Kushtetuesja i jep të drejtë Thaçit. Nuk ka zgjedhje, por qeveri të re
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që t'i japë të drejtë Presidentit Hashim Thaçi rreth dekretit për mandatarin e qeverisë. Kushtetuesja vlerësoi se Presidenti ka vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2 të Kushtetutës, me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për Kryeministër nga LDK- ja. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, votimi i suksesshëm i mocionit të mosbesimit nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re. Ajo po ashtu ka shfuqizuar masën e përkohshme të pezullimit të këtij dekreti. Në përfundimet e Kushtetueses theksohet se për formim të qeverisë pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit të drejtën e propozimit e ka sërish partia politike ose koalicioni fitues. Megjithatë, aty shtohet se "dështimi i marrjes së votave të nevojshme në Kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë". Sipas Gjykatës, asnjëherë nuk është përcaktuar se partia politike ose koalicioni fitues ka të drejtën ekskluzive dhe të vetme për të propozuar mandatarin për Kryeministër dhe për të formuar qeverinë. Dekretin e Presidentit Thaçi në Kushtetuese e kishte dërguar për interpretim Vetëvendosje, pasi ajo si parti fituese e zgjedhjeve këmbëngul se Kushtetuta ia mundëson vetëm asaj propozimin e mandatarit për formim të qeverisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditëve të shkuara ka thënë se do të pranojë vendimin vetëm nëse ai ka të bëjë me interpretim dhe jo me amandamentim. Në ditët në vijim, sipas GJK- së, do të publikohet arsyetimi. Koha. net