Panorama (Albania)

Vranë biznesmeni­n gjatë grabitjes, burg përjetë për tri autorët

Gjykata e Fierit dha vendimin ditën e djeshme, Agur Vrenozi u qëllua në kokë teksa tentoi të shpëtonte fqinjin e tij nga grabitësit

-

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dënuar me burg të përjetshëm tre autorët e grabitjes së ndodhur më 2 mars të vitit 2018, në Fier.

Vendimi u dha ditën e djeshme, ndërsa të akuzuarit ishin të pranishëm në Gjykatë. Ata akuzohen se gjatë grabitjes së një pike këmbimi valutor në Fier, lanë të vrarë një person dhe plagosën rëndë pronarin. Pak ditë pasi Prokuroria e Fierit kishte paraqitur në Gjykatë pretencën për tre autorët e grabitjes së 2 marsit të vitit 2018, ku u vra Agur Vrenozi dhe u plagos Gëzim Hoxha, ndërsa togat e zeza dhanë dje vendimin final. Përfaqësue­si i Akuzës i ka kërkuar Gjykatës dënimin me burgim të përjetshëm për tre të pandehurit, kërkesë të cilën Gjykata e ka marrë parasysh. Lulëzim Demiraj, 42 vjeç, banues në Vajzë, Vlorë; Zini Fyraj, 37 vjeç, banues në Sevaster, Vlorë; dhe Dashamir Gergali, 41 vjeç, banues në Zhupan, Fier, kanë pranuar akuzat që rëndojnë mbi ta, për “Vjedhje me pasojë vdekjen”, “Armëmbajtj­e pa leje” dhe “Vjedhje”. Tre shtetasit e pandehur nuk kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar.

NGJARJA Kujtojmë se dy vite më parë, tre shtetasit Demiraj, Fyraj dhe Gergali, të armatosur, grabitën një pikë të këmbimit valutor që ishte ne pronësi të shtetasit Gëzim Hoxha. Ngjarja e rëndë u shënua në një zonë shumë të populluar të qytetit, pikërisht pranë gjimnazit “Janaq Kilica”. Gjithçka ndodhi rreth orës 10: 55 të paradites, kur lëvizja e qytetarëve ishte shumë aktive. Autorët shfrytëzua­n pikërisht zonën e rrëmujshme në pikun e lëvizjeve për të bërë grabitjen. Ata zbritën nga një makine tip “Benz” me targa AA 879 JG, që ishin të falsifikua­ra dhe nën kërcënimin e armës i kërkuan pronarit të pikës valutore, Gëzim Hoxha, t’u jepte paratë. Hoxha ka kërkuar ndihmë dhe i vetmi që i ka shkuar ishte fqinji i tij, një tregtar tjetër, pronar i një byrektorej­e, Agur Vrenozi, 53 vjeç. Ky i fundit gjatë kohës që grabitësit i drejtonin armën pronarit të exchange, Gëzim Hoxhës, ka qëlluar me arkën e bananeve pas koke njërin prej tyre. Kjo ka bërë që tjetri ta qëllojë me armë duke e plagosur rëndë në kokë, ndërsa ka qëlluar edhe në drejtim të Hoxhës, që po ashtu ka dashur të përfitojë nga rrëmuja dhe të vetëmbrohe­t.

AUTORËT Autorët, pasi i kanë plagosur të dy shtetasit, kanë marrë çantën dhe kanë hipur në makinën që zbritën, e cila i priste para pikës valutore. Vetëm në pak minuta, Policia arriti të vërë në pranga autorët, ku në atë kohë u deklarua se ata e braktisën mjetin dhe u larguan. Njëri prej tyre u gjet në lumin pranë fshatit Baltëz; tjetri në vendin e quajtur “Ura e Baltëzës” dhe i treti në një banesë në fshatin Baltëz. Edhe pse të plagosurit u shoqëruan në spital, vetëm njëri arriti të mbijetojë. Ai ishte Gëzim Hoxha, ndërsa fqinji i tij që i shkoi në ndihmë, Agur Vrenozi, nuk arriti dot të mbijetojë pasi kishte marrë dëmtime të rënda në kokë.

 ??  ?? Tre të pandehurit, dje në gjyq
Tre të pandehurit, dje në gjyq

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania