Panik në Itali, 153 të prekur me koronavirus, PD zbulon spitalin e karantinës: Në Kavajë
SI U PERHAP VIRUSI NE VERIUN E ITALISE DHE MASAT EKSTREME TE IZOLIMIT. NE TIRANE, AUTORITETET KERKOJNE QETESI: ASNJE I INFEKTUAR, KEMI MARRE MASAT
Autoritetet shëndetësore kanë pohuar dje se në vendin tonë nuk ka asnjë rast të regjistruar me koronavirus.
Përhapja me shpejtësi e këtij virusi në Itali në harkun e pak ditëve, ka ngjallur jo pak frikë edhe në vendin tonë. Frikë dhe pasiguri prej faktit që aty jetojnë më shumë se gjysmë milionë shqiptarë, por edhe për shkak të pozitës gjeografike. Duke qenë vetëm disa milje larg, atëherë rreziku që na kanoset merr përmasa të tjera. "Dua të siguroj qytetarët se institucionet shëndetësore janë në krye të detyrës dhe kemi marrë masat e duhura, duke shtuar personelin në pikat kufitare dhe në të gjitha hallkat e sistemit, për gjurmimin e rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të koronavirusit COVID- 19", tha një ditë më parë shefja e Shërbimit Infektiv në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino. Ndërsa e cilësoi këtë virus të ngjashëm me gripin, Bino iu bëri thirrje qytetarëve të mos alarmohen, por të kenë kujdes higjienën personale. "Koronavirusi është një virus si gripi, ndaj duhet të mbrohemi siç mbrohemi prej gripit. Ka rëndësi të zbatojmë rregullat e higjienës personale, sepse është e vërtete që institucionet po bëjnë punën e tyre, por edhe vetë qytetarët mund të mbrohen duke larë rregullisht duart dhe duke mos përhapur spërklat, që janë mënyra e transmetimit të këtij virusi", tha Bino. NUMRI I URGJENCËS Simptomat e sëmundjes, sipas ekspertëve janë të ngjashme me ato të gripit dhe përfshijnë: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje. Në rast të konstatimit të këtyre shenjave, Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel që qytetarët të mos paraqiten në Urgjencë, por të telefonojnë në numrin 127. Deri më tani kanë qenë 6 raste të dyshuara me koronavirus, por që kanë rezultuar negative. "Ministria e Shëndetësisë rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike". Rekomandimet standarde për të parandaluar përhapjen e infeksionit përfshijnë larjen e rregullt të duarve, mbulimin e gojës dhe hundës kur kollitet dhe teshtini, shmangien e kontaktit të ngushtë me këdo që tregon simptoma të sëmundjes së frymëmarrjes, si kollitja dhe teshtitja.
ANALIZAT Për çdo rast të dyshuar kryhen edhe testet laboratorike dhe merret anamneza e pacientit përgjatë dy javëve të fundit. Kjo, sepse 14 ditë është inkubacioni i sëmundjes dhe siç shpjegohet nga mjekët, nëse i sëmuri infektohet sot, nga 2 deri në 14 ditë ai mund të shfaqë simptomat e sëmundjes. Pas 14 ditësh, automatikisht përjashtohet nëse nuk ka shfaqur simptoma brenda kësaj periudhe. Përfaqësuesja e Task- Forcës, Silva Bino, garantoi dje se në ISHP kryhet analiza e plotë e koronavirusit COVID- 19. Lidhur me karantinimin, Bino sqaroi se vijon të jetë e përcaktuar për çdo udhëtar që vjen nga vendet e prekura nga koronavirusi vetëkarantinimi, ndërsa sa i takon karantinës, është përcaktuar struktura spitalore dhe janë në dispozicion edhe struktura të tjera nëse do të jetë e nevojshme. "Është përcaktuar një strukturë spitalore si vend karantine, e vlerësuar edhe nga ne si komitet teknik, që plotëson standardet. Dua të bëj edhe një sqarim për publikun: Karantina nuk është vendi ku trajtohen të sëmurët. Karantina është vendi për personat e shëndoshë të dyshuar ose që kanë pasur kontakte me persona të sëmurë. Ne kemi gati edhe struktura të tjera nëse do të jetë e nevojshme. Kini besim te strukturat shëndetësore", tha Bino.