Panorama (Albania)

Tregtarët ambulantë kërkojnë hapjen e tregut të rrobave

-

Tregtarët e rrobave të përdorura në Lezhë dhe Korçë protestuan dje kundër vendimit që i mban mbyllur vendet ku ata punojnë. Ata janë shprehur se nuk kanë marrë as pagën e luftës dhe se janë zhytur në borxhe. Tregtarët kërkuan mundësinë që të punojnë. Kështu, tregtarët e Lezhës e gjetën dje tregun të mbyllur dhe në këto kushte iu drejtuan bashkisë në kërkim të zgjidhjes. Ata zhvilluan një protestë para ambienteve të këtij institucio­ni. Tregtarët u shprehën se i kanë marrë të gjitha masat për mbrojtjen nga COVID- 19 dhe s'e kuptojnë pse nuk lejohen për të rinisur aktiviteti­n. "Ka gati dy muaj që jemi pa punë dhe vendimi për hapjen e aktiviteti­t duke nisur nga 11 maji, e pritëm mjaft mirë. Shkuam sot( dje) në mëngjes me mjaft dëshirë te puna, por e gjetëm tregun e mbyllur. Na tha administra­tori se duhet të presim një herë, pa na dhënë asnjë shpjegim mbi arsyen. Në këto kushte, iu drejtuam bashkisë për zgjidhje, por deri tani nuk kemi arritur të takojmë asnjë nga zyrtarët. Jemi të pajisur me të gjitha mjetet mbrojtëse nga virusi dhe kërkojmë që të na hapet tregu", thotë një tregtare. Një tjetër tregtare thotë se kjo koha e gjatë e izolimit ua ka vështirësu­ar jetesën, pasi nuk ka burim tjetër të ardhurash. "U bënë dy muaj pa punë. S'kemi asnjë burim tjetër të ardhurash. Kjo situatë na e ka vështirësu­ar shumë jetesën dhe jemi detyruar të zhytemi në borxhe. Ne mezi e pritëm rinisjen e punës e tani këta na krijojnë sërish vonesa. Më duket e papranuesh­me moshapja e tregut, përderisa ne i kemi plotësuar të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen nga virusi", tha tregtarja. Ndërkohë, pas kësaj proteste, si Bashkia e Korçës dhe ajo e Lezhës, njoftuan se tregu do të dezinfekto­het dhe më pas do të inspektohe­t për të parë nëse arrihet të zbatohet protokolli i masave kundër koronaviru­sit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania