Reforma Zgjedhore, dokumenti i KiE që rrëzon PS e PD për kohën në TV
Këshilli i Europës: Të ndalohet transporti i votuesve
Këshilli i Europës rrëzon propozimin e maxhorancës dhe opozitës së bashkuar, të formuluar në një draft të dakordësuar, që monitorimi i fushatës zgjedhore në media të mos bëhet nga një organ që ngrihej pranë KQZsë, por nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Gazeta "Panorama" ka siguruar dokumentin e rekomandimeve të Këshillit të Europës për Reformën Zgjedhore. Sipas këtij dokumenti, këshilli politik ka rënë dakord për disa pika që lidhen me politikat financiare në zgjedhje, për të cilin ka kërkuar mendimin e KiE- s. Ndërkohë, ky i fundit, më datë 11 maj, ia ka dorëzuar komentet dhe rekomandimet përkatëse këshillit politik për Reformën Zgjedhore.
MONITORIMI I FUSHATËS
Sipas një drafti të dakordësuar, palët kanë propozuar që monitorimi i fushatës zgjedhore për kohën e vënë në dispozicion në media të bëhet nga autoriteti i mediave. Ndërkohë, në zgjedhjet e fundit, kjo është bërë nga një bord që krijohej në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. "Monitorimi i fushatës zgjedhore në radio dhe televizion bëhet nga enti rregullator, i cili rregullon dhe mbikëqyr shërbimet e transmetimit audio dhe vizuale. Monitorimi do të bëhet në të gjithë territorin zgjedhor. Enti rregullator që rregullon dhe mbikëqyr veprimtarinë e operatorëve radiotelevizivë monitoron respektimin e rregullave të këtij ligji dhe akteve të natyrës legjislative të nxjerra nga KQZ nga transmetuesit radio dhe televizivë, si dhe subjektet zgjedhore. Jo më vonë se 3 muaj para datës së zgjedhjeve, KQZ miraton dhe boton Metodologjinë e Monitorimit të Mediave", ka propozuar këshilli politik në draftin e dakordësuar. Por, sipas Këshillit të Europës, ky propozim sjell paqartësi sesi do të bëhet monitorimi i pavarur i transmetimit në media të fushatave zgjedhore në një kohë që ka akuza për pavarësinë e AMA- s. "Kjo dispozitë përcakton që monitorimi i mbulimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore do të bëhet nga Autoriteti i Mediave Audiovizive ( AMA) në vend të Bordit të Monitorimit të Mediave ( MMB), një organ që, sipas Kodit aktual Zgjedhor, është krijuar posaçërisht për këtë qëllim. MMB ishte një organ i emëruar nga KQZ nga një listë e propozuar nga ' organizatat jofitimprurëse të mediave'. Nëse nuk sigurohet pavarësia e AMA- s, nuk është e qartë se si ndryshimi i propozuar do të sigurojë monitorim të pavarur të mbulimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore", shkruhet në rekomandimin e KiE- s.
SHPËRNDARJA E FONDEVE PUBLIKE
Një tjetër pikë ku Këshilli i Europës sugjeron palët që të bëjnë kujdes është shpërndarja e fondeve publike për partitë. Sipas dokumentit që tryeza e Reformës Zgjedhore i ka vendosur në dispozicion KiE- s, 90% e fondeve shtetërore shkojnë për partitë, të cilat kanë marrë në zgjedhjet e kaluara jo më pak se 0,5% të votave. Nga ky buxhet, dy të tretat do t'u jepen këtyre palëve paraprakisht. "Fondi i përcaktuar me vendim të Kuvendit, sipas pikës 1 të nenit 87 të këtij ligji, u shpërndahet partive që janë regjistruar si subjekte zgjedhore si më poshtë: a) 90 për qind e fondit do t'u shpërndahet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, të cilat kanë marrë jo më pak se 0.5 për qind të votave të vlefshme në zgjedhjet e mëparshme. Dy të tretat e këtij fondi do t'u jepen këtyre palëve paraprakisht, ndërsa një e treta do të shpërndahet pas zgjedhjeve të mbajtura dhe dorëzimit të raporteve përkatëse financiare në KQZ; b) 10 për qind e fondit do t'u shpërndahet partive politike dhe kandidatëve të pavarur", sanksionohet në nenin 70 të dokumentit. Ndërkohë, sipas KiE- s, është e vështirë që të vlerësohet nëse ky ndryshim do të sjellë përmirësim në rregulloren aktuale. "Sigurohuni që ndarja në shpërndarjen e fondeve publike për fushatën elektorale të bazohet në një analizë të qartë dhe të justifikuar në raportin shpjegues për ligjin", rekomandon KiE.
KORRUPSIONI
Ndërkohë, te nenet që lidhen me korrupsionin zgjedhor, Këshilli i Europës i rekomandon Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore që të përfshijë në dispozitat për blerjen e votave, edhe organizimin e transportit të votuesve për në qendrat e votimit. "Përfshini në dispozitat për blerjen e votave një ndalim për sigurimin e parave të gatshme për votuesit në çdo rrethanë, kufizime të qarta në materialet/ përfitimet që mund t'u ofrohen votuesve dhe ndaloni organizimin e transportit të votuesve në qendrat e votimit", rekomandon KiE.