Kompensimi, pronarët që ndajnë 1.4 milionë USD
Agjencia e Pronave: Në këtë fazë të parë marrin 5 këste
Agjencia e Pronave miratoi dje dy listat e kompensimit financiar për pronarët. Gazeta boton emrat e përfituesve në të gjithë vendin e si funksionon skema me këste
Janë 137 familje që marrin paratë e kompensimit për tokën e zënë nga ndërtimet pa leje. Agjencia e Trajtimit të Pronave ka publikuar një ditë më parë listën me emrat e përfituesve në Tiranë dhe rrethe, të cilët në këtë fazë të parë marrin 70 për qind të vlerës që ka prona sot në treg.
"Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto 137 kërkesa është në vlerën 146 069 238,83 lekë. Të dhënat në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfituese jepen në listën bashkëlidhur këtij njoftimi. Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim", thuhet në njoftimin e Agjencisë.
PËRPLASJA PËR TARIFAT
Përplasja me institucionin e Kadastrës për çështjen e tarifave që kjo e fundit ka nisur të aplikojë, ka sjellë ngadalësim të procesit. Një gjë e tillë vihet në dukje edhe në raportin e Agjencisë së Pronave drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. "Gjatë kësaj periudhe, prej Agjencisë së Kadastrës është ndryshuar shërbimi i verifikimit të gjendjes juridike të pasurive që shpërblehen financiarisht. Tashmë, ASHK, prej shkurtit 2020, kërkon që ky verifikim të bëhet online dhe të paguhet. Deri tani, për këtë shërbim nuk është paguar. Kjo ka sjellë bllokim të përkohshëm të procesit. Jo vetëm që teknikisht ATP nuk mund të aplikojë online si biznes privat, por edhe nuk mund të paguajë tarifa", thuhet në raportin e ATP- së.
PËRFITUESIT ME KËSTE
Krahas kësaj liste janë edhe emrat e 2 qytetarëve që përfitojnë kompensimin nga skema e pagesës me këste.
Kjo skemë u jep mundësi të marrin deri në 40 për qind të vlerës që prona ka dhe me vullnetin e tyre të heqin dorë nga pjesa e mbetur. Pagesa bëhet me këste për një periudhë 5- vjeçare. "Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të 2 aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 28.022.005.60 lekë, nga të cilat 10.399.541.92 lekë do të lëvrohen menjëherë si këst i parë, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit, për të cilën ka aplikuar subjekti", thuhet në njoftim, ku bëhet me dije po ashtu se pagesat do të jenë disponibël në llogari përgjatë ditëve në vijim.