Takimi me Hekuran Isain: Kadare ka vepruar si armik
"Sigurimi i Shtetit ka prova se ai ka vepruar sipas porosive të agjenturave të huaja për të dëmtuar Partinë"
Akuzat për tradhti dhe vënie në shërbim të agjenturave të huaja janë të rënda. Kërkohen prova me fuqi ligjore. Nuk mund të krijojnë bindje raportet agjenturore të pamundura për t'u verifikuar. Nuk mund që të reagoj në kundërshtim me rregullat ligjore, shoku Hekuran. Dyshime ka pasur vazhdimisht. Këto kanë mbetur thjesht dyshime të pavërtetuara. Tani jemi para faktit të kryer dhe kërkohet të analizojmë problemet ligjore dhe qëndrimin që kërkohet të mbahet
Mori në telefon Hekuran Isai: - Shoku Qemal! Kam një porosi nga Shoku Ramiz. Dëshiroj të vij e të bisedojmë në zyrën tënde. - Urdhëroni, kur të dëshironi, shoku Hekuran. - Po vij menjëherë. - Po të pres. Biseda me ministrin e Punëve të Brendshme Hekuran Isai: Pasi hyri në zyrë, u përshëndetëm. - Shoku Qemal! Shoku ramiz më dha porosi të bisedojmë dhe të bashkëpunojmë për koordinimin e masave operative dhe ato hetimore e ligjore për kërkesën që ka bërë Ismail Kadare, dje më 23 tetor 1990, për strehim politik në Francë. Mendimi i udhëheqjes është se Ismail Kadare ka vepruar si armik e tradhtar. Për këtë arsye kërkohet të reagojmë sipas rregullave ligjore. Sigurimi i Shtetit ka mbështetur këtë qëndrim të udhëheqjes dhe ka grumbulluar prej kohësh edhe provat që vërtetojnë veprimtarinë armiqësore të Ismail Kadaresë.
- Shoku Hekuran! Unë nuk kam njoftim zyrtar, nuk jam vënë në dijeni zyrtarisht për kërkesën e Ismail Kadaresë për strehim politik në Francë. Nuk kam asnjë të dhënë, asnjë provë ose dokument për ndonjë vepër penale të dërguar nga Sigurimi i Shtetit, nga Ministria e Punëve të Jashtme, nga Komiteti Qendror ose nga ndonjë institucion shtetëror.
Dihet se edhe lajmet që shpërndahen nga ATSH- ja për udhëheqjen dhe funksionarët më të lartë shtetërorë vijnë të redaktuara për kryetarin e Hetuesisë së përgjithshme. Unë kam kërkuar zyrtarisht që të më dërgohen të plota lajmet e jashtme për Shqipërinë. Udhëheqja nuk ka pranuar që të më dërgohen lajmet, "Axhanset", njëlloj si i dërgohen udhëheqjes kryesore, sekretarëve të Komitetit Qendror, Kryeministrit dhe Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ju e keni mbështetur kërkesën time, më keni thënë se është e drejtë dhe keni biseduar edhe me drejtorin e ATSH- së që të më dërgojë lajmet e rezervuara. Me porosi nga lart, ato nuk më janë dërguar.
- Keni të drejtë. Tani situata është e komplikuar. Kërkohet të veprojmë bashkërisht dhe energjikisht me masa konkrete të rrepta...
- E vlerësoj gjendjen shqetësuese të krijuar. Por problemi është politik dhe kërkon qëndrim politik. Masat operative janë në vlerësimin e Sigurimit të Shtetit. Bashkëpunimi do të ishte i nevojshëm në kushtet e kryerjes së një vepre penale dhe të zbulimit në thellësi të fajësisë e provave. Me të dhënat e ekspozuara nga ju në këtë rast, nuk ka vend për qëndrim ligjor. Nuk ka as vepër penale në fazën e përgatitjes, të tentativës ose të konsumuar.
- Sigurimi i Shtetit ka të dhëna dhe prova se ai është agjent dhe ka vepruar sipas porosive të agjenturave të huaja për të dëmtuar politikisht udhëheqjen e Partisë.
- Nuk kam dijeni që Sigurimi i Shtetit ka prova për shërbime agjenturore!
- Po të na mbështesni, ne jemi gati t'jua sjellim provat, shoku Qemal.
- Akuzat për tradhti dhe vënie në shërbim të agjenturave të huaja janë të rënda. Kërkohen prova me fuqi ligjore. Nuk mund të krijojnë bindje raportet agjenturore të pamundura për t'u verifikuar. Nuk mund që të reagoj në kundërshtim me rregullat ligjore, shoku Hekuran. Dyshime ka pasur vazhdimisht. Këto kanë mbetur thjesht dyshime të pavërtetuara. Tani jemi para faktit të kryer dhe kërkohet të analizojmë problemet ligjore dhe qëndrimin që kërkohet të mbahet. Për këto arsye, mendoj se është e dobishme të shkojmë dhe të bisedojmë direkt me shokun Ramiz. Edhe ai është e domosdoshme të krijojë mendim më të drejtë për kërkesat ligjore.
- Shkojmë.