Bien shifrat, në të gjithë vendin 187 të infektuar
Në Tiranë regjistrohen edhe 8 raste të reja, nga 12 në të gjithë vendin. Në spital, vetëm 29 pacientë
Nga hapja që u bë një javë më parë pritej që kurba e të infektuarve këtë fundjavë të shënonte rritje, por për disa ditë me radhë numri i rasteve të reja është luhatur thuajse në të njëjtat nivele. Dje janë konfirmuar 12 raste të reja, por çka është pozitive është fakti që numri i të infektuarve aktivë ka rënë në 187.
“Në 24 orët të fundit janë testuar 170 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid- 19 dhe kanë rezultuar pozitivë 12 qytetarë, kontakte të rasteve të mëparshme. Shpërndarja e të prekurve me COVID- 19 është si vijon: 8 raste në Tiranë, 2 në Kamzë, 1 në Krujë dhe 1 në Fier. Të shëruar janë 23 qytetarë. Në të gjithë vendin, aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID- 19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamzë”, tha përfaqësuesja e TaskForcës së ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, Gentiana Qirjako. Më pak se 15% e të prekurve aktivë po marrin trajtim në spitalet COVID, pjesa tjetër ndiqet nga mjeku i familjes. Pra, aktualisht janë vetëm 29 pacientë të shtruar, pjesa tjetër janë duke marrë mjekim në kushte shtëpie. “Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID- 19 në të gjithë vendin 868 qytetarë. Prej tyre, 650 qytetarë ose rreth 75% janë shëruar. Gjatë ditëve të fundit kemi një përmirësim të situatës edhe në spitale. Aktualisht, në dy spitalet COVID, në Spitalin Infektiv dhe Spitalin ‘ Shefqet Ndroqi’, janë të shtruar 29 pacientë dhe vetëm 4 prej tyre janë në terapi intensive. Prej më shumë se 10 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete”, tha më tej Qirjako. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje edhe planin për lehtësimin e masave që do të nisin prej kësaj të hëne e në vazhdim. Kështu, nga sot shtohen si zona të gjelbra bashkitë: Lushnjë, Patos, Roskovec, Korçë, Has, Kukës, Lezhë, Mirditë, Fushë- Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë, Vau i Dejës, Kavajë dhe Vorë, me të njëjtat rregulla. Në këto zona lejohet qarkullimi ndërqytetës brenda zonave të gjelbra me automjet privat, duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njëjtës familjeje, deri në orën 21: 00. Po kështu, lejohen të ushtrojnë veprimtarinë sipas protokolleve strikte të sigurisë klinikat dentare, parukeritë, berberhanet dhe dyqanet në qendrat tregtare. Po ashtu, duke filluar nga data 11 maj, të gjithë të riatdhesuarit do të vetëkarantinohen në banesë.