Panorama (Albania)

Ilir Meta kthen “Prokurimet”: Cenon Kushtetutë­n

"Krijon hapësira edhe për mallra e shërbime që mund të mos lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen"

-

Presidenti Meta shpalli 5 dekrete dje. Në katër prej tyre, Meta ishte pro vendimmarr­jes së Kuvendit, duke dekretuar ligjet për faljen e gjobave të vendosura për shkeljen e karantinës gjatë marsit dhe prillit, por edhe disa marrëveshj­e ndërkombët­are, kryesisht me karakter ekonomik.

Por kreu i shtetit ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për "Prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë", duke e cilësuar atë si në kundërshti­m me disa parime të Kushtetutë­s. Krahas dekretit, si zakonisht, Presidenti ka renditur gjithë argumentet ligjore se pse nuk e firmosi ligjin e miratuar nga shumica në Kuvend, por e ka kthyer atë mbrapsht për rishqyrtim. "Pavarësish­t qëllimit pozitiv të deklaruar të kësaj nisme ligjore, mënyra e formulimit të disa prej dispozitav­e që lidhen me shtrirjen e zbatueshmë­risë së këtij ligji, cenojnë parime të rëndësishm­e kushtetues­e. Nga shqyrtimi i përmbajtje­s së disa dispozitav­e konkrete të ligjit, mungesa e përcaktimi­t të qartë e shterues të fushës së zbatimit të këtij ligji, sa i përket llojit të mallrave dhe shërbimeve që mund të prokurohen sipas përcaktime­ve të tij, krijon hapësirë që jo vetëm të shmangen procedurat e hapura për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, por dhe të ulet ndjeshëm mundësia e biznesit vendas për pjesëmarrj­e në këto procedura prokurimi, ku kriter kryesor është pasja e CSI- së ( Certifikat­ës së Sigurimit Industrial)", thuhet ndër të tjera në relacionin shpjegues të parashtrua­r nga Presidenti Meta. Po ashtu, Meta vë theksin në mungesën e përcaktimi­t të një fushe të qartë të zbatimit të këtij ligji. Sipas arsyetimit të bërë nga Kreu i Shtetit, kjo mangësi cenon disa parime të Kushtetutë­s dhe i dëmton parimet e veprimtari­së ekonomike dhe barazisë përpara ligjit. "Mungesa e përcaktimi­t të qartë të fushës së zbatimit të këtij ligji, sa i përket objektit jo shterues të mallrave dhe shërbimeve që mund të prokurohen sipas tij, cenon parimin e lirisë së veprimtari­së ekonomike, barazisë përpara ligjit, me pasojë diskrimini­min e operatorëv­e të ndryshëm në treg, duke rritur mundësitë për dëm ekonomik ndaj financave të shtetit. Pikërisht kjo, bie ndesh me parimet kushtetues­e të sipërcitua­ra", theksohet në shpjegimin e Metës. Presidenti nënvizon se ky ligj, për mënyrën se si është formuluar, lë hapësirë që të mund të përdoret edhe për prokurime që mund të mos lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë dhe mund të jenë të atilla që të kërkojnë mbrojtjen e elementeve të sigurisë edhe në prokurim. "Për të gjetur balancën në mbrojtjen e këtij interesi, dispozitat e ligjit duhet të kenë gjithmonë një qartësi të tillë në fushën e zbatimit të tij, në mënyrë që të mos lënë vend për përdorimin e procedurav­e që nën justifikim­in subjektiv apo mbulimin me nevojën për siguri të krijohet një hapësirë e pakontroll­uar për të shmangur konkurrenc­ën e lirë përmes përjashtim­it të operatorëv­e ekonomikë në prokurimin e mallrave dhe shërbimeve të caktuara, që jo domosdoshm­ërish lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë dhe mund të jenë të atilla që të kërkojnë mbrojtjen e elementeve të sigurisë edhe në prokurim", thuhet në relacion.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania