Panorama (Albania)

Tre persona gjenden të vdekur në rrugë, në Tiranë e Durrës

-

TIRANE / DURRES - Tre persona janë gjetur të pajetë në rrugë gjatë ditës së djeshme në Tiranë e Durrës, por pa shenja dhune apo dyshime të tjera nga ana e Policisë. Një 44- vjeçar është gjetur i pajetë mesditën e djeshme në Fermë Sukth, Durrës. Sipas informacio­neve të Policisë së qytetit bregdetar, mësohet se viktima është gjetur në trotuar nga kalimtarë të rastit. Nga këqyrja e bërë, në trupin e shtetasit me inicialet E. K., nuk janë vënë re shenja dhune. "Rreth orës 13: 15, në Fermë Sukth, është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës dytësore Fllakë- Sukth E. K., 44 vjeç. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarj­e dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes", njoftoi zyrtarisht Policia e Durrësit. Pak orë pas ngjarjes, Policia ka konfirmuar se vdekja e 44- vjeçarit dyshohet që ka ndodhur nga shkaqe natyrale, si pasojë e përdorimit të një sasie të lartë alkooli. Ndërkohë, rreth orës 12: 21, te Kopshti Zoologjik, në trotuar, është gjetur i pajetë shtetasi SH. A., 79 vjeç. Grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka vijuar punën për zbardhjen e rrethanave. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune dhe paraprakis­ht dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale. Ndërsa rreth orës 12: 45, në Qendrën Shëndetëso­re në Baldushk është dërguar pa shenja jete shtetasi H. M., rreth 60 vjeç, mirëmbajtë­s i rrugëve në Njësinë Administra­tive Baldushk, i cili gjatë kohës që ka qenë duke punuar në fshatin Vrap, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania