TABELA ME EMRAT Vendimi nga korriku, si merret shtesa e pensionit
Rritje mujore deri në 5 mijë lekë e pensioneve do merret edhe për muajt e kaluar. Gazeta zbardh skemën dhe emrat përfitues nga janari
Pensionistët që përfitojnë nga skema suplementare do të kenë mundësi, që krahas shtesës së këtij muaji, të përfitojnë edhe shtesën e 6 muajve paraardhës.
Kjo, sepse ligji përcakton qartë që efektet të nisin që prej datës 5 korrik 2019, kohë kur edhe ka hyrë në fuqi. Në këtë mënyrë, shuma që do të përfitojë çdo pensionist që i është llogaritur shtesa nga ISSH- ja do të variojë nga 30 deri në 35 mijë lekë të rinj mbi masën e pensionit, duke përfshirë këtu edhe rritjen për 6 muajt e kaluar. Deri më tani janë miratuar 12 vendime dhe numri i përfituesve ka shkuar në mbi 8400. Ndërkohë janë mbi 23 mijë pensionistë nga radhët e minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve që përfitojnë nga shtesa, e cila varion nga 3 mijë deri në 5 mijë lekë në muaj. Kjo do të thotë që në ditët në vijim, ISSH- ja do të vazhdojë me publikimin e listave emërore të atyre që preken nga ndryshimi i ligjit. Prej nëntorit të vitit të kaluar ka nisur edhe dorëzimi i dokumenteve. Deri më tani numërohen mbi 20 mijë aplikime.
KATEGORITË
Me pensione suplementare, sipas ISSH- së do të trajtohen të gjithë ata minatorë, naftëtarë dhe metalurgë që kanë minimumi 6 vite punë në sektorin përkatës dhe çfarë është më e rëndësishme, nga shtesa nuk do të përfitojnë të gjithë, por vetëm ata që kanë ushtruar profesione të kategorizuara të vështira dhe shumë të vështira. Nga buxheti, këtë vit janë vënë në dispozicion rreth 14 milionë dollarë. Në 5 vitet e para skema do të financohet nga shteti, më pas parashikohet një rritje e masës së kontributeve me 10 për qind, 5 nga të cilat do të paguhen nga punëdhënësi. Bazë për llogaritjen e shtesës janë vitet e punës, për minatorët rritja do të jetë me 1 për qind për çdo vit pune në minierë, ndërsa për metalurgët dhe naftëtarët me 0.6 për qind.
APLIKIMET
Për llogaritjen e shtesës nga e ana e pensionistëve është e nevojshme të dorëzohet vetëm një kërkesë, kopje e kartës së identitetit, si edhe çdo dokumentacion tjetër që vërteton llojin dhe periudhën e punës për efekt pensioni. Ndërkohë, ata që dalin rishtazi, krahas kopjes së kartës së identitetit duhet të dorëzojnë librezën e punës, vërtetim për bazën e vlerësuar për periudhat e punësimit nga data 1.1.1994 deri në datën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare nga puna ose vetëpunësimi, vërtetimin për konfirmimin e llojit të punës në profesionet e vështira, si edhe çdo dokumentacion tjetër që vërteton llojin dhe periudhën e punës për efekt pensioni.