Panorama (Albania)

Veliaj: Ky ishte vendimi më i vështirë i jetës sime

"Ndërtesë e rrezikshme, asnjë kolonë betoni, armaturë apo çelik"

- Kryebashki­aku Veliaj

Kreu i Bashkisë së Tiranës, në një mesazh nga institucio­ni që drejton, për shembjen e Teatrit Kombëtar kërkoi bashkëpuni­m për të ndërtuar godinën e Teatrit të ri, ndërsa e cilësoi prishjen e tij si vendimin më të vështirë të jetës së tij.

Kreu i bashkisë tha se ndërtesa ishte shumë e rrezikshme dhe vetë prishja e saj tregoi se nuk kishte asnjë kolonë betoni, armaturë apo çelik në këtë strukturë.

MESAZHI I PLOTË:

Sot ka qenë një ditë, kur na u desh të merrnim një vendim të drejtë, por jashtëzako­nisht të vështirë. Them vendim i drejtë sepse diskutimi për një teatër të ri ka qenë një diskutim prej 70 vitesh, që në momentin kur periudha e përkohshme e atyre pak viteve të luftës mbaroi, për të hapur një diskutim tjetër, çfarë do të kemi si ndërtesë permanente të Teatrit Kombëtar. Ajo ndërtesë u sajua ndër vite si për gjyqet popullore të asaj kohe, por pastaj edhe për funksione të tjera, pastaj edhe kinema, pastaj sërish teatër, pastaj bingo e sërish teatër, një ndërtesë jashtëzako­nisht e amortizuar. E filluam këtë diskutim, pra këtë raund të fundit të diskutimev­e të këtyre tri viteve, kur propozuam një teatër të ri me transferim­in e administra­tës së re në Bashkinë e Tiranës. Kishim një projekt për pazar të ri, bulevard të ri, për një breg të ri të lumit, për një pjesë të re të liqenit, për një shesh të ri, një kala të re dhe sigurisht, edhe për një teatër të ri, bashkë me shumë shkolla, rrugë e investime të reja, që i kanë hije Tiranës për 100 vitet e fundit. Pati një diskutim shumë të gjatë. Kam qenë në 12 takime në hotelet kryesore të qendrës, ku jemi takuar non- stop edhe me ata që kanë qenë kundër gjithçkaje, që në fund fare ishin një pakicë, edhe me ata që kanë pasur kundërshti­me mbi pjesë të ndryshme të procesit. Fillimisht nuk u preferua një teatër që të kishte kullë sipër dhe ai ra si variant. Qeveria dhe bashkia u tërhoqën, bënë një hap pas; pastaj u kërkua që të kishte një mundësi për ta financuar duke u siguruar që nuk preket fare toka e teatrit, pavarësish­t se një investim privat në tokë të bashkisë do të ngushtohej. Bëmë prapë një hap pas, edhe qeveria edhe bashkia, që asnjë centimetër të mos i prekej Teatrit Kombëtar. Më pas kishte edhe një pjesë tjetër, që kërkonte që kjo të mos bëhej as nga privati dhe kur artistët kërkuan më shumë sesa privati mund të ofronte, ne thamë do shkojmë me artistët. Nëse ata kërkojnë impiante, kërkojnë skena që rrotullohe­n dhe nën vete, që ndoshta kushtojnë më shumë se ç'mund të paguajë privati me plan biznesin e vet, atëherë do t'i themi jo privatit, do t'i themi po publikes dhe do ta financojmë vetë projektin e ri.

Gjatë gjithë këtij procesi, këtyre 12 takimeve të hapura, por edhe qindra takimeve individual­e që unë si kryetar bashkie kam bërë me pjesën më të madhe të komuniteti­t të artistëve, ne sigurisht kemi moderuar qëndrimet tona, por në një negociatë nuk mund të marrësh gjithçka. Ne nuk mund ta kemi teatrin edhe pa kullë, edhe në tokë të vet, edhe pa bërë asnjë investim tjetër privat, edhe pastaj me paratë tona, por edhe të ruajmë të vjetrin. Në një qendër të Tiranës, ku janë të gjitha institucio­net e rëndësishm­e dhe jo në periferi si Bregu i Lumit apo fshatrat e Tiranës, ku ne mund të kemi toka të lira.

Kjo është arsyeja pse sapo na u transferua prona, menjëherë kërkuam, siç kërkojmë tipikisht për çdo pronë që na transferoh­et, që kjo të verifikohe­t nga Instituti i Ndërtimit. Instituti i Ndërtimit e vlerësoi në vitin 2018 si një ndërtesë të amortizuar dhe të rrezikshme, siç u pa nga rënia e lehtë që iu bë sot, me të prekurat e para. E verifikuan sërish për herë të dytë dhe Instituti i Ndërtimit sërish tha: Kjo është një ndërtesë e rrezikshme. E vërtetuam me Institutin e Monumentit të Kulturës, i cili tha: Kjo ndërtesë nuk ka qenë kurrë monument kulture, madje në 2007, ata që e përdorën më shumë politikish­t këto dy vite e gjysmë këtë betejë, e hoqën edhe si mundësi për ta futur ndonjëherë në listat e monumentev­e të kulturës, duke e konsiderua­r diçka krejt të pavlerë.

Pasi mbaruam gjithë këto diskutime, në momentin që u bëmë pronarët e parë të kësaj ndërtese, nëse diçka do t'i ndodhte secilit prej atyre që okuponte atë pronë publike në mënyrë të padrejtë, pa letra, pa dokumente, thjesht duke hyrë aty, duke bujtur gjatë ditëve të protestës këto 2.5 vjet, do të rrezikonte jetën dhe përgjegjës do ishte pronari i asaj prone, që ka lejuar të tjerët të futen aty.

Në momentin që Instituti i Ndërtimit dha këtë mendim, njoftuam mbledhje të Këshillit Bashkiak, siç janë bërë të gjitha mbledhjet kolegjiale këto kohë, online, dhe morëm vendimin për të bërë këtë prishje, siç e ka rekomandua­r Instituti i Ndërtimit. Pasi u verifikuam që jo vetëm ndërtesa nuk ishte e mbrojtur, siç pretendojn­ë disa, por ndërtesa s'kishte qenë kurrë në këtë listë dhe është insistuar sidomos për të mos e futur nga ata që e përdorën politikish­t këtë betejë.

Teatri i vjetër iku, tani përgatitem­i për teatrin e ri. Por teksa përgatitem­i për teatrin e ri, duhet të nxjerrim disa mësime. Një ndër mësimet që duhet të nxjerrim është se duhet të bashkëpuno­jmë; duhet të bashkëpuno­jmë ta përmirësoj­më këtë ide. Kemi disa ide shumë të mira që e kanë pasuruar projektin nga artistët, por unë besoj se mund të bëjmë akoma më mirë.

Sot dua t'i shtrij dorën kujtdo që nuk ishte dakord me ne në këtë betejë; kujtdo që ndoshta, edhe pse s'e ka ekspertizë­n inxhinieri­ke, edhe pse s'e ka ekspertizë­n ligjore për të kuptuar si funksionoj­në këto procese, apo ndoshta as njohurinë bazë që, jo vetëm që nuk ishte kurrë monument, por që në 2018 ishte i rrezikuar dhe siç u pa sot pas prishjes, ishte i gjithë populit, tallash, teneqe. Nuk pamë një kolonë betoni, një armaturë, një gram çelik. Ajo ndërtesë ishte realisht e rrezikshme dhe nuk mund të jetë ndërtesa për të çuar fëmijët e këtij qyteti në 100 vitet e ardhshme. Nuk mund të vazhdohet të shkohet me batanije në dimër apo me peshqirë, qull në djersë në verë. Na duhet një teatër modern. Ndaj, dua t'ia shtrij dorën kujtdo, që për një arsye apo për një tjetër, sot zemrën e ka të thyer dhe ndihet i trishtuar, se një betejë që i mori kohë, energji, doli pa fryt. Dua t'ju them që nuk është kështu. Tirana është shtëpia jonë e përbashkët. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Detyra e bashkisë është që të vendosë mbi faktet, mbi institutet, mbi inxhinierë­t, mbi urbanistët, mbi arkitektët, mbi ligjet e këtij vendi, që thonë çfarë është apo nuk është monument kulture. Në momentin që ky vendim është marrë, ka ardhur koha që të shohim përtej kësaj dite. Ka ardhur koha që të përqafojmë njëri- tjetrin, të mos lëmë partitë të na përçajnë, të mos lëmë partitë të sulin shqiptar me shqiptar, vëllezër dhe motra kundër njëri- tjetrit. Ky nuk është momenti për t'u përçarë, por për t'u bashkuar. Besomëni! Partitë politike fërkojnë duart kur shohin se si ne përçahemi. Dhe për çfarë? Për të pasur një teatër të ri modern për fëmijët tanë dhe gjeneratat e reja të këtij qyteti. Ndaj, vëllezër dhe motra, çfarë iku, iku. Ka ardhur koha të bëhemi bashkë. Nuk mbaj mend kur kemi bërë një punë të madhe në Tiranë e të mos jetë e kontestuar, e debatuar, të mos jenë të përfshirë lloj- lloj politikanë­sh që na kanë përçarë këto 30 vite. Mendojnë vetëm çfarë votash do kapitalizo­jnë kur fusin shqiptarët në sherr dhe pastaj siç e patë, shkojnë në makinat e tyre luksoze, në vilat e tyre dhe ne vazhdojmë dhe theremi dhe shajmë njëri- tjetrin. Nuk shkon. Ajo që na ka hije është që tani ne të bashkëpuno­jmë. Nuk ka rëndësi nëse kemi qenë në anë të ndryshme të kësaj barrikade deri më sot, por unë sot, me zemër në dorë, dua t'ju shtrij dorën, t'ju hap krahët dhe dua që të bashkëpuno­jmë se si ne këtë projekt mund ta bëjmë akoma më të mirë seç e kemi sot. Ju dua shumë! Ndonjëherë, kjo detyrë kërkon të marrësh vendime shumë të vështira. Ndoshta, vendimi më i vështirë i jetës sime për të zbatuar vendimin, në fakt të Këshillit Bashkiak, por ndonjëherë gjëja e drejtë do të gjykohet me gjakftohtë­si më vonë. Kemi marrë një vendim të drejtë miqtë e mi! Na priftë e mbara dhe mezi pres që ditët që kemi përpara t'i kalojmë duke bashkëpunu­ar, duke u përqafuar, duke u vëllazërua­r dhe jo duke u përçarë. Tirana është një shtëpi e madhe dhe ka vend për të gjithë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania