Panorama (Albania)

Selenicë, 50- vjeçari plagoset me armë pranë shtëpisë

Autori me kapuç, u largua me makinë nga vendi i ngjarjes

- VLORË

Një 50- vjeçar është plagosur me armë zjarri mesditën e djeshme në Selenicë të Vlorës.

Sipas informacio­neve të Policisë, bëhet e ditur se i plagosur ka mbetur shtetasi Jetnor Xhaferri, i cili ka marrë një plumb në dorë. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet për zbardhjen e motivit dhe identifiki­min e autorit. Nga hetimet e para, referuar dhe burimeve nga blutë e Vlorës, ka rezultuar se 50- vjeçari është qëlluar nga një person i maskuar me kapuç, i cili është afruar në një distancë të afërt me objektivin e tij. Ai ka qëlluar ndaj 50- vjeçarit, ndërsa fatmirësis­ht plumbi e ka kapur në dorë, duke e lënë të plagosur lehtë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal të Vlorës. Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet që ndodhej pranë vendit ku qëlloi 50- vjeçarin. E gjithë skema e krimit ka ndodhur poshtë banesës së të plagosurit Jetnor Xhaferri. Sipas burimeve në Polici, autori nuk ka vepruar i vetëm në këtë ngjarje, ndërsa synimi i tij dyshohet të ketë qenë eliminimi i 50- vjeçarit. Por ky fakt nuk është arritur nga ana e autorit, i cili nuk ka mundur të qëllojë në shenjë Xhaferrin.

HETIMET

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme në Selenicë. Po ashtu, janë vënë në ndjekje të autorit, duke ngritur postblloqe të shumta në Selenicë dhe në Vlorë. Gjithashtu, është bërë sekuestrim­i i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë rreth zonës ku ndodhi plagosja, në mënyrë që të identifiko­het makina me të cilën mund të ketë lëvizur autori, apo vetë ai. Ndërkohë, pas plagosjes, 50- vjeçari Jetnor Xhaferri është transportu­ar në Spitalin Rajonal të qytetit të Vlorës ku i është dhënë edhe ndihma e parë mjekësore, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pasi ka marrë mjekimin në spital, aty ai ka dhënë edhe dëshminë e tij para oficerëve të Policisë. 50vjeçari mësohet të jetë shprehur se nuk e ka njohur personin që e ka qëlluar, pasi ai ishte i maskuar me kapuç. Policia ka ngritur disa pista hetimi për ngjarjen, ku një prej tyre është hakmarrja, e cila lidhet me të kaluarën e të plagosurit. I plagosuri mësohet se është person i njohur për blutë e Vlorës. Po ashtu, për zbardhjen e plotë të ngjarjes, Policia ka bërë shoqërimin edhe të afërmve të të plagosurit, të cilët kanë dëshmuar nëse gjatë kohëve të fundit kanë pasur ndonjë konflikt me persona të tjerë. Hetohet edhe pista e ndonjë konflikti që mund të ketë pasur 50- vjeçari gjatë kohëve të fundit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania