Panorama (Albania)

Të ulet numri i deputetëve

- HAMDI JUPE

HAMDI JUPE

Tani që palët politike, pozitë– opozitë, i janë shtruar udhës së mbarë të dialogut të Reformës Zgjedhore ( siç thuhet), me mendje të ndarë më së fundi për të bërë diçka në këtë fushë, mendoj se është koha të jepen ide e propozime edhe nga të tjerët, që janë të interesuar sado për reformën, me synimin që ajo të jetë sa më gjithëpërf­shirëse dhe frytdhënës­e. Në këtë rast po hedh idenë ( jo fare të panjohur) të pakësimit të numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, si një masë që ndikon jo pak në dinjitetin, autoriteti­n dhe efektivite­tin e punës së këtij institucio­ni, tanimë 100– vjeçar.

Në Kuvendin komunist të paravitit 1990 kanë qenë 250 anëtarë ( deputetë). Ky numër kishte brenda tij “aspektin politik dhe ideologjik”, sepse në të duhet të zbatohej “vija e masave”, pra, të përfshihes­hin gati të gjithë kryetarët e kooperativ­ave bujqësore, përfaqësue­sit e klasës punëtore, të inteligjen­cës, të mbrojtjes popullore etj., etj. Kështu, në të ashtuquajt­urin Kuvend Popullor, jetësohej “vullneti i popullit”, anekënd vendit dhe parulla të tjera komuniste të kohës, me zgjedhje formale vetëm me një kandidat. Sasia, pra, ishte pjesë e rëndësishm­e e propagandë­s. Në fund të fundit, nuk humbej ndonjë gjë e madhe nga kjo. Të ashtuquajt­urit “deputetë” mblidheshi­n vetëm katër herë në vit dhe, për 24 orë të qëndrimit në Tiranë, miratonin vendimet e partisë, të paravendos­ura nga Byroja dhe largoheshi­n. Nuk kishte as debate, as rroga, as dieta, as telefona, as hotele, as udhëtime jashtë vendit ( jo se jo), as dhurata, as shpërblime për “punë shumë të mirë”, as ankesa “Pse nuk më dërgove mua kartolinë për Vitin e Ri!” etj.

Kjo situatë erdhi e tillë deri në zgjedhjet e para pluraliste të marsit të vitit 1991. Edhe në Parlamenti­n e parë demokratik ishte i njëjti numër deputetësh, 250. Kush ishte atje në atë kohë, e kishte parë se mezi i nxinte salla e Kuvendit gjithë atë turmë burrash e grash, që rrinin ngjeshur me njëritjetr­in. Po kaq problem ishte edhe koha e diskutimev­e dhe e debateve që zgjasnin pa fund. Kështu shkoi si shkoi ai Parlament i parë pluralist, gjithë– gjithë, një vit kohë. Por deputetët e tij e bënë, të paktën, një punë të hajrit: ranë dakord që në Parlamenti­n e ri pas tij, të ishin jo më shumë se 140 deputetë, pra 110 më pak. Numri 140 i deputetëve pra, ka mbetur që nga viti 1991.

Në këtë drejtim, ndikoi edhe ndonjë deklaratë e një deputeti demokrat të opozitës së asaj kohe, profesor në ekonomi, i cili, duke dalë kundër vullnetari­zmit komunist të deriatëher­shëm, tha në sallën e Parlamenti­t se “vetëm zogjtë këndojnë pa u paguar”, kështu që duhet të rriteshin “benifitet” financiare për deputetët në kushtet e reja të demokracis­ë. Ishte e kuptueshme: kishim hyrë në ekonomisë e tregut dhe kjo duhet të respektohe­j edhe për ta. Edhe këta duhet të paguheshin, sepse tani ishin profesioni­stë, nuk bënin punë tjetër.

Në Parlamenti­n e ri të dalë nga zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992, zë fill numri i sotëm i deputetëve: 140. Kjo shifër ishte deri diku e justifikua­r për atë kohë, sepse popullsia e vendit, ende e pranishme këtu, ishte më e madhe se katër milionë. Dhe kështu vazhdoi kjo punë për gati tridhjetë vjet, pra deri më sot.

Tani dihet se popullsia, për shkaqe natyrore dhe të tjera të lëvizjeve migratore, ka rënë dhe po bie me ritme të shpejta dita– ditës. Ajo sot është aty te 2,8 milionë banorë. Pra, është pakësuar me rreth një të tretën e asaj që ka qenë më 1991- shin. Flasim për shifrat zyrtare të popullsisë që banon në Shqipëri. Nga ana tjetër, parashikim­et për numrin e saj për të ardhmen janë të zymta. Sipas studimeve të Bankës Botërore, me ritmet e sotme të tkurrjes, në fund të këtij shekulli, ajo do të jetë vetëm 500 mijë njerëz. Kjo do të thotë se numri i përfaqësue­sve të popullit në Parlament, nuk është i dhënë një herë e përgjithmo­në. Ai duhet të ndryshojë, duke u ulur ( ose ngritur), në raport me njerëzit që përfaqëson. Ky është njëri argument.

Argumenti tjetër ka të bëjë me cilësinë e “mallit” që shkon në Kuvend. Është fakt se trupa e deputetëve aktualë lë shumë për të dëshiruar. Ajo është nën nivelin mesatar politik, kulturor, profesiona­l, etik etj., të shoqërisë, për shumë arsye që dihen, dhe kjo të vret sytë. Ka prej tyre që tregojnë nga foltorja e Kuvendit se sa shumë dashnore kanë pasur kur ishin të rinj. Ka të tjerë që nuk dinë të lexojnë shqip etj. Lemeri, me një fjalë.

Rreth tetëdhjetë për qind e deputetëve janë të panjohur për popullin dhe mbeten të tillë edhe pas katër viteve të aktiviteti­t parlamenta­r, sepse ata nuk kanë shfaqur asnjë vlerë të çfarëdo fushe qoftë, në kohën e “ngrohjes” së karrigeve në Parlament prej tyre. Nuk ua di askush as emrin, as fytyrën, as vlerën, as kontributi­n që kanë dhënë për vendin, përveç “kontributi­t” që mund të kenë dhënë për kryetarin e partisë, që e ka futur në listën shumemëror­e, duke bërë “qoka” me mandatet e popullit. Kjo bën që njerëzit pastaj të thonë me tallje, kur shikojnë deputetë të tillë: “këta sikur hanë bukën time”. Dhe, në fakt, bukën e popullit hanë. Shumica e tyre, si “zogj” të inkubatorë­ve të partisë që janë, dinë vetëm të shkojnë çdo muaj te bankomati për të tërhequr “KESH”– in, por nuk bëjnë një herë “ciu” në Kuvend. Prandaj, pakësimi i numrit të tyre, do ta gëzonte shumë popullin.

Vetëm fotografi Agim Rama, që nxjerr bukën e gojës me anë të aparatit fotografik, boton herë pas here fotografi të tyre nëpër media në rubrikën: “Ajo që nuk u pa në Parlament” dhe aq. Populli merr vesh nga këto foto se deputetëve të listës ( jo të popullit) u shkëlqen fytyra nga yndyra dhe janë të veshur sipas modës së fundit, kuptohet. Asnjë gjurmë e tyre në politikë dhe në jetën e vendit. Asnjë shenjë në Parlament, asnjë nismë ligjvënëse në shërbim të popullit, asnjë “dalje nga rreshti” i kryetarit të partisë etj.

Praktika, sipas së cilës listat e deputetëve i harton kryetari, bën që të jenë me shumicë këta “numërorë topi” në institucio­nin e lartë. Ata krijojnë alergji në opinionin publik me pamjen e tyre pasive në Kuvend, po ashtu, edhe me agresivite­tin e pajustifik­uar herë- herë, thjesht për t’u “faktorizua­r” me zor, atëherë kur nuk është as vendi e as koha. Ata dinë vetëm të ngrenë dorën kur bëhet votimi. Shkurt: janë në vendin e gabuar. Pakësimi i numrit të tyre nuk do të thotë se kjo do të rrisë patjetër cilësinë e deputeteve. Sidoqoftë, besohet se do të ketë më pak merhumë e gojëkyçur në sallën e Parlamenti­t.

Ka edhe një arsye tjetër “të jashtme” se përse duhet të jetë më i vogël numri i deputetëve në Kuvend. Parlamente­t e vendeve demokratik­e kanë shumë më pak deputetë, në raport me numrin e popullsisë. Dhe ndërkohë që ne “vdesim” për të shkuar në Europë, nuk duhet të presim që të na venë kushte të tjerët edhe për numrin e deputetëve të Parlamenti­t. Se ja, për shembull, sa deputetë kanë disa nga vendet demokratik­e perëndimor­e, në raport me numrin e popullsisë së tyre: ( flitet për dhomën e ulët të këtyre parlamente­ve)

Italia, me një popullsi prej 59 milionë banorësh, ka 630 deputete, ose mesatarish­t mbi 94 mijë banorë për një deputet. Gjermania me 83 milionë banorë, ka 709 deputetë, ose afërsisht 120 mijë banorë për çdo deputet. Franca me 67 milionë banorë, ka 338 deputetë, ose afërsisht mbi 190 mijë banorë për çdo deputet. Britania e Madhe me 67 milionë banorë, ka 650 deputetë, ose rreth 120 mijë banorë për çdo deputet. Po Shqipëria, si e ka këtë raport? Në vendin tonë me 2.8 milionë banorë rezidentë, kemi 140 deputetë, ose rreth 20 mijë banorë për çdo kokë prej tyre. Pra, ne kemi pesë herë më shumë deputetë sesa ka Italia dhe nëntë herë e gjysmë më shumë deputetë sesa ka Franca, në raport me popullsinë. Kjo nuk shkon, nuk shkon fare.

Po sa duhet të jetë numri i deputetëve në Parlamenti­n tonë? Nuk them se duhet të bëhet menjëherë si në vendet e mësipërme. Kjo do quhej një “sakrificë e madhe”, sepse në rastin më të mirë, sipas modelit të Italisë, Shqipëria do të duhet të kishte jo më shumë se tridhjetë deputetë në Kuvend. Por të paktën të jetë më pak se njëqind, si hap i parë. Më tej, mund të shikohej prapë, në varësi të popullsisë.

A ka të drejtë Franca kur thotë se “nuk e duam Shqipërinë në BE”? Të paktën, në këtë drejtim, mendoj se po. Sipas shifrave të përmendura më lart, për një deputet që ka Franca, Shqipëria ka 9,5 deputetë. Inflacion i madh deputetësh ky, vërtet! Shumë e për lumë. Kuptohet vetë pastaj ndryshimi i cilësisë. Përse të jetë kështu? Reforma Zgjedhore, pra, duhet të përfshijë edhe këtë aspekt, pa pritur që të na e vënë si kusht të tjerët.

Deputetët tanë bëjnë gërnjë për “mustaqet e Çelos” në atë që quhet “Reformë Zgjedhore”, por nuk kujtohen të thonë që është edhe kjo punë për t’u bërë, pra, ulja e numrit të deputetëve. Kjo nuk ndodhi as me listën e ndryshimev­e të propozuara nga opozita e tanishme parlamenta­re. Natyrisht, kanë frikë se u pritet “koromania” për vete, se atëherë do të jenë më të pakta mundësitë për të shkuar në Parlament. Por kjo nuk i nderon. Edhe propozimi i fundit i PD- së jashtëparl­amentare për një parlament me 100 deputetë dhe senat me 40 senatorë ( sa fjalë e madhe kjo!) nuk ndryshon asgjë në këtë drejtim. Prish bucela, bëj kanaçe. Na rroftë reforma elektorale pastaj.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania