Panorama (Albania)

Bankat të shtyjnë afatin e kredive, Sejko: Kriza më e thellë në 20 vjet

Guvernator­i: “Shtyrje të dytë për bizneset në vështirësi serioze”. Shoqata e bankave: “Na duhet kohë për të vendosur. Ka kushte”

- BESARTA BASHA

Edhe pse nuk dihen me saktësi efektet ekonomike postCOVID- 19, një gjë është e sigurt: vendi ynë do të përjetojë krizën më të thellë në 20 vite.

Deklarata është bërë një ditë më parë nga Guvernator­i i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në takimin me komuniteti­n e biznesit. "Ekonomia shqiptare pritet të pësojë një rënie të fortë të aktiviteti­t ekonomik gjatë vitit 2020, në përmasa të cilat nuk i kemi përjetuar gjatë dy dekadave të fundit. Ajo do të shoqërohet me rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave dhe vështirësi financiare për bizneset e familjet".

KREDITË

Në muajin mars, Banka e Shqipërisë krijoi kushtet rrgullator­e që bankat të shtynin këstet e kredive për bizneset dhe individët deri në fundin e muajit maj, duke bërë që bankat të shtynin mbi 2 miliardë euro portofol. Por tashmë që edhe këtij muaji po i vjen fundi, kanë nisur përpjekjet për një shtyrje të mëtejshme, veçanërish­t për sektorët më të prekur nga kriza. Kërkesa e bizneseve për likuiditet nga qeveria për të përballuar krizën e koronaviru­sit mori dje mbështetje­n e guvernator­it, i cili u shpreh i gatshëm për të lehtësuar procesin më tej pas aprovimit nga bankat. "Sektori bankar duhet të bëjë një rivlerësim të qëndrueshm­ërisë së modelit të biznesit të kredimarrë­sve, në realitetin postCovid. Klientët në vështirësi të përkohshme financiare, por me modele të qëndrueshm­e biznesi, duhet të mbështeten me likuiditet dhe lehtësi të përkohshme operaciona­le. Klientët në vështirësi më serioze mund të ndihmohen nëpërmjet ristruktur­imit të kredisë, në formën e një tjetër shtyrjeje të përkohshme të këstit apo në formën e një ristruktur­imi tërësor të saj, gjithnjë dhe për aq kohë sa perspektiv­a afatgjatë e biznesit mbetet solide". Sejko u kërkoi bankave të gjejnë "të mesmen e artë" midis mbështetje­s së kredimarrë­sve dhe shëndetit të bilanceve të veta. Nga ana tjetër, Guvernator­i u kërkoi sipërmarrj­eve sinqeritet për situatën e tyre, duke shmangur lënien e gjithë peshës në kurriz të sektorit bankar. "Biznesi shqiptar duhet të tregohet transparen­t dhe luajal me sektorin bankar. Ky sektor duhet të ofrojë ndihmën e tij në përballimi­n e krizës, por ai nuk mund ta përballojë i vetëm faturën financiare të saj".

BIZNESI

Komuniteti i biznesit ka paraqitur disa kërkesa kreut të bankës qendrore. Ines Muçostepa, kryetare e Dhomës së Tregtisë, kërkoi shtyrjen e pagesës së kredive për një periudhë deri në një vit. "Banka e Shqipërisë duhet t'i krijojë mundësi bankave të nivelit të dytë për të bërë një ristruktur­im më afatgjatë në funksion të goditjes që kanë pësuar. Për sektorin prodhues, të transporti­t, të turizmit dhe atë fason, kërkojmë që: pagesa e kësteve të kredive të shtyhen nga 6 muaj deri në një 1 vit, si dhe të miratohen sa më parë aktet normative lidhur me garancinë e dytë sovrane për të ofruar likuiditet në investime apo në rifillimin e punës", theksoi Muçostepa, duke shtuar se nevojitet një ndërhyrje e dytë, me qëllim lehtësimin e pasojave postkorona­virus". Ndërsa kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi, vuri në dukje se sektori që përfaqëson është i gatshëm të mbështesë klientët në vështirësi për shkak të situatës së krijuar, por theksoi se nevojitet më shumë qartësi në skemat e mbështetje­s që do të garantohen nga qeveria shqiptare. Sipas tij, jo të gjithë mund të përfitojnë nga garancia shtetërore. "Duhet të analizojmë dhe të gjejmë zgjidhje rast pas rasti, na duhet kohë të analizojmë edhe një shtyrje të mundshme të pagesës së kësteve. Garancia sovrane nuk mbështet çdo kredi që duan të marrin klientët dhe nuk mund të përfitojnë ata që nuk kishin mundësi shlyerjeje të huave të mara para pandemisë. Sektori bankar nuk mund të mund të negociojë stabilitet­in e vetë sistemit. Duhet të bëjmë diçka për të nxitur kredidhëni­en dhe të mos harrojmë se të gjithë jemi në të njëjtën varkë", tha Pedrazzi, duke shtuar se numri i aplikimeve për kredi është dyfishuar që nga java që lamë pas. Vetë bizneset thonë se kanë pasur përgjysmim të të ardhurave dhe rënie të shitjeve me 70%, ndërsa deri më sot rezultojnë mbi 60 mijë persona të pushuar nga puna.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania