Panorama (Albania)

Rizgjedhja e Presidenti­t Duda, konfirmim i vlerave të Polonisë

- BUJAR LESKAJ

ZGJEDHJET NË POLONI Në parathënie­n e librit “100 Simbolet Polake”, theksohet se “Rruga e Polonisë drejt Europës ka qenë e gjatë, me barriera dhe ka zgjatur më shumë se dhjetë shekuj. Në një moment të historisë, Polonia u fshi nga harta botërore, por kombi polak ishte i fortë dhe këmbëngulë­s për të rivendosur Poloninë në kufijtë e saj tradiciona­lë në zemër të Europës”.

Zgjedhjet presidenci­ale në Poloni, më 12 korrik 2020, vulosën stabilitet­in e këtij vendi potent, me ekonominë e katërt më të madhe në Bashkimin Europian dhe influencë të spikatur në vendimmarr­jen e strukturav­e të BE- së. Presidenti Andrzej Duda, një figurë mbartëse e traditave të shpirtit polak, si krenaria kombëtare, integritet­i dhe ndershmëri­a, fitoi një mandat të dytë 5- vjeçar, pas një gare të ngushtë, në balotazh me Kryetarin e Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowsk­i.

Andrzej Duda, kandidati i partisë së krahut të djathtë, “Ligj dhe Drejtësi”, e cila qeveris Poloninë, mori 51.03% të votave, kundrejt 48.97% të fituara nga sfiduesi i tij, i mbështetur nga Koalicioni Qytetar, një parti e qendrës së djathtë.

Polakët iu përgjigjën si asnjëherë tjetër thirrjes për të shkuar në kutitë e votimit gjatë balotazhit, edhe pse në kohë të pandemisë. Pjesëmarrj­a në votime ishte 68 për qind, më e larta e regjistrua­r ndonjëherë. Presidenti Duda, një aleat i Presidenti­t amerikan Trump, është i pari që ka marrë më shumë se 10 milionë vota që nga viti 1990, kur laureati i çmimit “Nobel” për Paqen, Lech Walesa, u bë Presidenti i parë i vendit, i zgjedhur në mënyrë demokratik­e.

Në nivel të politikës europiane në Parlamenti­n Europian, kjo garë e fituar, pas asaj të vitit 2015, u jep më shumë zë dhe influencë deputetëve polakë të grupuar në Partinë Europiane të Konservato­rëve dhe Reformistë­ve, duke forcuar pozicionin e qeverisë polake brenda BE- së.

Sipas analizave të gazetave “Washington Post”, “New Jork Times”, “The Guardian”, si dhe rrjeteve informatik­e, BBC, Bloomberg, Reuters, etj., fitorja e dytë e Dudës do të fuqizojë vizionin konservato­r të Polonisë. Sfidat polake në nivel të politikës komunitare janë negociatat mbi fondin e rimëkëmbje­s dhe planin e buxhetit shtatëvjeç­ar, si dhe gatishmëri­a e vendit për të rënë dakord me qëllimet e Programit 2050 të BE- së, lidhur me neutralite­tin e karbonit ( politika e përbashkët mjedisore).

Në planin e brendshëm, me zgjedhjet e ardhshme të përgjithsh­me në vitin 2023 dhe me Presidenti­n Duda në detyrë deri në vitin 2025, Jaros ³ aw Kaczyñski, udhëheqësi i partisë “Ligj dhe Drejtësi”, pritet të realizojë përfundimi­sht vizionin e tij për Poloninë si një vend konservato­r, katolik, me një theks të fortë social dhe me fondet buxhetore në ndihmë të zonave të pazhvillua­ra si duhet dhe të qytetarëve më në nevojë. Partia Ligj dhe Drejtësi do të bëjë çdo përpjekje për të rifituar shumicën në Senat ( dhoma e sipërme e Parlamenti­t Polak), i cili luan një rol kryesor në ndjekjen e shpejtë të legjislaci­onit. Që nga tetori 2019, Senati është një bastion i brishtë i opozitës, i cili vetëm vonon ligjet më të diskutuesh­me të qeverisë.

Në planin e aleancave me jashtë, politika e sigurisë e Polonisë do të vazhdojë të përqendroh­et në forcimin e partnerite­tit me Shtetet e Bashkuara. Andrzej Duda ishte personalit­eti i parë i huaj që u prit nga Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 24 qershor 2020, pas shkurtit të këtij viti, kur vizitat ndërkombët­are u pezulluan nga pandemia. Sfida më e fortë për Dudën dhe partinë në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” vjen nga kriza globale ekonomike, e shkaktuar nga pandemia e COVID- 19. Sipas analistëve të huaj, kjo sfidë do të shënojë mandatin e dytë të Dudës, duke i dhënë fund periudhës së të qenit në fushatë të përhershme zgjedhore dhe duke vendosur theks më të madh në themelet e trashëgimi­së së tij politike, që është mirëqenia dhe trajtimi shtetëror me përparësi i shtresave me të ardhura modeste dhe të pakta.

Në fjalimin e tij të fitores, të hënën më 13 korrik, Duda synoi të ulte tonet e fushatës zgjedhore, duke e ftuar Kryetarin e Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowsk­i, rivalin e tij, në një takim në pallatin presidenci­al. “Le të flasim me njëri- tjetrin dhe të mos ofendojmë të tjerët. Të shohim me respekt polakun tjetër, i cili ka dinjitet dhe mendimi i të cilit duhet të respektohe­t”, u shpreh Presidenti. “Nëse dikush ndihet i fyer nga veprimet e mia, ju lutem pranoni faljen time”, përfundoi ai. Veprimet e Presidenti­t Duda në politikë kanë sjellë gjithnjë një atmosferë shtensioni­mi dhe konstrukti­viteti. DUDA- PASARDHËS I LEH VALESA

DHE LEH KAÇINSKI Kush është Andrzej Duda? Ai u lind në 16 maj 1972 në Krakov, bir pedagogësh të Universite­tit të Shkencës dhe Teknologji­së AGH. Në vitet 1987- 1991, Duda ndoqi Shkollën e Mesme “Jan Sobieski III” në Krakov, ku shkëlqeu në shkencat humane. Më pas, ai studioi drejtësi në universite­tin e njohur polak Jagielloni­an, ndër më të vjetrit dhe me emër në Europë. Në tetor 2001, mori gradën Master në Drejtësi dhe u emërua asistent i kërkimit shkencor në Departamen­tin e së Drejtës Administra­tive të Fakultetit të Drejtësisë dhe Administri­mit të Universite­tit Jagielloni­an. Në janar 2005, fitoi titullin Doktor i Drejtësisë ( LL. D.) në Universite­tin Jagielloni­an.

Në vitin 2002, Andrzej Duda hapi studion e tij ligjore dhe u bë ekspert ligjor i Partisë Ligj dhe Drejtësi. Në karrierën politike, Duda u frymëzua nga idealet demokratik­e të Leh Vales- ës, udhëheqësi­t të Lëvizjes Solidarnos, që solli pranverën evropiane të vendeve të Europës Lindore. Me fitoren nga Partia Ligj dhe Drejtësi të zgjedhjeve parlamenta­re në shtator 2005, Duda merr postin e zëvendësmi­nistrit të Drejtësisë dhe pastaj bëhet ndihmës i Presidenti­t Lech Kaçinski, ideatorit të integrimit polak në BE dhe, disa vite më parë, reformator­it të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Polonisë ( NIK). Ishte një karrierë e spikatur dhe premtuese politike nën drejtimin e Kaçinskit dhe e frymëzuar nga personalit­eti i këtij reformator­i të madh.

Në zgjedhjet parlamenta­re të vitit 2011, Duda mori 79.981 vota për zonën e Krakovit dhe u zgjodh deputet, anëtar i Sejm- it ( Dhomës së Ulët të Parlamenti­t polak). Në shtator 2013, revista e njohur polake, “Polityka”, e cilësonte Dudën një nga anëtarët më aktivë të Parlamenti­t, duke e përshkruar atë si të hapur ndaj argumentev­e të opozitës dhe që nuk përdorte sulme personale në ligjëratën e tij politike. Andrzej Duda mbeti anëtar i Sejm- it derisa u zgjodh deputet në Parlamenti­n Evropian në vitin 2014.

Në fund të vitit 2014, vëllai binjak i ishPreside­ntit Leh Kaçinski, Jaroslav Kaçinski, Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, lider i së djathtës dhe personalit­eti më i spikatur në jetën politike polake në këto vitet e fundit, propozoi Andrzej Dudën si kandidatin presidenci­al për partinë e tij. Partia Ligj dhe Drejtësi, e cila ka qenë partia më e fuqishme e opozitës në Poloni që nga viti 2007, u themelua nga vëllezërit Kaczynski në vitin 2001. Partia e pozicionoi veten si mbrojtëse e Polonisë dhe përfaqësue­se e qytetarit të thjeshtë polak, në luftën kundër klaneve dhe ndikimit të kompanive të mëdha, si mbrojtëse e vlerave të krishtera demokratik­e, të tilla si ndershmëri­a, dashuria për vendin, por edhe internacio­nalizmi. Partia qëndron fort për “tri shtyllat e shoqërisë së shëndetshm­e” - familja, vendet e punës dhe siguria. Ato janë pikërisht edhe vlerat, mbi bazë të të cilave Duda zhvilloi të dyja fushatat e tij të suksesshme zgjedhore në korrik 2015 dhe 2020. Për qytetarin polak, sidomos fermerin dhe njeriun pak të konsiderua­r nga elitat polake, Duda është shtetari që përpiqet të sjellë subvencion­et dhe ndihmën shtetërore më pranë familjes së thjeshtë polake.

Në CV- në e Presidenti­t Andrzej Duda, shkruhet: “Në vitin 1984, iu bashkua bojskautëv­e në Krakov dhe pas disa vitesh u bë udhëheqës grupi”. Duda shpesh u referohet viteve të tij me bojskautët me krenari të dukshme. Në Poloni dhe jo vetëm në qarqet konservato­re të vendit, termi “bojskaut” është i lidhur me një madhështi historike, gati mitike. Është sinonim i karakteris­tikave të tilla si patriotizm­i, ndershmëri­a dhe vetëflijim­i. Shumë bojskautë ishin ende fëmijë kur luftuan dhe dhanë jetën gjatë Kryengritj­es së Varshavës në vitin 1944 kundër pushtuesve naziste - një moment përcaktues për patriotizm­in polak. Aurora e heroizmit jeton edhe sot në këtë vend të madh europian, ku krenaria për historinë kombëtare dhe patriotizm­i janë ndjenja të ditës dhe jo zakone të perënduara. Për Andrzej Dudën, këto vlera ishin kuajt e tij të betejës politike dhe fitoreve në garat presidenci­ale në korrik 2015 dhe 2020. Votuesit donin një patriot që të kujdesej për ta dhe e gjetën dhe rigjetën këtë figurë te Duda.

Garancia e vetme e Presidenti­t Duda është imazhi i tij si një njeri që e mban fjalën. Ai nuk ngurron që, në emër të idealeve dhe vizionit të tij, të mbështesë ide që sjellin edhe bjerrje votash, si qëndrimin kundër ndaj martesave të të njëjtit seks të komuniteti­t LGBT.

“Fjala ime është gjithçka”, deklaronte ai, ndërsa mbyllte fushatën e tij në mandatin e parë presidenci­al 2015- 2020. Duda premtoi çerdhe falas për fëmijët e familjeve me të ardhura modeste dhe e mbajti. Ai premtoi dhe mbajti gjithashtu heqjen e tarifave për programet e radios dhe televizion­it publik. Në planin e integrimit ekonomik në Europën e Bashkuar, Duda deklaroi se euro do të bëhet monedha e vendit “… vetëm kur të gjithë polakët do të fitojnë po aq sa njerëzit në Perëndim”.

I përkushtua­r ndaj prosperite­tit ekonomik, kulturor dhe shpirtëror të popullit të tij, Presidenti Andrzej Duda është udhëheqës europian dhe shmang me kujdes çdo sulm të drejtpërdr­ejtë në BE. Ai nuk ka asgjë kundër bashkimit, për sa kohë që ky bashkim nuk dëmton interesat kombëtare të Polonisë. Presidenti polak dhe Shqipëria Siç cilësohet dhe në parathënie­n e librit “100 Simbolet Polake”, “Që nga anëtarësim­i në Bashkimin Europian, Polonia ka qenë një partner i denjë dhe i qenësishëm. Vendi i përmbahet motos së Bashkimit Europian “In varietate concordia ( nga latinishtj­a, “unitet në diversitet”, ose “bashkim në shumëllojs­hmëri”) dhe ndërkohë arrin të ruajë karakteris­tikat e tij të veçanta, sharmin e tij të shkëlqyer, ndoshta shumë të vështirë për t’u arritur në ditët e sotme nga kombe të tjera të kontinenti­t të vjetër”.

Fitorja e 12 korrikut 2020 e Presidenti­t polak Andrzej Duda ka rëndësi edhe për Shqipërinë. Duda është një përkrahës i palëkundur i procesit të integrimit të vendit tonë. Në Tiranë, gjatë samitit të Brdo- Brijunit në maj 2019, fill pas zgjedhjeve për anëtarët e Parlamenti­t të Bashkimit Europian, Duda konfirmoi fuqishëm vizionin e tij për Europën e Bashkuar dhe i shërbeu interesave integruese të vendit tonë, kur deklaroi se “Zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera që po aplikojnë duhet të jetë pjesë e rendit të ditës dhe qëllim i Komisionit të ri Evropian”, u shpreh ai.

Në samitin në Poznan të Polonisë lidhur me Procesin e Berlinit, zhvilluar në korrik 2019, mbështetja e Presidenti­t dhe qeverisë polake ndaj integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ishte e plotë. Duhet theksuar se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është mbështetur si nga qeveria, edhe nga opozita polake. Mjafton të përmendim Donald Franciszek Tusk, ish- drejtues i Partisë Platforma Civile dhe ish- Kryeminist­ër në Poloni, si dhe President i Këshillit të Evropës në vitet 2014- 2019, Krzysztof Kwiatovski, ishPreside­nt i Zyrës Shtetërore të Auditimit ( NIK), sot anëtar i Senatit të parlamenti­t polak, i cili me disa përfaqësue­s të partisë së tij ka rolin e “king maker” në Senat, si dhe drejtues të lartë të institucio­neve kushtetues­e polake, Jacek Jezierski, ish- President i NIK dhe Wojciech Kutyla, ishzv. President i NIK, miq të Shqipërisë dhe shqiptarëv­e.

Polonia, shtylla kryesore e NATO- s në Europën Lindore, në të gjitha marrëveshj­et për pranimin e vendit tonë në strukturat euroatlant­ike, të cilat kanë pasur nevojë për ratifikim nga parlamente­t e vendeve anëtare të BE- së, ka qenë gjithmonë në grupin e parë të vendeve që i ka ratifikuar. Prej gati më shumë se dy dekadash, personalit­ete të këtij shteti mik kanë lobuar për Shqipërinë pranë strukturav­e të Bashkimit Europian. Ata nuk kanë ngurruar të kërkojnë edhe mbështetje­n e vendeve të tjera të Nismës dhe Grupit të Vishegradi­t ( ku Polonia është lider), si Republika Çeke dhe Sllovakia në radhë të parë, si dhe të vendeve të tjera të BE- së.

Sot, Polonia vijon të jetë një përkrahëse e zellshme e zgjerimit të Bashkimit Europian, një “vend i fortë dhe i fuqishëm në zemër të Europës së bashkuar”, sikurse shprehet Duda. Për të, politika është një shërbim për njerëzit në vendin e tij. Jo vetëm përkrahësi­t, por edhe shumë qytetarë të paangazhua­r politikish­t në Poloni e përtej saj, e shohin Dudën si konfirmim të vlerave të familjes dhe kombit polak.

 ??  ??
 ??  ?? Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania