"Helsinki" tregon problemet e përgjimeve nga Policia
Nisma e qeverisë në kuadër të paketës anti- KÇK për të zhvilluar përgjime pa urdhër të Prokurorisë, është kundërshtuar edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Në një reagim për mediat në lidhje me këtë çështje, ky Komitet thotë se nismat ligjore nuk janë konsultuar me organizatat e shoqërisë civile. Sipas KSHH, nismat ligjore dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe rrezikojnë të drejtën për privatësi. Sakaq, në reagim veçohet fakti që më herët edhe SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë kundërshtuar nismën e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për përgjimet dhe krijimin e komitetit antikrim. "Më herët, edhe SPAK, edhe Prokuroria e Përgjithshme kanë kundërshtuar nismën e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, për përgjimet dhe krijimin e komitetit antikrim. Në sugjerimet e dërguara për ndryshimet në ligjin e Policisë së Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme e cilëson antikushtetues ngritjen e komitetit antikrim në varësi të ministrit të Brendshëm, i cili do të përfshijë edhe dy organe të pavarura, të cilat nuk japin llogari para ekzekutivit, si Prokuroria dhe SPAK. Krahas kësaj, një tjetër pikë, e cila, sipas sugjerimeve të Prokurorisë, duhet ndryshuar tërësisht, është dhe ajo e përgjimeve. Sipas projektligjit, i jepet e drejta që përgjimet të kryhen dhe nga drejtorët e policive vendore, ndërsa nuk parashikohet një mekanizëm kontrollues siç është Prokuroria. Sipas Prokurorisë, dhënia e së drejtës së përgjimit të punonjësit të Policisë jashtë kontrollit të Gjykatës si dhe mospërcaktimi qartë në projektligj se çfarë vlere provuese do të kenë faktet e konfirmuara nga Policia e Shtetit, përbën një shkelje serioze të lirive e të drejtave të njeriut", theksohet në reagimin e KSHH. Gjithashtu, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kundërshtuar pikën tjetër të atij projektligji, që ka të bëjë me krijimin e Komitetit Kombëtar të Koordinimit. "KSHH bashkërisht me disa organizata të tjera të shoqërisë civile, qysh në fund të vitit të kaluar, por edhe në fillim të këtij viti, ka reaguar publikisht kundër nenit 8 të Aktit Normativ, nr. 1, datë 31.01.2020, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, që krijonte Komitetin Kombëtar të Koordinimit, që drejtohet nga ministri i Brendshëm, në përbërjen e të cilit përfshiheshin si Prokurori i Përgjithshëm, edhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme", thuhet më tej në reagimin e KSHH.