Identifikimi biometrik mban peng Reformën Zgjedhore
Bylykbashi: “Të implementohet në të gjithë Shqipërinë”. Gjiknuri: “OSBE sugjeron që në fillim të pilotohet”
Edhe 4 orë të tjera mbledhje nuk mjaftuan dje që maxhoranca dhe opozita e bashkuar në Këshillin Politik të arrinin një marrëveshje, nëse identifikimi biometrik do të implementohet në të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e ardhshme apo do të pilotohet.
PD dhe aleatët e saj kërkojnë që identifikimi biometrik të aplikohet në të gjitha qendrat e votimit dhe të pilotohet votimi e numërimi elektronik. Por maxhoranca këmbëngul se teknologjia në zgjedhje, para se të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, duhet të pilotohet. Përfaqësuesi i maxhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, thotë se një gjë të tillë e ka rekomanduar edhe OSBE/ ODHIR në opinionin e saj. Sipas Gjiknurit, ndërkombëtarët sugjerojnë që përdorimi i teknologjisë të bëhet gradualisht. Si kundërargument për këtë, përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi, sqaron se propozimi që tashmë opozita ka në tryezë përmbush opinionin e ODHIR- it. Sipas Bylykbashit, në fillim opozita e bashkuar kërkonte identifikim biometrik, votim dhe numërim elektronik në të njëjtën kohë. Tashmë ata janë tërhequr nga votimi dhe numërimi elektronik në të gjithë Shqipërinë dhe i qëndrojnë vetëm identifikimit biometrik duke plotësuar kështu edhe rekomandimin e ODHIR- it. Nëse nuk arrihet dakordësi për këtë pikë, për Bylykbashin, çdo marrëveshje tjetër nuk ka vlerë.
DEBATI Damian Gjiknuri ( PS): Ka një rekomandim të ODIHR dhe një shkresë të dërguar posaçërisht për Reformën Zgjedhore, ku kërkohet implementimi shkallëshkallë i teknologjisë pasi ka rrisqe të shumta. Njëkohësisht, teknologjia nuk mund të vërë në dyshim procesin tradicional për rastet kur nuk funksionon. Partia Demokratike insiston tek e veta.
Oerd Bylykbashi ( PD): Propozimi i opozitës është futja e teknologjisë në votim; pra identifikim biometrik, votim dhe numërim në të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet e ardhshme. Ky ka qenë propozimi që kemi bërë ne. Duke e ditur që teknologjia e identifikimit biometrik është e gatshme, e disponueshme dhe e demonstruar te të gjithë aktorët e këtij procesi reforme, është e mundshme për t’u zbatuar. Ne kemi pranuar që në të gjithë këtë propozim të ecet me identifikimin biometrik, në të gjithë Shqipërinë, duke lënë mundësinë e pjesshme për pjesën tjetër.
KUSHTETUESJA Pavarësish mosdakordësisë për teknologjinë në zgjedhje, dje Këshilli Politik diskutoi edhe tema të tjera. I tillë ishte propozimi i ri i opozitës që rolin e Kolegjit Zgjedhor ta bëj Gjykata Kushtetuese. “Ne sot bëmë edhe një propozim në lidhje me Kolegjin Zgjedhor, në alternativë të propozimeve të mëparshme, duke sugjeruar që të jetë Gjykata Kushtetuese. Pra, pa hyrë në detajin e këtij propozimi, të jetë Gjykata Kushtetuese, trupa e cila do të shqyrtonte shkeljet e të drejtave kushtetuese të zgjedhësve dhe të kandidatëve në zgjedhje. Sigurisht që ky është vetëm një ilustrim, por pa arritur konsensusin mbi këto çështje, është e pamundur që të shkohet më tej”, tha Bylykbashi. Kjo formulë është përdorur deri në zgjedhjet e 2001 kur nuk kishte një
Gjykatë Zgjedhore. Në lidhje me këtë propozim, Gjiknuri tha se do të shprehej pasi të merrte mendimin e ekspertëve, pasi kërkesa e re e opozitës mund të kërkojë ndërhyrje në Kushtetutë. “Këtu mund të ketë probleme kushtetuese, por ekspertët morën pak kohë për të na kthyer përgjigje. Me pak fjalë, këtu jemi. Do përpiqemi ta vazhdojmë procesin, me synim gjetjen e kompromisit. Po themi se ne jemi për përfshirjen e teknologjisë, por në atë masë që është e mundur dhe e rekomandueshme nga ekspertiza e ODIHR- it e që nuk vë në pikëpyetje gjëra që nuk varen nga dora e njeriut”, tha Gjiknuri. Gjithashtu, palët nuk kanë dakordësi edhe për çështjen e administratës zgjedhore. Ndërkohë, për sistemin zgjedhor, si maxhoranca ashtu edhe opozita nuk kanë çuar asnjë draft.