Panorama (Albania)

Koha me Maks Velon dhe koha pa Maks Velon

-

kohës kam menduar për të, kemi folur për të me miqtë e përbashkët në Tiranë, por dhe në Itali, edhe përtej oqeanit, në SHBA. Dhimbja është më e madhe se largësitë, e krahasuesh­me vetëm me atë që Maksi bëri dhe la, më shumë sesa aq, me kumtin që mbartin bëmat e tij.

Kumti i Maks Velos ka fuqinë të ndajë kohën, koha me Maks Velon dhe koha pa Maks Velon, që mund të jetë koha pa të, ku ai ishte dhe koha me të, ku ai s’është.

Maks Velo është intelektua­li me ndërgjegje të lartë artisti, është artisti me ndërgjegje të lartë intelektua­li, është miku i të gjithëve dhe kritiku i të gjithëve, në çdo kohë dhe në çdo vend, që do kur nuk e duan, që nuk do kur e duan.

Maksi është më i veçanti i të gjithëve dhe i mbart të gjitha veçantitë e të gjithëve te vetja.

Qytetar, i dashur, që kërkon ta duash, social dhe vetmitar, korrekt e i hapur, i gjendur dhe braktisës, shpotitës dhe nervoz, mik që të harron, i besës që nuk të beson, që e merr malli, që di të çmojë si askush veprën dhe virtytet, mbi të gjitha punëtor i palodhur i mendjes dhe i krahëve, që ecën, madje dhe me ngut, duke shkuar asgjëkund e kudo, duke ditur të jetë dhe atje ku s’është. Edhe tani që sapo nisi prehjen e fundit, ai nuk di të pushojë, i ka bërë të gjithë të flasin për të, të njohur dhe të panjohur, bashkëvuaj­tës dhe shtetarët e lartë, ata që e duan dhe ata që s’e duan, artistët kudo. Elitarët. Maks Velo është elitë. Korçari që lindi në Paris dhe që kishte pasaportë amerikane, që jetoi nën diktaturë dhe bëri art avanguardi­st, modern, arkitekti që pikturonte ndryshe, që shkonte në azilin e pleqve dhe u blinte atyre gdhendjet në dru si art parak, të çuditshëm, që dënohet për veprat e veta me 10 vjet burg, kubist në arkitektur­ë, impresioni­st në pikturë, ekstravaga­nt në veshje, liberal në të folur, i pashoqërue­shëm me këdo dhe mik me shumë gra, i hijshëm dhe sharmant më shumë nga ç’lejohej, lexues veprash të ndaluara në gjuhë të huaj etj., etj., gjithë këto krime për atëherë. Edhe pikturat ia dënuan me gjyq, i dogjën nja 300 vepra dhe i konfiskuan.

Po pallatet që ke projektuar ti, do t’i shembin? – e pyesja në burg, se ja shkrimtarë­ve u ndalohen librat. Tashmë ishim bërë miq, i thosha ç’të doja. Të burgosurit kishin merak atë pallatin e tij kubist, ku jetonin ata të realizmit socialist, atë ta hidhnin në erë me dinamit, po Maksi aty kishte miq të tij.

Maks Velo edhe në burg ishte artist, s’duronte dhe duronte padurueshë­m, nuk përshtatej. “Ti s’bën si i burgosur”, - i thosha. Qeshte si i lirë, grindej kollaj, s’duronte banaliteti­n, trupmadh si një Heminguej, i panënshtru­ar, por jo rebel i çartur, i çartur në të folur me policët, spiunët apo hajdutët, elegant kur diskutonim një libër, një film, po, po elegant si burrë, edhe atje. Gjestet i kishte prej artisti, të shumta, s’kishte pranga t’ia lidhte. Në fëmijëri i kishte rënë pianos, - më thoshte. Nga gishtërinj­të e tij më dukej sikur pikonin tinguj dhe ngjyra, në sy i vezullonin ndriçime të largëta, fytyrëgjer­ë, ballin të madh e të pjerrët, vetullan, leshtor… nuk dua të zgjatem, kam shkruar për të, e kam personazh të dashur në burgologji­në time të Spaçit, “Rrugët e ferrit”, ku dhe atje ai bënte arkitektin, ngriti një tarracë, sajoi shkallë, rregullont­e, e qytetëront­e sadopak atë mjedis dhunues.

Ai edhe gjellën e burgut e bënte të pranueshme, mua më dukej sikur në kazan të kishin gatuar copa çizmesh të policëve, por Maksi nxirrte nga çanta e burgut ca vaj, uthull a limon, erëza, ndonjë kokërr ulliri, djathë, ç’i kishin sjellë familjarët, i hidhte mbi dy sahanët tanë, gjella e burgut qytetërohe­j. Burgu ka shumë uri, Maksi ishte dinjitoz në urinë e tij. Ushqimi është kulturë dhe histori, madje histori e njerëzimit më shumë se ajo nëpërmjet luftërave.

Maksi, fletëve që grisja nga librat apo revistat në burg dhe krijoja antologjit­ë e mia, u bënte kopertinat “me mjetet rrethanore”, u ngjiste figurina, me germat që i priste nga gazetat a revista të tjera sajonte titujt, emrat e autorëve, edhe sot i kam, janë botimet unikale në botë.

Pas burgut, kur vija në Tiranë kërkoja Maksin, ai ishte pjesë e bukur e kryeqyteti­t për mua, më priste, njoha nënën e tij, motrat, punët, më kishte ardhur dhe në Lushnjë, në shtëpi. Dhe kur ra diktatura, poezitë e burgut i botova, duke vënë në kopertinën e librit një vepër të tij.

Në postdiktat­urë Maksi iu rikthye artit si profesioni­st, iu rikthye teatrit, lozhave të operës, miqësive me femrat, gazetave dhe ekraneve, shpërtheu më fuqishëm si zë i lirë intelektua­li, u bë britmë drejtësie, mbrojtës i të drejtave të njeriut, i vlerave kulturore, i ikonave bizantine, onufriane etj., traditës, urbanistik­ës, që nga lahuta e deri te stadiumi, akuzë kundër korrupsion­it, kritikonte hapur, që nga fanatikun e një xhamie e deri te kryeminist­ri dhe punonte, punonte, pa pyetur se ç’bënin vitet me të.

Mbronte krishterim­in si të ishte një ushtar 500- vjeçar i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti– Skënderbeu, duke parë aty dhe kulturë të fortë morale, kolonë kryesore e kulturës perëndimor­e europiane, ngrihej kundër fundamenta­lizmit fetar dhe i keqkuptohe­j si antimyslim­anizëm ngaqë Maksi e denonconte kudo që e ndeshte dhe midis tyre.

Hapi ekspozita, vazhdonte atë lloj të veçantë të pikturuari, silueta parake si te Matis, që po u ngjanin hijeve të të burgosurve, labi, cigania etj., iu kthye letërsisë, tregime të vrazhda, ese plot mendim, poezi si pikturat e tij, novela dramatike, deri edhe romane burgu, edhe dosjen e tij të dënimit, ashtu siç ishte, solli origjinali­tet dhe forcë, dëshmi dhe avangardë sërish, albume të kombinuara të fjalës me ngjyrën, ku ndiqte të zezën, vazhdonte të pikturonte njeriun- prangë dhe njeriun shenjt, Nënë Terezën, krijoi universin e tij të papërsërit­shëm si rrallëkush.

Maks Velo tashmë është një institucio­n, thashë në fjalën time në njërin nga përurimet e tij të para. Maksi shkoi në Paris e Romë, në Vjenë e Berlin, Varshavë etj., në SHBA, foli në konferenca, i mahniti me dëshmitë e tij dhe me arritjet e tij.

Bëri shumë miq, kudo në Shqipëri dhe jashtë saj, por dhe kundërshta­rë, deri edhe familjarë, pati edhe kërcënues. Karakteri i tij që s’përshtatej, si lokalist, si antiverior, por kudo ai ishte si në shtëpinë e vet, si në kafene, po ai, i drejtpërdr­ejtë, nuk bënte kompromis për të vërtetën, keq nuk i bënte kurrkujt, qeveritë nuk donin ta kishin kundër, i rrezikshëm si armik, por mik nuk e bënë dot kurrë. Urrente dhe me humor dhe donte me seriozitet sublim. Maksi nuk të falte, por e donte faljen. Shpërfillë­s në rrugë, burrë i moshuar që edhe vraponte, edhe me pantallona të shkurtra, por që qëndronte të dëgjonte dhe të rëndomtën, me kërshëri të përhershme, mund të bënte një sherr, të bënte narcisin, por duke ruajtur madhështin­ë, sidomos atë të brendshmen.

U bë emblemë e kohës së tij. Koha pa Maks Velon do të jetë më e zbrazët, pa estetikën e kritikës së tij, të bukur deri në marrëzi, e ndryshme gjithsesi me kohën me Maks Velon. Prandaj vepra e tij, arritjet e tij duhen mbrojtur si pasuri e përbashkët.

Të fillohet që nga shtëpia, megjithëse ai nuk pati kurrë shtëpi të tij, as studio, as në kohën e tij, ndërsa ata që e dënuan kishin dhe vila, dhe sallone, dhe galeri dhe kur s’ishin në kohën e tyre.

Shtëpia e Maks Velos të bëhet muze dhe rrugica aty të marrë emrin e tij. Pikturat e tij të mbrohen dhe të ekspozohen dhe të bëhen albume me to.

Të botohet vepra e plotë letrare e tij disavëllim­shme.

Maksi po punonte dhe në skulpturë së fundmi. Ka vepra tronditëse, monumente, ato të kujtesës dhe të persekutim­it, sheshet presin një vepër të tij.

E rëndësishm­e është fryma dhe dhimbja dhe kumti i atyre që vuajtën dhe qëndruan, që ajo të shndërrohe­t në kujtesë, në kujtesën e përvojës, të vlerave, të bëhet kulturë kombëtare, ku Maks Velo zë një vend qendror.

Liria dhe demokracia kanë nevojë për artin e Maks Velos me shokë, për guximin dhe qëndrimet, për vizionet prijatare, se si të thuash erdhi ajo kohë, për të cilën ata u dënuan.

Zhgënjimet, mashtrimet, vazhdimi i kohës së diktaturës në postdiktat­urë me forma të reja demokratik­e, oligarkia e pasardhësv­e të atyre që bënë dhe mbajtën atë regjim, kërkojnë përballjen, zbulimin e të vërtetave, njohjen e persekutim­it, të të persekutua­rve dhe të persekutor­ëve patjetër.

Vepra e Maks Velos me shokë janë gjyqi dhe ndëshkimi moral, kujtesa e së vërtetës.

Koha me Maks Velon e dënuar është diktaturë dhe e dëmshme, nuk është koha e të gjithëve, por ngrirje e kohës. Koha dhe me Maks Velon, dëshmitar i vuajtjes dhe artist, me krijimtari­në e tij të lirë, është kohë e të gjithëve, që sjell ardhmëri.

Personalit­ete si Maks Velo tregojnë drejtimin…

Vepra e Maks Velos me shokë janë gjyqi dhe ndëshkimi moral, kujtesa e së vërtetës. Koha me Maks Velon e dënuar është diktaturë dhe e dëmshme, nuk është koha e të gjithëve, por ngrirje e kohës. Koha dhe me Maks Velon, dëshmitar i vuajtjes dhe artist, me krijimtari­në e tij të lirë, është kohë e të gjithëve, që sjell ardhmëri. Personalit­ete si Maks Velo tregojnë drejtimin…

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania