Panorama (Albania)

Lleshaj "lan" duart me Teatrin dhe mbron policët për dhunën

"Po, te Policia qytetarët duhet të shohin ministrin e Brendshëm. E ka kryer detyrën shumë mirë gjatë kësaj periudhe"

- MARIGLEN KUME

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka marrë në mbrojtje punonjësit e Policisë së Shtetit pas akuzave të shumta ditët e fundit, në lidhje me dhunën që ushtruan ditën e diel pas shembjes së Teatrit Kombëtar.

Përmes një shënimi të gjatë në "Facebook", Lleshaj i qëndron një deklarate të bërë më herët, se qytetarët duhet të shikojnë te forcat e Rendit ministrin e Brendshëm. Deklaratë kjo, që i është kujtuar shpesh ditët e fundit pas rasteve të bëra publike, ku Policia ushtron dhunë ndaj qytetarëve. "Po. Te policët, qytetarët duhet të shohin ministrin e Brendshëm. Oficerët e Policisë mbajnë në uniformë simbolet e Republikës, kanë atributet e zbatuesit të ligjit, kanë përgjegjës­i dhe mbrojtje të veçantë ligjore. Për këtë arsye, tek ata duhet ta shohim ministrin, madje edhe më shumë duhet të shohim drejtorin e përgjithsh­ëm të Policisë së Shtetit, drejtuesit e tjerë të saj. Policia e Shtetit e ka kryer këtë detyrë shumë mirë gjatë kësaj periudhe. Ajo nuk është tërhequr dhe as nuk është stepur përballë tentativav­e të rrezikshme kundër institucio­neve të Shqipërisë. Dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë edhe më mirë, ndonëse ka po nga ata policë, që dikur edhe nuk kanë mundur ta bëjnë siç duhet detyrën e tyre", shkruan ministri Lleshaj në "Facebook". Ndërkohë, Lleshaj shtoi se sjellja e ditës së diel e punonjësve të Policisë së Shtetit nuk ishte sipas urdhrave politikë prej tij, por sipas ligjit. "Mjeranë udhëhumbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra, sipas modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre të mallkuara nga totalitari­zmi. Në fakt, Policia sot nuk merr urdhra për veprimet e saj operaciona­le. Jo. Ministri i Brendshëm nuk jep urdhra për veprimet operaciona­le. ' Urdhri' i saj i vetëm është ligji, përballë të cilit ajo duhet të jetë thjesht e verbër, për të mos bërë interpreti­me", vijoi ministri.

AKUZAT

Ministri Lleshaj u doli në mbrojtje uniformave blu, duke thënë se ata vepruan sipas ligjit, ndërsa për akuzat në lidhje me shembjen e Teatrit, ai iu kundërvu opozitës me disa etiketime. "Ka pasur këto ditë disa ' skifterë' të shkretë, që e kanë kërkuar te Policia shënjestrë­n e tyre, duke harruar se ajo nuk vendos as për ndërtimin dhe as për shkatërrim­in e ndërtesave. Ka pasur disa syresh, që nuk e kanë kursyer as dorën frikacake për të goditur ndaj vajzave dhe djemve të Policisë. Dhe pasi hedhin gurin, pasi mbarojnë me kapitullin e thirrjeve për revolucion e gjak, kalojnë paturpësis­ht tek ai i të drejtave të njeriut. Bërtasin si shpirtra të këqij për të drejtat e veta edhe përballë policëve, a thua se këta të fundit nuk janë njerëz, nuk janë qytetarë dhe nuk kanë të drejta", shkruan Lleshaj. Ndërkohë, drejtuesi politik i forcave të Rendit i konsideron skutha dhe të pabesë anëtarët e opozitës, që sipas tij janë shprehur kundër qëndrimeve të ambasadës amerikane në lidhje me çështjen e Teatrit. Pa përmendur emra, Lleshaj akuzon opozitën se ka tentuar të ndërpresë vijimësinë e shtetit shqiptar, duke shpikur kauza të ndryshme. "Bërtasin pikërisht ata që nuk kanë pasur asnjë grimë turp e asnjë grimë humanizëm, kur kanë përshëndet­ur derdhjen e gjakut nga armët e shtetit në 2011. Pikërisht ata skutha, të pabesë e të pa Zot. Njëri prej këtyre shprehej edhe kundër ambasadës së SHBAsë, kinse ajo nuk paska mbajtur qëndrimin e duhur për shembjen e Teatrit dhe ankohej se Amerika interesohe­t për vijimësinë e shtetit shqiptar! Po. Fatkeqësis­ht, po. Shqetësimi i tij ishte vijueshmër­ia e shtetit shqiptar. Përgjatë tri dekadave të fundit ka pasur shumë tentativa për ta ndërprerë këtë vijimësi shtetërore, për t'i rrëzuar institucio­net në emër të demokracis­ë. Kjo lojë tinëzare, e veshur me një mantel të rremë sloganesh ' demokratik­e', për fat të keq ka dhënë edhe rezultate katastrofi­ke", thekson ministri Lleshaj në shkrimin e tij.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania