Pushteti absolut i koronaviru­sit “kardashian”

Panorama (Albania) - - FAQE 1 - LORENC VANGJELI

Ubënë shumë ditë që gjithë njerëzimi është nën pushtetin absolut të frikës...

Shpallja zyrtare e gjendjes së pandemisë botërore nga OBSH- ja, vendosja e kurorës së virusit në më shumë se 100 vende dhe përhapja e tij në çdo kontinent, i ka vënë vulën këtij pushtimi pothuaj virtual dhe pushtimi tërësisht real cep më cep të globit. Më saktë, frika e paniku, histeria dhe paranoja janë vetëm simptomat e tij të dukshme, kurse ushtrimi i pushtetit bëhet jo nga pandemia, por nga tjetër forcë.

Ajo nuk vjen nga një individ apo grup individësh, siç tmerrojnë teoritë e konspiraci­onit. As nga një shtet apo nga një superfuqi, siç besojnë zakonisht të dobëtit, të cilët e shpjegojnë dobësinë e tyre me forcën e pakontroll­uar të më të fortëve. Madje, ky pushtet nuk është rrjedhojë as e magjisë së pakufishme të Fuqisë së Epërme, së cilës besimtarët dhe fanatikët i atribuojnë krijimin e botës, shpërblimi­n e të mirëve dhe ndëshkimin e të ligjve.

Nuk është asgjë nga këto. Është diçka krejt tjetër që ka vite që ka hyrë në jetën e përditshme të gjithsecil­it.

Është diçka që nuk ka lënë askënd indiferent dhe pa e prekur, por që gjithmonë e më shumë, vit mbas viti, ka arritur në nivele depërtimi të pamenduesh­me më parë në mënyrë kapilare.

Është diçka që ka ndryshuar stilin e jetesës, që ka evoluar radikalish­t qenien njerëzore në thelbin e saj, në mënyrën sesi njeriu koncepton jetën dhe vdekjen, të mirën e të keqen, të dobishmen dhe të pavlefshme­n. Është diçka që shërben si një kategori estetike dhe ndan të bukurën dhe të shëmtuarën, ngjyrën nga zgjyra, shijen nga neveria. Është hapësira që shërben për të vrarë kohën e atyre që nuk kanë kohë, që u jep vetmi edhe atyre që nuk e kanë të nevojshme dhe fton të rikrijojë elita e hierarki sociale. Është diçka që e ka bërë pa dyshim shumë më të lehtë jetën njerëzore, por në të njëjtën kohë, e ka bërë atë të jetë më pak njerëzore. Është diçka që e ka bërë gjithkënd rob e të varur mbas “like”- s së madhërishm­e dhe “dislike”- s së përbindshm­e.

Ajo që po ndodh sot, është prova ulëritëse e pushtetit absolut të botës virtuale të internetit dhe rrjeteve sociale që po dëshmojnë këto ditë dominimin e botës dhe pushtetin e tyre absolut mbi gjithë botën. Pandemia e koronaviru­sit është vetëm dukja formale.

Fytyra e momentit. Është forma, por jo thelbi. Është hapësira, në të cilën një psherëtimë në njërin cep të botës, dëgjohet si ulërimë dhe në kohë reale në skajin tjetër të saj; është mundësia që secila hije shndërrohe­t në terrin më të thellë se të ferrit, është linearitet­i ku e liga është lajmi i vetëm, ku i vdekuri numërohet dhe i shëruari nuk quhet.

Bota e madhe e internetit është vullneti popullor që vendos kush qeveris dhe ku, është vota që rrëzon e krijon qeveri, është luga bosh që ngop të uriturin, është seksi ku bën namin edhe impotenti, është ringu ku grushton dhe i paralizuar­i dhe pista ku del i pari në garë inteligjen­ce, çdo mushkë idiote me llogari “Facebook”- u e foto “Instagram”- i.

Në vend të pandemisë së virusit mund të ishte gjithçka tjetër. Ngrohja globale me gjithë derivatet e saj, kjo fe’ e re e njerëzimit, dishepujt e së cilës janë gati të kryqëzojnë gjithë skeptikët që mendojnë se toka thjesht po kalon një cikël normal të ekzistencë­s së saj, është një nga provat e pushtetit global, që drithëron gjithë njerëzimit. Që e ka vënë atë në kryqin e frikës, si një provë që po vjen dita e qametit.

Njerëzimi ka parë shumë herë më keq. Duke nisur me së paku me dy Luftëra Botërore te pandemia e tmerrshme e gripit spanjoll në shekullin e shkuar e duke vazhduar me frikën nga AIDS- i e deri te rreziku i flamës së terrorizmi­t në këtë shekull si rrezik global. Por, në asnjë nga këto raste, frika dhe paniku nuk ka qenë qytetari i parë i botës si tani, kur këtë lloj pushteti e ushtron depërtimi i internetit mbi çdo individ.

Krahasimi i shifrave që japin matematika­nët dhe fjalët e mjekëve heronj dhe shkencëtar­ëve seriozë mbyten përballë ulërimës dhe bulurimës të gjithfarë të marrëve, paranojakë­ve, mitomanëve, që hedhin nga një gur e shumë gurë në hapësirën virtuale. Duke ndihmuar dhe ndikuar në klimën e panikut dhe duke rënë dhe po vetë nën të njëjtën klimë.

Qeveritë, në mbarë botën, në efekt domino ndaj njëra- tjetrës, kanë përshkallë­zuar masat dhe kundërmasa­t edhe nën presionin publik, që mendon se asnjëherë nuk është bërë sa duhet dhe si duhet për të shmangur e luftuar pandeminë. Duke krijuar kështu një qark të mbyllur dhe spiral në spiralen gjithmonë e më të epërme të ashpërsimi­t të masave. Sepse edhe qeveritë janë nën pushtetin e internetit. Edhe ata që qeverisin, janë nën pushtetin e kësaj force më të epërme se vetë “Zoti”. Fundja, ka shumë skeptikë që e refuzojnë peshën e qiellit, kurse pushtetin e internetit e besojnë të gjithë.

Diku nga fundi i prillit apo të majit, kur histeria të ketë filluar të bjerë, sepse pandemia do të ketë ikur, do të kuptohen disa të vërteta të thjeshta. Duke nisur me faktin e pakthyeshë­m se tashmë është koha e internetit dhe se makthi i këtyre ditëve, është fatura që duhet paguar si haraç. Një kartëmoned­hë me fytyrën e Covid - 19.

Virusi, siç erdhi, ashtu dhe do të shkojë. Do të harrohet si një ëndërr e keqe, sepse shumë shpejt do të vijë një tjetër lloj makthi që do t’i zërë vendin. E vetmja gjë që thjesht do të rritet, do të jetë pushteti real i botës së padukshme të internetit, që ka sjellë tashmë edhe ‘ Ditën e Qametit’ në gjithë dynjanë. Sepse, me siguri, një shenjë më e dukshme të ardhjes së asaj dite, do të shfaqet në kohën kur çdo mushkë idiote katundi, ka mundësi të ngrejë mbretërinë vetjake ku sundon si Zot sindroma “Kardashian” dhe vetadhuroh­et si Zot, b… tha budallaqe Kardashian.

Virusi, siç erdhi, ashtu dhe do të shkojë. Do të harrohet si një ëndërr e keqe, sepse shumë shpejt do të vijë një tjetër lloj makthi që do t’i zërë vendin. E vetmja gjë që thjesht do të rritet, do të jetë pushteti real i botës së padukshme të internetit, që ka sjellë tashmë edhe ‘ Ditën e Qametit’ në gjithë dynjanë. Sepse, me siguri, një shenjë më e dukshme të ardhjes së asaj dite, do të shfaqet në kohën kur çdo mushkë idiote katundi, ka mundësi të ngrejë mbretërinë vetjake ku sundon si Zot sindroma “Kardashian” dhe vetadhuroh­et si Zot, b… tha budallaqe Kardashian

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.