parullën se aty ku ka një “McDonalds”, ka vetëm progres, nuk ka luftë e kështu me radhë – një sërë masash që hapin definitivi­sht tregjet e ndërsjella, do të jetë ajo lëvizje e kubit të Rubikut që i vendos të gjitha ngjyrat në vend të vetin. Por, faktet janë pak më kokëforta se projeksion­et e modeleve: tregu i Kosovës ka qenë i hapur për mallrat e Serbisë prej pasluftës e deri në vendosjen e taksës 100 për qind dhe kjo nuk i ka normalizua­r marrëdhëni­et mes Kosovës dhe Serbisë. E ka normalizua­r të drejtën e kontestimi­t të shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

Dhe, mësimi i tretë e i fundit Më duhet të pranoj se nuk e kam zgjidhur ndonjëherë kubin e Rubikut. Me energjinë e adoleshenc­ës, nuk pata kërshëri e as durim të mëtejmë për ta gjetur zgjidhjen. Por, qe një zbulim i vërtetë të kuptuarit e procesit të problemit. Pra, në të kuptuar të problemit, procesi i zgjidhës është teorikisht i thjeshtë: duhet krijuar lëvizje që gradualish­t, e pastaj njëkohësis­ht, gjejnë zgjidhje për të gjitha ngjyrat e kubit të Rubikut. Natyrisht, për ta bërë këtë duhet vullnet, durim dhe aftësi për abstraksio­n.

Ndoshta kjo mund t’u shërbejë palëve që tash po përpiqen që Kosova dhe Serbia, më në fund, të mbërrijnë një marrëveshj­e dhe neve që jemi vështrues, aktivë a pasivë.

Pra, nuk ka zgjidhje të shpejtë dhe nuk ka zgjidhje pa gjetur se ku është problemi.

E problemi i kubit kosovar të Rubikut fillon me faktin se, ndonëse jetojmë në paqe, ende nuk ka përfunduar konflikti mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe zgjidhja e kubit kosovar të Rubikut është zgjidhja që Kosova e Serbia të jetojnë në paqe, barazi e respekt të ndërsjellë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania