Panorama (Albania)

“Po të vdes unë, ti do vuash”, e motra rrëfen merakun e Maks Velos

-

Në rrugën “Hoxha Tasim”, banorët s’do ta shikojnë më të zbresë shkallët e shtëpisë ngjyrë tulle, ku jetonte bashkë me të motrën. Nuk e përshkoi as për herë të fundit, Maks Velo, vendin ku jetoi e punoi, pa lukse e komoditete, ndoshta të tepërta për gjenialite­tin e tij. Në përcjellje­n e fundit për në Tufinë, pranë poliedriku­t, njerëzit qenë të paktë, e familjarë, veç e motra. Pandemia e Covid- 19 nuk lejon një lamtumirë të denjë për mjeshtrin dhe ndoshta ai në botën e përtejme nuk mban mëri për më shumë që s’u bë. Si shenjë e ceremonisë së nderimit, marr përsipër nga Ministria e Kulturës, “në pamundësi për të organizuar një ceremoni mortore”, në prag të institucio­nit, mbi kurorën e freskët me lule shkruhet “Mirënjohje”, ndërkohë të tjera buqeta falënderim­i priten më pas. Pranë tij, tek prek botën e nëntokës, janë poetja Luljeta Lleshanaku, arkitektja Loreta Capelli, zëvendësmi­nistri i Infrastruk­turës dhe Energjisë Artan Shkreli, Kryetari i SHASH, Armand Vokshi, dhe kreu i Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, që jep lajmin se shtëpia e Velos do të kthehet në një objekt- muze. E motra, Roza, është e përlotur. Kohët e fundit kanë qenë të vështira për ta, e kjo panoramë e trishtë vdekjeje dëgjohet si “Ulërima” e Munch. Sëmundja qe e shpejtë, e Maks Velo deri në javët e fundit, mendonte se ishte një problem anemie, që do të gjente zgjidhje. Situata e pandemisë i kishte gjetur të dy vëlla e motër të vetëm dhe vështirësi­të, me shenjat e sëmundjes që po agravohesh­in, ai nuk i fshehte në bisedat telefonike me miqtë. I shtruar në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, mes dalldisjev­e të hospitaliz­imit tonë shtetëror e vuajtjeve fizike, meraku i tij i madh mbetej e motra, Roza. Ndonëse në telefonata­t e fundit me të, ai nuk e jepte veten, ajo kujton se si fjalët e vëllait, ku përmend vdekjen e mundshme, do ta rrëqethnin. Prej shtratit të spitalit e vetmisë së ulur këmbëkryq, ndërsa e motra e priste në shtëpinë e tyre, që të kthehej, Velo i pat thënë: “Roza, po të vdes unë, ti do vuash!” E ajo, e brishtë dhe e vetmuar, ndërsa e përcjell të vëllanë, endet në kujtimet e Velos së dashur për të. “Ishte vëllai më i mirë në botë, - thotë”. E gëzon dashuria e njerëzve për të, e duket se dhe afrinë e befasishme të figurave politike, nuk di si ta gëlltisë. Ndoshta si dashuri, edhe atë! Thotë, se deri në fund, sa pati forcë, ai nuk reshti së pikturuari e së shkruari. “Kati i tretë është plot e përlot i mbushur me dosje, libra, skulptura e piktura”. Telajoja i qe bërë e pandarë dhe në këto ditë tmerri pandemie e në tarracë ka mbetur piktura e tij e fundit, që Roza e interpreto­n thjeshtë: “Janë dy si forma kafshësh...” Ideja e shtëpisë muze, sipas saj, ndoshta do ta gëzonte të vëllanë, ndonëse thotë se “Maksi nuk dinte gjë për të...”. Edhe pse mendimet e fundit të arkitektit shkonin tek e motra, pa krijuesin e tyre, i brishtë duket dhe fati i veprave që Maks Velo la pas. Të shtrenjta janë ato dhe për Rozën, e cila me pafajësi thotë se “do të kujdeset me mish e shpirt për to, që askush të mos i cenoj”...

 ??  ?? Përcjellja për në banesën e fundit e Maks Velos
Përcjellja për në banesën e fundit e Maks Velos

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania