Panorama (Albania)

“Sherri me nipin e Hazbiut për bukuroshen me biçikletë”, rrëfimi për ngjarjen e ‘ 75: Si u fsheha në pyjet e Kërrabës

HISTORIA E RRALLE E HAXHI SULES: PAS ARRATISJES NGA BURGU, FEÇOR SHEHU ME NDOQI ME HELIKOPTER. I SHPETOVA DENIMIT KAPITAL NGA KUSHERIRI KRYETAR DEGE

- KADRI HAZBIU ( MAJTAS) ISH- I DENUARI HAXHI SULA ( POSHTE) FEÇOR SHEHU

Kjo është historia e panjohur e Haxhi Sulës nga Tirana, i cili në vitin 1975, pas një zënke me dhëndrin e Kadri Hazbiut në mes të Tiranës, mori rrugën në drejtim të pyjeve të Kërrabës, me qëllim për t’u arratisur nga Shqipëria, por u kap nga ushtarët në fshatin Pëllumbas dhe u dënua me shtatë vite burg, duke u dërguar për të vuajtur dënimin në burgun e Borshit. Historia e rrallë e arratisjes së Haxhi Sulës nga burgu i Borshit, ku pasi goditi ushtarin në vendroje dhe i mori mitralozin e lehtë, u largua në drejtim të rrugës nacionale, ku me forcë detyroi një shofer “ZIS”- i dhe të dy morën rrugën për në drejtim të Nivicës, ku dhe u rrethuan nga forcat ushtarake e ato vullnetare në një operacion të madh, të cilin e drejtonte nga helikopter­i zv/ ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, së bashku me Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë së Sarandës, Jashar Menzelxhiu­n.

“Në përrua më rrethuan 14 ushtarë të kufirit me në krye oficerin e tyre, Pajtim A. Unë qëlloja pa pushim me mitralozin e lehtë, por ushtarët nuk trembeshin nga të shtënat e mia. Më pas më kapi një plumb tjetër, një gisht poshtë zemrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi ishte fshehur pas disa shkëmbinjv­e dhe shënonte me saktësi drejt meje, pashë që po afroheshin dhe dy tanke, kurse mbi krye ishte një helikopter ku qëndronin Feçor Shehu me Sekretarin e Parë të Komitetit të Partisë së Rrethit të Sarandës, Jashar Menzelxhiu.

Aty më kapën ushtarët dhe civilët e forcave vullnetare e më lidhën fort. Një shofer nga Nivica, i quajtur Foto, hoqi thuprën metalike të matjes së vajit dhe ma futi thellë te brima e plagës së plumbit, e cila më preku shpretkën dhe ma dëmtoi. Tani nuk e kam më”. Kështu i kujtonte Haxhi Sula minutat e fundit të tij në liri, pas arratisjes nga burgu i Borshit në vitin 1975, pak kohë pasi ishte dënuar për “Tentativë arratisjej­e” dhe ishte arrestuar në pyjet e Kërrabës në fshatin Pëllumbas.

Po kush është Haxhi Sula, cila është e kaluara e tij, si u dënua ai herën e parë kur ishte në moshën 23- vjeçare pas një zënke me dhëndrin e Kadri Hazbiut në mes të Tiranës, ngjarje e cila do t’i ndryshonte rrjedhën e jetës për t’u dënuar dhe ridënuar disa herë në burgjet e regjimit komunist, pas dy tentativas­h arratisje nga burgjet dhe një nga kufiri?! Lidhur me këto e ngjarje të tjera nga jeta e tij tragjike, Haxhi Sula ( apo siç është njohur ndryshe pas viteve ’ 90 edhe me emrin Ylli), i konsiderua­r si një nga më të tmerrshmit e burgjeve komuniste, bashkë me bashkëshor­ten e tij, Vjollca Giçi Sula, na i tregonin pak kohë para se Haxhiu të ndahej nga jeta në rrethana tragjike në vitin 1997. INCIDENTI ME DHËNDRIN E KADRI HAZBIUT Historia e gjatë e mundimeve të Haxhi Sulës drejt burgjeve komuniste e ka zanafillën diku aty nga viti 1975, pas një incidenti në qendër të Tiranës, e cila papritmas do t’i ndryshonte krejt rrjedhën e jetës. Lidhur me këtë, Haxhiu kujtonte: “Isha vetëm 23 vjeç kur nisi odiseja ime e gjatë drejt ferrit komunist. Në pranverën e vitit 1975, teksa isha duke shëtitur në bulevardin ‘ Qemal Stafa’ në Tiranë, një vajzë e pashme që po mësonte biçikletën erdhi dhe u përplas me mua. Unë me tepër mirësjellj­e e qortova, duke i thënë që ta mësonte më larg biçikletën dhe jo aty, pasi do të përplasej me ndonjë automjet. Por pas pak, aty pranë më ndali dhëndri i Kadri Hazbiut dhe më goditi. Unë nuk durova dhe iu përgjigja me të njëjtën mënyrë, por sapo mësova se kush ishte, ika me vrap dhe dola te kodrat e liqenit e më pas drejt pyjeve të Kërrabës, ku qëndrova i fshehur për katër ditë e net me radhë.

Ditën e katërt, duke menduar se do të harrohej ajo punë, zbrita nga pyjet e Kërrabës dhe fshehurazi erdha deri afër shtëpisë sime në Tiranë. Aty pashë se forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme kishin rrethuar shtëpinë me katër makina policie, duke kujtuar se unë do të kthehesha aty. Operacioni për kapjen time e drejtonte vetë zv/ ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu, së bashku me Kadri Ismailatin, një nga shefat e Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pas asaj që pashë aty, fillimisht u tmerrova dhe nuk po dija se çfarë të bëja, por e mblodha vetën në sekondë dhe menjëherë u nisa për në drejtim të pyjeve të Elbasanit, me mendimin për t’u arratisur nga kufiri në zonën e Librazhdit.

Por në fshatin Pëllumbas më rrethuan ushtarët e një reparti të Ministrisë së Mbrojtjes, që i kishin ngritur në alarm pas ngjarje sime. Ata, me disa breshëri të gjata automatiku, më urdhëruan që të dorëzohesh­a. Ngaqë kisha disa ditë pa vënë gjë në gojë, fuqitë më kishin lënë dhe nuk kisha mundësi që t’u bëja asnjë rezistencë ushtarëve, të cilët më kapën e më lidhën menjëherë. Njëri prej tyre më tha: ‘ Ke rënë në fole grerëzash’. Pas kësaj, më nisën për në Tiranë, ku më mbajtën tre muaj në Hetuesi, krejt të vetëm dhe me një batanije të hollë.

Pas Hetuesisë, më mbajtën edhe gjashtë muaj në spitalin e burgut, duke më kuruar plagët që m’i kishin shkaktuar vetë nga të rrahurat. Më pas më nxorën në gjyq, duke më dënuar me shtatë vite burg me akuzën për ‘ Tentativë arratisjej­e’. Pas më mbajtën një javë në ‘ Kaushin’ e Burgut 313 të Tiranës, më nisën për në burgun e Borshit në Sarandë”, kujtonte Haxhiu incidentin me dhëndrin e ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, që e “përplasi” së pari në burgjet e regjimit komunist.

ARRATISJA NGA BURGU I BORSHIT Që ditën e parë sapo mbërriti në burgun e Borshit, Haxhi Sulës i punonte mendja vetëm se si mund të arratisej nga ai kamp. Lidhur me këtë, Haxhiu kujtonte: “Më ishte mbushur mendja: ose të arratisesh­a, ose të vdisja aty, rrugë tjetër nuk kishte. Pasi provova dhe bëra dy përpjekje, të dyja më dështuan, por nuk u pikasa nga asnjëri. Rasti i tretë më erdhi kur një nga nënoficerë­t më urdhëroi që të ngarkoja thesin me pleh fare pranë telave të rrethimit. Unë fshehurazi futa disa ushqime brenda në thes dhe u nisa për të zbatuar urdhrin e tij. Në ato momente, në kokën time fillova të bluaja shumë gjëra, por e vetmja gjë që më mundonte, pa të cilën unë nuk mund të bëja dot asnjë hap në drejtim të telave, ishte arma.

Më ishte fiksuar dhe ngulitur në kokë se po të kisha në dorë një automatik, nuk kishte njeri që të më ndalte dot që të arratisesh­a nga ai kamp. Përgjova ushtarin e rojës që ishte mbi tarracë e i gjeta rastin kur ai u afrua dhe e godita në kokë që ta trullosja. Ai ra në tokë, por ngaqë ishte shumë i fuqishëm, u ngrit prapë dhe më mbërtheu në trup. Unë e qëllova me grushte dhe e hodha në një hendek aty pranë. Ai menjëherë sapo ra aty, nxori pistoletën që kishte në brez, ndërkohë që unë më parë kisha kapur mitralozin e tij të lehtë me zinxhirin e plumbave të futur në fole dhe dy të tjerë që i kishte rezervë në kuti. Kur i preka ato me dorë, prej gëzimit më shkuan lot në sy.

U nisa pa e ditur se ku po shkoja, por vetëm e vetëm që të largohesha sa më shumë prej aty. Mendjen e kisha vetëm në drejtim të kufirit, rrugë tjetër për mua tashmë nuk kishte”, dëshmonte Haxhi Sula, lidhur me aventurën e rrezikshme të tij, atë të tentativës së arratisjes nga burgu i Borshit. NDJEKJA NGA USHTARËT DHE ÇETAT VULLNETARE

Po çfarë ndodhi më pas me Haxhi Sulën pas largimit të tij nga burgu i Borshit, a arriti ai që të fitonte lirinë? Lidhur me këto, Haxhiu tregonte: “Teksa kisha kapërcyer telat e rrethimit të jashtëm të burgut dhe qëndroja me mitraloz në dorë, aty afër meje në çast se nga u gjendën disa të dënuar, që i gjithë kampi i njihte si spiunë, apo bashkëpunë­torë të komandës, të cilët me të butë e më të lutura më bënin thirrje që të dorëzohesh­a. Unë qëllova disa herë në ajër mbi kokat e tyre dhe ata u shtrinë të gjithë barkas në baltë. Nga breshëritë e mitralozit, i gjithë ajri përreth meje mbante era barut. Nuk kishte shumë kohë për t’u menduar se në kamp u dha alarmi me sirenë dhe ushtarët e shërbimit nga kullat e rojës filluan të qëllonin me breshëri në drejtimin tim.

Unë sakaq ia kisha dhënë vrapit në rrugën kryesore dhe aty pashë një makinë tip “Zis” të ndaluar, ku shoferi i saj dukej që po mundohej të eliminonte ndonjë defekt. Iu afrova dhe i thashë që ta niste menjëherë makinën. Ai shtangu dhe mbeti i hutuar nga fjalët dhe paraqitja ime me mitraloz në dorë. Ia përsërita fjalët dhe ai, pasi vështroi edhe një herë nga gryka e mitralozit, me të shpejtë u hodh për te timoni. Makina çuditërish­t u ndez në moment dhe ai më pyeti se për ku do të shkonim. Unë iu përgjigja tri herë: Drejt Konispolit. Ai vazhdoi: Po ku?!

Unë i thashë me zë të fortë: Në drejtim të kufirit. Ai si nëpër dhëmbë foli disa fjalë që mezi i kuptova. Më duket sikur më tha se: po e merrja në qafë, pasi kishte shtatë fëmijë për të ushqyer. Unë hipa në karroceri dhe i dhashë urdhër të nisej menjëherë. Ai bëri ashtu siç i thashë unë dhe ndërsa makina fluturonte, mua se si më dukej vetja ashtu me mitraloz në dorë dhe mezi mbushesha me frymë nga ajri i pastër i detit që shtrihej poshtë rrugës automobili­stike. Pas pak, përpara nesh në të dyja anët e rrugës u duk një grup ushtarësh, që si duket i kishin nxjerrë për të më ndjekur mua.

Qëllova me breshëri dhe ata u fshehën poshtë rrugës. Bashkë me ushtarët kishin dalë dhe çetat vullnetare. Të gjithë qëllonin kundër makinës dhe xhamat e spondet e saja u bënë shoshë nga plumbat e tyre. Ndërsa makina nisi të çante përpara si avion, sikur shoferi të kishte një mendje me mua, më dukej se rruga çahej dhe nga ato të çara dilnin ushtarë dhe vullnetarë civilë që qëllonin drejt nesh. Ndërkaq morëm një udhë në drejtim të pyllit dhe atëherë mendova se shoferi nuk do të më tradhtonte, sepse dashje pa dashje, ai ishte lidhur me mua dhe nuk kishte më kthim pas.

Aty në të hyrë të fshatit Nivicë u dëgjuan krisma dhe thirrje të tjera. U futëm në pyllin majtas dhe aty na doli përpara një makinë ‘ Gaz- 51’, i mbushur me ushtarë. Qëllova me breshëri në drejtim të gomave të makinës dhe nga presioni ajo u përmbys dhe ushtarët fluturuan nga spondet, sikur të ishin lodra. Ne ecëm dhe pak përpara dhe pasi dëgjuam tri të shtëna pushke, të cilat ishin alarm për fshatarët, lamë makinën dhe i thashë shoferit që të më ndiqte pas nëpër përrua”, kujtonte Haxhi Sula aventurën e tij të rrezikshme të arratisjes nga burgu i Borshit, me mendimin për të shkuar drejt Konispolit, ku ishte dhe kufiri. NDJEKJA ME HELIKOPTER NGA FEÇOR SHEHU Po çfarë u bë më pas me Haxhi Sulën dhe shoferin që ai e detyroi që ta ndiqte nga pas në drejtim të kufirit? Lidhur me këtë, Haxhiu tregonte: “Ndërsa unë e pyesja shoferin sa larg ishte kufiri nga aty, ai duke belbëzuar më thoshte se i kishte lënë fëmijët pa bukë në shtëpi. Unë mundohesha t’i jepja zemër që të shpejtonim, duke i broçkollit­ur ç’më vinte në gojë, por gjithmonë duke e urdhëruar. Teksa ecnim, dëgjuam zëra shumë afër. Shoferi më tha: ‘ Ke sjellë në kufi si ushtarët shqiptarë, edhe ata grekë. Do hapësh luftë mes tyre. Unë i thashë që të më ndiqte dhe pastaj po të donte, mund të kthehej.

Ai m’u përgjigj: ‘ Ku të mbytem pastaj?!’ ‘ Atëherë nxito me mua’, iu drejtova dhe pashë një grup tjetër ushtarësh që kishin zënë pozicionet te një parcelë aty para nesh. Ata më qëlluan dhe një plumb rikoshetë më kapi në trup dhe më dogji shumë ( nga kjo plagë më pas më kanë hequr gjashtë metër zorrë). U hodha në përrua dhe nisa të mbrohem duke qëlluar me breshëri. Po më mbulonte gjaku. Shoferit i ra të fikët, apo bëri vetë kur më pa ashtu dhe unë i hodha ujë përroi e ai u përmend. ‘ Lërmë të vdes’, m’u lut ai me sy gjysmë të mbyllur. Befas pashë të na

afroheshin ushtarë me komandanti­n e tyre oficer, Pajtim A.

Të pozicionua­r, ata qëllonin në drejtimin tim. Më kapi dhe një plumb tjetër, pak poshtë zemrës. Ishte oficeri ai që qëlloi, pasi shënonte saktë nga pozicioni i tij. Këpuca më qe mbushur me gjak dhe këmba më llapashite­j aty brenda. Mezi mblodha fuqitë dhe qëllova dhe një herë më tepër për t’i trembur. Ndërkaq, drejt meje po afroheshin dy tanke, kurse mbi krye fluturonte një helikopter, ku ishin Feçor Shehu dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Sarandës, Jashar Menzelxhiu. Për të shfryrë dufin, i harxhova të gjithë fishekët. Aty afër pashë një zetor dhe u afrova për të hipur, por ngaqë kisha humbur shumë gjak, më lanë fuqitë dhe ngela aty pa ndjenja. Aty më kapën ushtarët dhe civilët e forcave vullnetare dhe më lidhën fort.

Një shofer nga Nivica i quajtur Foto, hoqi thuprën e matjes së vajit dhe ma futi thellë te vrima e plagës. Më preku shpretkën duke ma nxjerrë jashtë përdorimit ( tani nuk e kam më atë). Ashtu i plagosur, i pafuqishëm, i dorëzuar nga dhimbjet, rrija shtrirë në tokë brenda një rrethi ushtarësh e civilësh që më shihnin me habi, si të isha një qenie tjetër e jo njeri. Herë pas here më hidhnin ujë dhe unë përmendesh­a e shihja fytyra kureshtarë­sh mbi mua. Pastaj më lidhën fort dhe më plasën në një zetor të mbushur me pleh të lagur që m’u ngjit me gjakun në fytyrë.

Te sheshi i fshatit Bamatat u ndodha i shtrirë nën këmbët e Feçor Shehut e Jashar Menzelxhiu­t. Doktori që po më mjekonte kërkoi që të më zgjidhnin, por nuk ia plotësuan dëshirën. Pastaj më nisën për në Tiranë te spitali i burgut ( në pavijonin 7), ku doktorët firmosën se isha i përgjegjsh­ëm”, kujtonte Haxhi Sula fundin e aventurës që mori për të kaluar kufirin në pranverën e vitit 1975. 15 VITE BURG DHE VRASJA MISTERIOZE

Pas asaj aventure të rrezikshme, Haxhi Sulën e nisën për t’i bërë gjyqin në Sarandë, ku kishte kryer dhe “krimin” e arratisjes nga vendi i vuajtjes së dënimit. Në Qafën e Ballshit, policët e zbritën për të pirë ujë, duke ia zgjidhur duart. Ai, teksa ndihej i lirë, iu hodh një polici për t’i marrë automatiku­n. Gjatë përleshjes, policët e tjerë e goditën nga mbrapa dhe e lidhën përsëri. Gjyqi e dënoi në fillim me vdekje dhe më pas ia zbriti në 15 vite burg, pasi një i afërm i tij ishte kryetar i një Dege të Brendshme, ku një pjesë të madhe të dënimit ai do ta vuante në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Por kjo nuk ishte aventura e vetme e Haxhiut në drejtim të kufirit.

Pasi përfitoi nga dy amnistitë që u dhanë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës për një pjesë të të burgosurve politikë në vitet 1982 dhe 1986, Haxhi Sula u lirua nga burgu pasi kishte vuajtur për më shumë se njëmbëdhje­të vjet dënimin si i burgosur politik. Pas daljes nga burgu, ai mundi që të sistemohej në punë në fonderinë e Uzinës së Autotrakto­rëve “Enver Hoxha” në Tiranë, ku zakonisht dërgoheshi­n për “edukim” personat që sapo kishin dalë nga burgjet.

TENTATIVA E KATËRT E ARRATISJES

Edhe pse u sistemua me punë pas daljes nga burgu dhe gjeti ngrohtësin­ë e familjes, Haxhi Sula e kishte mendjen përsëri te kufiri dhe “bota e lirë” e çdo ditë, teksa kthehej nga puna i lodhur, mendonte dhe bënte nga një plan arratisjej­e. Gjë, të cilën do ta bënte realitet pak muaj më vonë, por që fatkeqësis­ht ajo tentativë arratisjej­e do të rezultonte fatale jo vetëm për Haxhiun, por edhe për gjithë grupin e tij prej shtatë vetash, që mbetën të përgjakur në telat e klonit.

Haxhiu përlotej dhe e kishte të pamundur që të na e tregonte atë histori tragjike, ku humbën jetën shokët e tij të ngushtë dhe atë histori na e plotësoi bashkëshor­tja e tij, Vjollca Giçi Sula, e cila na tregonte: “Koha e lirimit të Yllit nga burgu në vitin 1986 shënon dhe me njohjen e martesën tonë. Që në takimet e para, Ylli më tregonte për jetën e tij të vështirë dhe plot peripeci që kishte kaluar nëpër burgje. Unë i thosha që ta harronte atë kohë, por ai nuk e kishte të lehtë për arsye se atë vazhdonte ta ndiqte dhe ta survejonte Sigurimi i Shtetit edhe pas lirimit nga burgu.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ?? Haxhi Sula
Haxhi Sula
 ??  ?? Kadri Hazbiu në gjyq
Kadri Hazbiu në gjyq

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania