Panorama (Albania)

Në qytetin- burg, Zija Çela lëviz lavjerrësi­n urban

“Tetë romanet e tij të fundit, të marra së bashku, përbëjnë sagën alegorike më të madhe të letërsisë shqipe”

- MEHMET KRAJA

Romani i ri i Zija Çelës, “Lavjerrësi i Qytetit”, sjell një dramë me konotacion universal, e krijuar nga ligësitë dhe vanitetet njerëzore, kur e mira dhe e keqja ndërrojnë vendet, kur vesi ia zë vendin virtytit, kur e pandershmj­a ngrihet mbi të ndershmen, në një shoqëri ku vlerat morale këmbehen me pasionet e ulëta, duke humbur çdo masë për të identifiku­ar të drejtën dhe të vërtetën.

Ky roman, ku Zija Çela lëviz lavjerrësi­n urban, është një metaforë që funksionon në të gjitha kohët, në të tashmen dhe në të ardhmen, një metaforë e frikshme me absurdin e saj, por domethënës­e me porosinë e gjithëbots­hme.

Zija Çela nuk resht të na sëmbojë me depërtime të mprehta kritike. Por edhe të na i shërojë plagët me vëzhgimet e holla brenda shkarjeve tona të marrëzishm­e, duke vazhduar të na nxjerrë të gjithëve në projeksion­e imagjinare të pashembull­ta. Duke na gjykuar ashpër, por edhe duke na përqeshur njëkohësis­ht. Duke na marrë me të mirë hera- herës, por edhe duke na fshikullua­r pamëshirsh­ëm. Duke krijuar situata dhe personazhe, që mbahen mend për çmendurinë dhe kotësinë e ekzistencë­s së tyre, si antiheronj të paparë të një kohe dhe të bëmave të saj pa lavdi.

Në romanin e ri të Çelës, në një vend imagjinar, ndodhin gjëra vërtet të çuditshme, por aq të nxitura nga marrëzitë tona kolektive dhe individual­e, sa të na duket krejt e mundshme që një mëngjes të bukur të zgjohemi pikërisht në një vend të tillë: një qytet- burg, ku nuk kuptohet më kush është i lirë dhe kush është i burgosur, kush është i ndershëm e kush i pandershëm, kush është i dënuar dhe kush gjykatës, kush është viktimë dhe kush është kriminel. Në këtë pikë, në ndërtimin e një realiteti imagjinar dhe metaforik, Zija Çela i ngjan një Oruelli të letërsisë shqipe.

Edhe te “Lavjerrësi” spikat gjithnjë identiteti i veçantë shkrimor, që autori e ka krijuar me kohë, proza e tij me frazë të gdhendur hijshëm, me leksik funksional, shpesh me kuptime të bartura dhe depërtime të thella në botën e ndjesisë e të mendimit. Në këtë proces krijues elegant e sqimatar, siç bëhet përçmues ndaj vogëlsisë njerëzore, ai shfaq papajtuesh­mëri ndaj së rëndomtës letrare dhe përdorimit “pa dinjitet” të atributeve artistike të fjalës së shkruar. Por njëkohësis­ht, po aq sa ç’është kërkues, Zija Çela është edhe demonstrue­s i një standardi gjuhësor të arrirë në të tëra mundësitë shprehëse, mbi të gjitha, duke krijuar një model shkrimi që bashkëkohë­son dhe modernizon letërsinë shqipe në të gjithë përbërësit e saj.

Siç jam shprehur tashmë, Zija Çela është shkrimtar që materializ­on në letërsi ndryshimet substancia­le në botën shqiptare. Ai identifiko­het si shkrimtar përfaqësue­s i letërsisë shqipe, në kohën kur në mileun shqiptar ndodhnin ristruktur­ime dhe përmbysje të mëdha. Ndryshe nga shumë autorë të asaj periudhe, të cilët nuk arrinin t’i kapnin këto rrjedha, me Zija Çelën do të ndodhte një fenomen tjetër: ai do të jetë në krye të shkrimtarë­ve shqiptarë që, në pikëpamje letrare, nuk e traumatizo­n rënia e një sistemi vlerash dhe ngritja e një sistemi të ri vlerash. Në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjet­ë, Zija Çela e kishte shpallur tashmë programin e tij letrar. Ai do të realizonte ciklin e parë të romaneve të rëndësishm­e, “Gjaku i dallëndysh­es”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”, me të cilat do të bëhet model i frymës së re në prozën shqipe. Ndërsa tetë romanet e tij të fundit, të marra së bashku, përbëjnë sagën alegorike më të madhe të letërsisë shqipe.

Lexuesi shqiptar, i cili sot lexon Markesin, Sabaton, Kunderën, Grasin, njësoj si Xhojsin, Prustin, Kafkën, Kamynë, Kalvinon e Buxatin, mund ta lexojë më me ëndje edhe Zija Çelën sepse, nga njëra anë ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa nga ana tjetër, me risitë bashkëkoho­re estetike dhe me tematikën e veprave të tij u bën jehonë pësimeve dhe dilemave të shoqërisë njerëzore.

 ??  ?? Zija Çela
Zija Çela
 ??  ?? Zija Çela
Zija Çela
 ??  ?? Kopertina e librit
Kopertina e librit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania