Anulohet PPP për Teatrin e ri, Bashkia kërkon para nga qeveria
Historia nga 2017- a deri te ligji special në Parlament. Pse dështoi koncesioni?!
Kryeqyteti do të ketë një Teatër të ri Kombëtar në themelet e të vjetrit.
Kjo është fjala e fundit e Bashkisë së Tiranës mbi çështjen e shumëdebatuar vitet e fundit. Por nuk do të jetë privati ai që do ta ndërtojë, por vetë pushteti vendor, me ndihmën e qeverisë. Me një njoftim të beftë, pasditen e së mërkurës, bashkia njoftoi tërheqjen nga ndërtimi me PPP, teksa lajmëron se puna për të do të nisë brenda këtij viti. SI RRODHËN
NGJARJET Planet për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar janë bërë prej kohësh, por u shpërfaqën dy vite e gjysmë më parë. Ishte tetori i 2017ës, kur drejtori Hervin Çuli, gjatë komunikimit të kalendarit të ri artistik, dha lajmin për “një shtëpi të re” për artistët, por pa specifikuar vendin. Nuk kaluan shumë ditë kur ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, bashkë me kryebashkiakun Erion Veliaj gjatë një takimi me artistë shpalosën planin për ndërtimin e një godine të re, pa arnime, që la të nënkuptohej se godinës së 1938- ës i kishte ardhur fundi. Gjatë kësaj kohe, autoritetet u kujdesën që trupa teatrale e Kombëtarit të zhvendosej te “Turbina”, e refuzuar zhurmshëm nga artistët që dyshonin se pas kërkesës për lirimin e ndërtesës historike qëndronte plani për shembjen e tij për t’u zëvendësuar me kulla dhe teatër komercial. Nuk kaloi as një muaj, kur kreu i qeverisë, Edi Rama pranoi se ka në plan ndërtimin e Teatrit në partneritet me privatin, projektin e të cilit e kishte gati. Sakaq, u zbulua se një firmë kishte dorëzuar në Bashki propozimin e pa kërkuar për ndërtimin e Teatrit bashkë me bllokun e ndërtesave shumëkatëshe në truallin ekzistues. I vetmi ngërç, ishte ai ligjor. Më 10 qershor, një projektligj i jashtëzakonshëm u dorëzua në Kuvend, ku i jepej e drejta bashkisë që të negociojë në emër të interesit publik kontratën koncesionare. Një muaj më vonë, ligji special për PPP- në e Teatrit kaloi në Parlament. Refuzimi i Presidentit të Republikës nuk e ndaloi qeverinë që ta sillte prapë të njëjtin ligj në shtator të 2018- ës ( të amenduar), pas një letre nga Brukseli që këshillonte qeverinë që të ftonte edhe aktorë të tjerë të interesuar në garë. Ndërkohë që një grup aktorësh kundërshtonin shembjen e Teatrit, kreu i bashkisë arriti marrëveshjen me një tjetër grup për ndërtimin e godinës së re.
ANULIMI I KONCESIONIT Gati gjashtë muaj pasi u miratua tenderi, bashkia vendos të tërhiqet nga ndërtimi i Teatrit të ri me koncesion, me arsyetimin se mosgjetjes së dakordësisë mbi detajet dhe kohën e ndërtimit të Teatrit të ri. “Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një Teatër bashkëkohor”, citohet në deklaratën e shpërndarë në media, në të cilën deklaron edhe vendimin më të ri nga ana e saj. Duke i qëndruar idesë së një Teatri të ri pas shembjes së të vjetrit, bashkia thotë se do të realizojë idenë e saj në më pak kohë dhe me buxhetin e shtetit. “Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë qeverisë shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike”.